2010-02-25 13:21:40

Në Shqipëri krijohet “task force” për zbardhjen e viktimave të ekzekutuara nga regjimi komunist.


(25.2.2010 RV)Qeveria e Tiranës vendosi dje, në mbledhjen e radhës krijimin e Task-Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist.
Zyra e shtypit e Kryeministrit të Shqipërisë bëri të ditur se për realizimin e qëllimit të saj, Task Force bashkërendon punën për identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, për të cilët nuk dihet vendi i varrimit, identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjeve të varreve, gjetjen e eshtrave, verifikimin dhe identifikimin e tyre.
Task Forca do të kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe do të ketë në përbërje Drejtorat e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, të Arkivës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Arkivës së Ministrisë së Brendshme; Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, nëndrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore; Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë.
Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja e tyre do jetë e vlefshme për përmbushjen e misionit të saj.
Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik, i cili ka në përbërje një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë; nga Drejtoria Juridike, në Ministrinë e Brendshme dhe një përfaqësues nga Policia e Shtetit.
Kryetari i Task-Forcës raporton me shkrim, pas çdo mbledhjeje, pranë Kryeministrit, lidhur me ecurinë, problematikat e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura.
Disa ditë më parë familjarë të viktimave të regjimit komunist gjetën gjatë gërmimeve në një vend në malin e Dajtit eshtrat e rreth 13 personave, të cilët mendohen se janë ekzekutuar nga regjimi diktatorial gjatë viteve 1970-1980. Ky fakt nxiti një debat publik lidhur me problematikën e viktimave të regjimit, një pjesë e të cilëve ende sot nuk dihet se ku janë varrosur.
Në këtë kontekst, më 16 shkurt komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dy projektligje, të propozuara nga Qeveria, që synojnë të nderojnë viktimat e regjimit komunist, përkatësisht p/ligjin "Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri" dhe p/ligjin "Për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri".







All the contents on this site are copyrighted ©.