2010-02-25 08:58:17

Mësimet e Benediktit XVI kushtuar armës së lutjes për të mundur dyshimet e fesë.


(25.02.2010 RV)Dëgjues të nderuar, gjendemi në kohën liturgjike të krezhmëve që na ndihmojnë të përgatitemi për kremtimin e Pashkëve. E një ndër aspektet e përshpirtërisë kreshmore që na ndihmon për këtë qëllim, është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës kundër të Keqit e shpirtit të së keqes.
Çdo ditë, e posaçërisht në Kohën e Krezhmëve, i krishteri duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë, ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur mundi tundimin e mbram, duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit.
Është pra një betejë shpirtërore, betejë kundër mëkatit e kundër djallit, zanafillë e shkak i çdo lloj mëkati. Prej këndej besimtarët duhet të jenë vigjilentë e t’u kushtojnë vëmendje jo vetëm mëkateve të rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të cilat, në se nuk përfillen, sjellin vdekjen, sepse na largojnë prej Zotit, burim e gurrë e Jetës.Kështu, krezhmët na kujtojnë se jeta e krishterë është betejë pafund kundër mëkatit, së keqës e vdekjes. Për t’i përballuar, duhet të ngjeshemi me armët e lutjes, të agjërimit e të pendesës.
“Në se nuk do të ishte mëshira vigjilente e Hyjit, më duket se sapo ta njihte mirë vetveten, njeriu do të kthehej përsëri në baltën, prej nga ka dalë”. Ky fragment është shkëputur prej njërit nga romanet më të njohura të letërsisë franceze, titulluar “Ditar i një famullitari fshati”. Ishte viti 1936, kur bota njohu tronditjet shpirtërore të famullitarit të Ambrikur-it, krijuar nga penda tejet e ndjeshme e Zhorzh Bernanos.
Në fjalët e këtij meshtari, që u bë, më pas, edhe personazh filmi – e që iu paraqit si shembull Papës e bashkëpunëtorëve të tij gjatë ushtrimeve shpirtërore të Krezhmëve, në Vatikan, ndjehet jehona e luftës së rreptë shpirtërore e, sidomos, nevoja e sundimit të vetvetes, e pranisë së një force më të madhe, që çdo i krishterë, sidomos besimtari i shuguruar e ndjen, përballë provave, të cilat nuk mungojnë gjatë gjithë jetës.
E Benedikti XVI i ka kushtuar shumë faqe të magjisterit të tij, pikërisht luftës kundër tundimit e përgjigjeve që i kundërvë feja.
Në lutjen e fundit të Engjëllit të Tënzot, Papa e quajti periudhën e Krezhmëve, kohë e ‘grahmave shpirtërore’, që duhet jetuar, ashtu si e jetoi Jezusi në shkretëtirë.
“Krishti erdhi në botë, që të na çlirojë nga mëkati e nga joshja e dyshimtë për ta planifikuar jetën tonë, pa pyetur fare për Zotin. Ai nuk e bëri këtë me shpallje të bujshme, por duke dalë vetë përballë Tunduesit, deri në Kryq. Ky shembull vlen për të gjithë: botën mund ta përmirësojmë, duke nisur nga vetvetja, duke ndryshuar, me hir të Hyjit, çka nuk shkon në jetën tonë (21 shkurt 2010).
E kjo vlen posaçërisht në kohën e Krezhmëve. I krishteri duhet të ngjeshë armët e fesë: lutjen, pendesën, dëgjimin e Fjalës, që shëlbon. Duke e ditur, siç do të thoshte famullitari i Bernanos, se edhe vetëm dëshira për t’u lutur, është bërë tashmë lutje:
“Krezhmët duhet të jenë edhe kohë agjërimi, pendese e kohë, që na kujton se duhet ta ruajmë fort vetveten, me bindjen se lufta kundër mëkatit nuk mbaron kurrë, sepse tundimi është realitet i çdo dite, ndërsa ligështia e besimi i kotë tek vetvetja, përvojë, që e jetojnë të gjithë. Në fund, përmes lëmoshës, Krezhmët duhet të jenë rast i përshtatshëm për t’i ndarë së bashku me vëllezërit dhuratat, që kemi marrë, e jo më pak, rast për t’i kushtuar vëmendje të veçantë nevojave të njerëzve të varfër e të braktisur”(1 mars 2006).
Në këtë luftë të përditshme kundër ligështisë, në dëshirën për t’ia hapur zemrën njeriut që vuan, duke ia mbyllur egoizmit, njeriu shikon menjëherë rrugën e vetme drejt ringjalljes, në gjurmët e Jezusit. E kjo rrugë – shpjegon Benedikti XVI – kalon nga tundimet e shkretëtirës së Judesë, tek shndërrimi në Malin Tabor, siç na rrëfen Ungjilli i së Dielës II të Krezhmëve:
Lufta e Jezusit kundër Tunduesit, është prelud i duelit përfundimtar të Mundimeve, ndërsa ndriçimi i korpit të tij të shndërruar, i paraprin lumnisë së Ngjalljes. Nga njëra anë shikojmë Jezusin si njeri i vërtetë, që provon, ashtu si ne, edhe tundimin; nga ana tjetër, kundrojmë Birin e Hyjit, që e hyjnizon natyrën tonë njerëzore. Në këtë mënyrë mund të themi se këto dy të diela janë, simbolikisht, dy shtylla, mbi të cilat mbështetet e tërë ndërtesa e Krezhmëve, deri tek Pashkët, madje dhe e tërë struktura e jetës së krishterë, që ka në thelb gjallërinë e Pashkëve, të cilat na çojnë nga vdekja, në jetë” (17 shkurt 2008).
E në horizontin e luftës kundër të gjitha gjërave, që na largojnë nga Zoti, duhet kujtuar vetëdija e faljes. Juda Iskarioti – vëren Papa gjatë një audience të përgjithshme të 2006-tës - e shkatërroi vetveten, i dëshpëruar nga mosbesimi në mundësinë e mëshirës. Shkruan në Ditarin e vet, famullitari i katundit: “Mëkati kundër shpresës: më vdekjeprurësi ndërmjet të gjitha mëkateve e, ndoshta-ndoshta, ai që pëlqehet e përkëdhelet më shumë se gjithë të tjerët”. Ndërsa Papa nënvizon me forcë se nuk duhet të dyshojmë kurrë në dashurinë e pakufishme të Hyjit për çdo njeri:
“Është për ne ftesë, që ta kemi gjithnjë parasysh atë që thotë Shën Benedikti: ‘Nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën në mëshirën hyjnore (…) Jezusi e respekton lirinë tonë; Jezusi pret të pendohemi e të bëjmë kthesë; është i pasur me mëshirë e ndjesë” (18 tetor 2006).
Një vetëdije, kjo, që ndjehet fort edhe në zemrën e trazuar të famullitarit të Bernanos. Në fund të romanit, famullitari i fshatit, në fill të mortjes, i kërkon zgjidhjen e mëkateve një miku të vet meshtar, i cili e ka humbur fenë. Duke e parë tronditjen, që pëson tjetri nga kjo kërkesë, e ngushëllon me fjalët e Shën Terezinës: “S’ka rëndësi! Gjithçka është hir!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.