2010-02-25 10:53:15

Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i Kosovës, në 14-vjetorin e vdekjes


(25.2.2010 RV)Duke shfletuar kalendarin, sot më 25 shkurt përkujtojmë 14 vjetorin e vdekjes së ipeshkvi të Kosovës, imzot Nikë Prelës (1918-1996).
Plaku i Kosovës, siç quhen me dashuri e respekt nga kosovarët, imzot Prela lindi në Kotorr të Malit të Zi më 3 qershor 1918. Ndoqi rrugën e meshtarisë, që e çoi në detyrën e lartë të ipeshkvit të dioqezës së lashtë shqiptare të Shkup-Prizrenit, bari i së cilës ishte qysh nga viti 1970 deri më 1996.
Jetoi me Zotin e për Zotin, me popullin e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për të ndriçuar me dritën e Ungjillit jetën e përditshme. Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë e me vepra për të kumtuar Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë për thirrjet meshtarake dhe talentet e reja, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë fetare-kulturore-atdhetare në Kosovë. Iu vu ai vetë punës dhe botoi një sërë veprash, ndërmjet të cilave, Fjalorin Biblik.
Si atdhedashës, të cilit i dhimbsej vendi e populli i vet, imzot Nikë Prela trokiti portë më portë në zyrat e larta të institucioneve e Shteteve kudo nëpër botë, për të mbrojtur me shkopin e bariut grigjën që i qe besuar, e cila qe e rrethuar nga ujqërit e uritur. Dha kështu një kontribut të shquar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, veçmas të Kosovës.
Duke folur për historinë dhe realitetin e shqiptarëve, Imzot Nikë Prela shpesh thoshte : “Populli shqiptar ende nuk ka dalur në skenë, sepse me shekuj ka qenë i ndrydhur dhe ka vuajtur shumë. Ky “kapital” e “thesar” flijimi dhe gjaku na ka dhuruar personalitete si Gjergjj Kastriotin – Skenderbeu dhe Nënë Tereza.
E për përparimin dhe të mirën e popullit e të vendit, imzot Nikë Prela ripohonte binomin e të krishterëve shqiptarë “Për Fe e Atdhe” duke siguruar mbështetjen e kontributin e Kishës katolike. Me një rast në dhjetor të vitit 1989 mes tjerash imzot Prela pohonte: “Kisha jonë është dhe do të jetë gjithmonë me popullin e nëpërkëmbur. Pa popull s’ do ta kemi as Kishën. Çdo shqiptar është vëllai apo motra ime… Unë në popullin tim shqiptar e gjeta vetveten, gjeta mundësinë t’i shërbejë Zotit dhe popullit sipas parimit të ipeshkvin të madh shqiptar, Imzot Pjetër Bogdanit: “Fati i popullit tim është fati im!…”.
Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës (25 shkurt 1996), Presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova tha: “Shembëlltyra e ndritshme e ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij gjithmonë e gjallë që frymon brenda nesh”. Me pak fjalë imzot Nikë Preal qe figurë e ndritur fetare e atdhetare, një jetë në shërbim të Zotit e të popullit.
Mbi figurën, veprën e trashëgimin që imzot Nikë Prelës i la Kosovës, të dëgjojmë don Lush Gjergjin, Vikarin e Kishës së Kosovës ...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.