2010-02-24 16:22:56

Reshjet e mëdha përkeqësojnë situatën në qarkun e Shkodrës


(24.2.2010 RV)Qeveria e Shqipërisë miratoi sot ringritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile për të menaxhuar situatën përkeqësuar në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, të cilat mbrëmë arritën në 3 mijë m3/sekondë, më të mëdhatë e shënuara këtë vit.
Duke e konsideruar situatën emergjente, Kryeministri Berisha tha se Komiteti i Emergjencës do të fillojë nga funksionimi menjëherë. "Sërish, kemi një situatë emergjente. Mbrëmë, prurjet e të dy degëve të Drinit kanë arritur në 3 mijë m3/sekondë. Të jashtëzakonshme kanë qenë prurjet lumenjve të Alpeve, si dhe ka një rritje të ndjeshme të Kirit dhe Gjadrit.
E për t'u përballur me këtë situatë të re është e domosdoshme të ngremë sërish Komitetin Ndërministror të Emergjencës, i cili duhet të nisë veprimtarinë që sot", tha Berisha. Ai tha se aktualisht ndodhen në zonë dhe po shqyrtojnë situatën Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë dhe komandantë të forcave të tjera.
Kryeministri Berisha kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për kapërcimin e kësaj situate me dëmet më minimale të mundshme. Kryeministri shpjegoi gjithashtu se, si pasojë e reshjeve të mëdha, një rrufe në Vaun e Dejës bllokoi transmetimin e energjisë elektrike dhe për një periudhë zhyti vendin në "black out". Por u rivendos me shpejtësi transmetimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.