Prej 90-të vjetësh, Zoja e Loretos është Pajtore e aviacionit civil e ushtarak.
(24.02.2010 RV)Sipas traditës, shtëpia e Marisë së Nazaretit, u mbart nga Engjëjt
në Loreto, në Marke. Për kujtim të këtij fluturimi ëngjëllor, që prej 90 vjetësh mbrojtja
e pilotëve i është besuar Zojës së Loretos. Folëm për këtë me kryeipeshkvin e Loretos,
imzot Gjovani Tonuçi:
Përgjigje: - Flasim për 1920-tën,
kur fenomeni i fluturimeve ajrore ishte ende diçka krejt e re. Sapo kishte filluar
e i përkiste vetëm pak njerëzve. Në këto rrethana, duke iu përgjigjur edhe kërkesës
së pilotëve, Papa vendosi t’ia besojë Zojës së Loreto njerëzit që fluturojnë, pikërisht
për kujtim të fluturimit ëngjëllor, që e mbarti shtëpinë nga Nazareti, në Loreto.
Të mendojmë, tani, ç’ndodhi pas 90 vjetësh: ai, që asokohe ishte fenomen i dorës së
dytë, u bë fenomen kozmik.
Pyetje: - Imzot Tonuçi, ç’të veçantë
ka shtegtimi në Loreto?
Përgjigje: - Zbulimin e vlerës së
Mishërimit të Birit të Hyjit. Natyrisht, ajo e Loretos është Shenjtërore mariane,
por njëkohësisht, edhe Shenjtërore kristologjike. Shenjtëroret lindin rreth një fenomeni
të jashtëzakonshëm, që mund të jetë një dukje, ose një zbulesë, por mund të lindin
edhe rreth një figure, ndërsa Loreto është ndryshe, sepse Shenjtërorja lindi rreth
një shtëpie. Vërtetë figura e Zojës së Loretos, aq tipike, aq e njohur, është shumë
e dashur e shumë popullore. Por nuk është Zoja e Loretos qendër e Shenjtërores. Qendër
janë ato tri faqe muri, që panë takimin e Engjëllit me Marinë. Që e ruajnë këtë kujtim!
Pyetje:
- Ç’thonë historianët për këta gurë, që gjinden brenda Shenjtërores?
Përgjigje:
- Si historianët, ashtu edhe arkeologët, në kërkimet e bëra gjatë viteve
’70 e ’80, vërtetuan, pa asnjë dyshim, se kjo është Shtëpia e Shenjtë, duke u mbështetur
edhe në faktin se gurët e saj nuk kanë asgjë të përbashkët me gurët e Loretos, por
me ato të Nazaretit. Janë gurë të prerë në mënyrën tipike Nabatea, karakteristike
për veriun e Galilesë e për zonat e afërta. Në mure, pastaj, vërehen shkrime e grafite,
në gjuhën greke e aramajke, krejt të ngjashme me grafite të tjera, që lexohen edhe
sot e kësaj dite në Nazaret. Jemi shkencërisht të sigurtë, për aq sa mund të jetë
e sigurtë dituria njerëzore, se ky vend qe dëshmitar i dialogut ndërmjet Marisë e
Engjëllit e se ia ndryshoi rrjedhën e historisë së njerëzimit.