2010-02-23 15:16:59

Takim i kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore, mbi temën: “Të drejtat dhe detyrat e pakicave katolike në vendet e Evropës Juglindore”


(23.02.2010 RV)Nga data 25 deri më 28 shkurt, në Shisinau të Republikës Moldave do të zhvillohet takimi i dhjetë i kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore. Tema e këtij viti është: “Të drejtat dhe detyrat e pakicave katolike në vendet e Evropës Juglindore”. Nga Shqipëria do të marrë pjesë ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustini. Vendet e tjera të përfaqësuara janë Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Qipro, Greqia, Moldavia, Rumania, Turqia dhe Konferenca Ipeshkvnore e Shenjtorëve Çiril e Metod, ku përfshihet Serbia e Mali i Zi.
Pas Asamblesë plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshvnore Evropiane, që u zhvillua në Paris, në tetor të vitit të kaluar, ipeshkvijtë i kthehen temës së marrëdhënieve ndërmjet shtetit e Kishës, në kontekstin e veçantë të atyre vendeve ku katolikët nuk janë shumica e popullsisë.
“Përmes këtij takimi – pohon kryeipeshkvi i Sarajevës, kardinali Vinko Puljiç – duam të analizojmë gjendjen e veçantë të Kishës Katolike në ato vende ku jemi pakicë, jo vetëm për të folur mbi të drejtat, të cilat duhet t’i kemi njëlloj me çdo institucion të njohur ligjërisht, por sidomos për të verifikuar kontributin, që katolikët mund dhe duhet të japin për të mirën e përbashkët të shoqërisë. Në veçanti – vazhdon kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës – ndryshimet e shpejta në shoqëritë tona, të cilat janë sprovuar në të kaluarën nga lufta, mjerimi e forma të ndryshme totalitarizmi, kanë sjellë një proces shekullarizimi të pakontrolluar, i cili, megjithëse i ndryshëm nga shteti në shtet, paraqet elemente të përbashkëta. Sot, për shembull, familjet e vendeve tona duhet të përballojnë probleme të reja, që njiheshin pak më parë, si papunësia, emigracioni, alkoolizmi, droga dhe aborti. Në këtë konktekst, Kisha Katolike është e thirrur të favorizojë ruajtjen e vlerave tradicionale të popujve tanë, t’i ripropozojë ato e t’i forcojë”.
Pjesëmarrësit në Takimin e Shisinaut do të vizitojnë edhe realitete të ndryshme pastorale të shoqërisë moldave, do të marrin pjesë në lutje e në kremtime eukaristike me bashkësinë katolike lokale.







All the contents on this site are copyrighted ©.