2010-02-23 16:53:54

Shqipëria miraton projekt ligjin për krijim e institutit të kujtesës


(23.2.2010 RV)"Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri" është emërtimi që do të marrë institucioni që do të hedhë dritë mbi krimet dhe viktimat e periudhës së diktaturës së komunizmit në Shqipëri, për periudhën 29 nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990.
Mënyra e funksionimit të këtij Instituti, e parashikuar në projektligjin e posaçëm të propozuar nga Qeveria dhe të miratuar sot nga komisioni parlamentar i Ligjeve, ka të bëjë me studimin, dokumentimin dhe publikimin për shoqërinë shqiptare e më gjerë, të krimeve dhe pasojave të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Dy elementë të rëndësishëm të draftit janë përbërja apolitike e këtij Instituti dhe mënyra e re e të shkruarit të historisë së Shqipërisë gjatë 45 viteve të komunizmit. Instituti do të mbledhë në një dorë dokumentat dhe dosjet e asaj kohe, të cilat do të vihen në dijeni të publikut.
Ky institucion do të drejtohet nga drejtori ekzekutiv dhe nga bordi përkatës, anëtarët e të cilit do të kenë një mandat pesëvjeçar, ndërsa do të emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Zgjedhja e anëtarëve të bordit do të bëhet nga institucione apolitike, si Instituti i të Përndjekurve, Akademia e Shkencave, shoqëria civile etj, gjë që është shumë e rëndësishme për vendimmarrjen e tij.
P/ligji, që do t'i përcillet së shpejti për miratim Kuvendit, parashikon kritere të veçanta për nëpunësit e Institutit. Ata nuk duhet të kenë qenë anëtarë ose kandidatë të PKSH-së ose PPSH-së; nuk duhet të kenë bërë shkollime apo kualifikime në shkollat e larta politike të Sigurimit ose mbrojtjes së Shqipërisë apo vendeve të Traktatit të Varshavës; të mos kenë qënë anëtarë ose nëpunës së Sigurimit të Shtetit etj. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.