2010-02-23 17:35:57

Pekini i kërkon Barak Obamës “të ndreqë” pasojat e takimit të tij me Dalai Lamën.


(23.02.2010 RV)Hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet ndërmjet Pekinit dhe Uashingtonit. Kina kritikon përsëri Shtëpinë e Bardhë për takimin e ditëve të kaluara ndërmjet presidentit Obama dhe udhëheqësit fetar të Tibetit Dalai Lama.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze gjatë një konference për shtyp kërkoi zyrtarisht që presidenti amerikan Barak Obama “t’i ndreqë gabimet e bëra” me takimin me Dalai Lamën që kanë dëmtuar marrëdhëniet kinezo-amerikane. Në fakt bëhet fjalë për një thirrje për bashkëpunim më tepër sesa për një kërcënim nga ana e Pekinit.
Por le të ndjekim mendimin e specialistit të Kinës, Fernando Meceti:

Përgjigje: Kinezët e kanë kuptuar se i kanë mëshuar pak si tepër fjalëve duke u përpjekur t’iu imponojnë SHBA-ës politikën e tyre. Nga ana tjetër, amerikanët reaguan në tri mënyra: problemi tregtar i motorit kërkues të internetit “Google” që u bë problem shteti; armët që iu dhanë Tajvanit që në fakt nuk janë aspak të jashtëzakonshme e në fund edhe takimi me Dalai Lamën, që tregon se amerikanët e kanë marrë përsëri në dorë iniciativën e politikës së jashtme.

Pyetje: Në këtë kontekst bën pjesë, ndër tjera, edhe problemi tepër delikat i sanksioneve të Iranit...

Përgjigje: Kur Kina, ende sot, thotë se duhet kërkuar “një pozicion i negociuar” – sikurse bëjnë edhe rusët – kjo gjë do të thotë se Kina është kundër sanksioneve. Edhe kjo gjë e vërteton ringjalljen e politikës së jashtme amerikane. Përsa i përket Iranit, Kina nuk ka ndërmend t’i miratojë sanksionet. Në rastin më të mirë, nëse rusët abstenojnë, atëherë edhe Kina do të abstenojë. Nëse rusët do të votojnë pro sanksioneve prapseprap Kina do të abstenojë. Ka gjasa që të mos ta përdorin veton, por nuk ka dyshim se nuk i duan sanksionet. Kjo e shpjegon edhe ringjalljen e politikës amerikane, sepse kinezët nuk iu kanë dhënë amerikanëve në këmbim asnjë ndryshim të politikës së tyre të jashtme në lidhje me Iranin, e mbi të gjitha as në lidhje me Korenë e Veriut. Kinezët nuk ushtrojnë mbi Pjong jangun presion që vetëm ata do të mund të ushtronin. Siç dihet regjimi koreano-verior rri në këmbë vetëm falë ndihmave kineze.







All the contents on this site are copyrighted ©.