2010-02-23 18:00:50

Dhuna kundër të krishterëve në imazhin blasfem të Jezusit në Indi e në britmën e dhimbjes së bashkësisë së Mosulit.


(23.02.2010 RV)Thirrje për paqen në Indi dhe një kërkesë për Ministrinë e Arsimit, që të vigjëlojë mbi shtëpitë botuese e mbi materialet, që qarkullojnë nëpër shkolla. Kjo është përmbajtja e deklaratës së ipeshkvijve indianë, pas botimit të një imazhi blasfem të Krishtit mbi një libër shkolle, si pasojë e të cilit në zonën e Batalës, në Punxhab, shpërthyen ndeshjet ndërmjet fondamentalistëve hinduistë dhe të krishterëve. Siç sqaron agjensia Azianjus, Jezusi është paraqitur duke pirë birrë, duke pirë cigare e quhet “idhull”. Gjatë ndeshjeve, u është vënë zjarri dy kishave, për të cilat administrata lokale ka parashikuar riparimin. Për rritjen e tensionit do të flitet edhe nesër në Asamblenë e Konferencës Ipeshkvnore të Indisë në Guahati. Të dëgjojmë zëdhënësin e ipeshkvijve indianë, atë Jozef Babu:
Fola gjatë orëve të fundit me disa të krishterë në Punxhab, që më thanë se situata është normalizuar tashmë. Policia liroi të gjithë të arrestuarit dhe qeveria e Punxhabit deklaroi se kishave të shkatërruara do t’u jepen subvencione e se dy personat, që qëndrojnë pas incidenteve, do të procesohen. Rrezikojnë të dënohen së paku me 5 vjet. Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se Punxhabi është zonë e ndjeshme: ka pasur dhunë të bazuar mbi motivacione fetare e ky rast është vetëm i fundit. Kisha Katolike ka bërë thirrje për paqen, u ka kërkuar njerëzve të takohen e të diskutojnë për problemin e jo të dalin në rrugë. Njëkohësisht, duam që qeveria të veprojë seriozisht kundër atyre njerëzve, që po mundohen të prishin paqen e harmoninë e shtetit.
Vend tjetër, teatër i dhunës dramatike kundër të krishterëve, është Iraku. Pesë të krishterëve, të vrarë gjatë javës së kaluar, u shtohet atmosfera e frikës, që kërcënon edhe shpresën për të ardhmen. Për shembull, stundetët e fshatit të krishterë Bagdida, nuk kanë shkuar në leksion në Universitetin e Mosulit, nga frika e akteve terroriste. Ipeshkvijtë irakianë dhe Këshilli i krerëve të krishterë të Irakut kërkojnë mbrojtje dhe ndërhyrje më të madhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Në mikrofonin tonë, vikari patriarkal kalde i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni:
U kërkojmë të gjithëve, vendeve të huaja, qeverisë qendrore e qeverisë së Mosulit t’i shohin me të vërtetë të krishterët si qytetarë të mirë. Ne bëjmë ç’mundemi për të mbrojtur Irakun. Jemi gati t’i plotësojmë detyrat tona, por kërkojmë edhe të drejtat. Dhuna kundër të krishterëve vjen vetëm dy javë para zgjedhjeve të përgjithshme. Kërkojmë që të mos politizohet çështja e të krishterëve, pasi ne jemi me ata që duan të mirën e Irakut.







All the contents on this site are copyrighted ©.