2010-02-23 16:49:15

Alston: Shpëria duhet të bëjë pasqyrim të plotë të shkeljeve të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist.


(23.2.2010 RV)Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore, Prof. Philip Alston, gjatë një konference për shtyp sot në Tiranë, sugjeroi që Shqipëria lipset të bëjë një pasqyrim të plotë të shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë periudhës së regjimit komunist.
"Njëzetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria nuk është marrë në mënyrë të plotë me vrasjet dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut të kryera gjatë atyre viteve. Është pranuar gjerësisht se mijëra shqiptarë janë torturuar, ekzekutuar dhe zhdukur nga shteti, por shumë nga familjet e viktimave nuk kanë arritur të mësojnë fatin e të dashurve të tyre dhe detajet e shkeljeve të regjimit nuk janë nxjerrë në dritë", tha prof. Alston në këtë konferencë ku dha përfundimet mbi një sërë çështjesh që ai vëzhgoi pas një vizitë disa ditore në rajone të Shqipërisë.
Për zotin Alston, "kjo vjen për shkak se Shqipëria është një prej pak vendeve të ish-Perdes së Hekurt, që nuk i ka hapur arkivat e saj të shërbimeve sekrete të periudhës komuniste".
Raportuesi për të Drejtat e Njeriut, Philip Alston, theksoi se "Qeveria duhet të konsiderojë ngritjen e një komisioni kombëtar për kryerjen e një hetimi të pavarur, sistematik dhe të qëndrueshëm të shkeljeve të periudhës komuniste".
Deri në atë moment, tha ai, Qeveria duhet të sigurojë që institutit të propozuar për studimin e shkeljeve të kohës së komunizmit t'i jepet akses i plotë në çdo burim të mundshëm informacioni lidhur me këtë periudhë dhe që të jetë në gjendje të përdorë pushtetin e vet për t'i paraqitur raste specifike Prokurorisë për shqyrtim.
Përsa i takon çështjes së gjakmarrjes, Alston evidentoi se numri i vrasjeve për shkak të gjakmarrjes në Shqipëri është ulur në mënyrë progresive gjatë pesë vjetëve të fundit, por dukuria, sipas tij, "nuk është zhdukur krejtësisht. Për më tepër, pasojat e saj më të gjera vazhdojnë të kenë një efekt gërryes në shoqëri".
Sipas tij, problemet më të rëndësishme kanë të bëjnë me ngujimin e madh të familjeve që i tremben një vrasjeje për hakmarrje.
Ndërkohë ai vlerësoi përpjekjet e qeverisë për trajtimin e gjakmarrjes, por shtoi se "qeveria mund të luajë një rol më të fuqishëm në ndërgjegjësim, sidomos në dhënien e ndihmës ndaj përpjekjeve për pajtimin e familjeve, gjë e cila deri tani u është lënë në dorë thuajse plotësisht vetë familjeve dhe shoqërisë civile".
Në këtë kuadër, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Alston, rekomandoi ndërmarrjen e masave të tilla si: ngritjen e sekretariatit tashmë të planifikuar prej kohësh për Komitetin e Koordinimit të Gjakmarrjes, nxitja e kërkimeve ndërdisiplinare lidhur me çështjen e gjakmarrjes, përfshi shkaqet dhe mjetet për t'i dhënë fund vrasjeve dhe ngujimit, që ndoshta mund t'i besohet një Instituti të ri Kombëtar të Kriminologjisë, etj.
Lidhur me dhunën në familje, ai vuri në dukje se dhuna në familje mbetet një problem shumë i gjerë dhe shumë mbetet për të bërë. Ndërkohë që, vlerësoi progresin domethënës të bërë nga Qeveria në hartimin dhe zbatimin e strategjive që trajtojnë nivelet e larta të dhunës në familje.
Një tjetër çështje e trajtuar nga Alston ishte edhe ajo për "Gerdecin", ku ai theksoi se "gjykimi i atyre që mbajnë përgjegjësi për jetët e humbura, plagosjet e shkaktuara, dhe pronën e shkatërruar nga shpërthimi i Gërdecit në mars të vitit 2008, është qartësisht një çështje e rëndësisë së lartë."
"Shqetësimi im është nëse vdekjet e Gërdecit janë hetuar në mënyrë domethënëse dhe nëse po gjykohen në mënyrë efektive. Prokurori i Përgjithshëm duhet të garantojë se ngjarjet që çuan në shpërthimin e Gërdecit do të hetohen plotësisht, të gjitha palët përgjegjëse do të gjykohen, dhe, aty ku është e nevojshme, të bëhen kërkesa për heqjen e imuniteteve", tha ai.
Gjatë kësaj konference, Prof. Philip Alston shprehu vlerësime për progresin dhe arritjet që ka shënuar Shqipëria. "Si nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, ashtu edhe nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, Shqipëria ka arritur jashtëzakonisht shumë brenda një periudhe shumë të shkurtër. Këto arritje mbresëlënëse është e qartë se do t'i shërbejnë vendit më mirë teksa ecën në rrugën drejt kandidimit për anëtarësim në BE", tha ai.
Profesor Philip Alston zhvilloi një vizitë në vendin tonë në datat 15-23 shkurt, ku udhëtoi në Tiranë, rajonin e Shkodrës dhe të Fushë-Krujës. Hetimet e tij mbi vrasjet e paligjshme u përqendruan veçanërisht tek gjakmarrja dhe dhuna në familje si dhe çështjet e transparencës rreth vrasjeve të tjera të dyshuara.
Gjatë kësaj vizite, ai pati takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi,, Kryeministrin Sali Berisha dhe zv/kryeministrin Ilir Meta si dhe me disa anëtarë të kabinetit qeveritar. Gjithashtu, Alston zhvilloi takime me kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, anëtarë të Parlamentit, zyrtarë të lartë të policisë, përfaqësues së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Avokatit të Popullit si dhe zyrtarë ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile vendase e të huaj, akademikë, dëshmitarë dhe një numër te konsiderueshëm familjesh të përfshira në gjakmarrje. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.