Shtegtim simbolik në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan
(22.2.2010 RV)Sot në solemnitetin e Katedrës së Shën Pjetrit, po bëjmë së
bashku në një shtegtim simbolik, për të vizituar monumentin më të shquar të krishterimit,
simbolin e bashkimit të besimtarëve të Krishtit: Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan
– që është katedralja e popujve. Vizitorët më të njohur e kanë quajtur: “Kisha
më e bukur e fesë më të bukur”. E shtegtarët vërshojnë çdo ditë nga të katër anët
e botës për të shijuar madhështinë klasike kristiane. Nisen nga rrjeti i ndërlikuar
i rrugëve të Romes, kalojnë nëpër “Via della Conciliazione” (Rruga e Pjatimit) dhe
para tyre shfaqet një nga sheshet më të bukura që ka krijuar dora e njeriut: Sheshi
i Shën Pjetrit. Në mes të tij ngrihet Obelisku i lashtë egjiptian. Dikur Obelisku
kishte në maje një sferë bronzi të praruar, në të cilin besohej se ruhej hiri i Jul
Cezarit. Sfera u rrëzua nga kryengritësit në vitin 1527. Më vonë u zëvendësua me Kryqin,
të cilin e sodisim edhe sot. Obelisku është i ndërtuar prej graniti bojë rozë. Nuk
ka hieroglifë. Në të lexojmë vetëm mbishkrimin që i kushtohet Augustit e Tiberit,
dy perandorëve romakë, gjatë sundimit të të cilëve lindi e u kryqëzua Krishti. Obelisku
në lashtësi ka qenë simbol i diellit. Në kohët e krishtera u bë simbol i Krishtit
– diellit të ri që me rrezet e veta ndriçon e ngroh gjithësinë. Në të dy anët e
Obeliskut ndodhen dy shatërvane dhe pak më tutje hapin krahët dy radhë kolonash vigane.
Janë 284 kolona, që formojnë tri galeri, vepër e arkitektit dhe skulptorit të famshëm,
Berninit. Mbi kolonat ngrihet një numër i madh shtatoresh. Sheshi ka pamjen e një
njeriu që, duke pasur mbi kokë kupolën e Shen Pjetrit, hap krahët, si të donte t’u
jepte një përqafim të ngrohtë turmave të pafund, të cilat drejtohen nga varri i Princit
të Apostujve. Është simbol i vetë Kishës katolike, që hap krahët rreth të gjithë rruzullit
tokësor, për të përqafuar bijtë e vet, kudo që jetojnë. Duke soditur të mahnitur
këtë Shesh, na bie menjëherë në sy Lozha e Bekimeve – ku ndër festa të mëdha kemi
parë Papën që jep Bekimin “Urbi et Orbi” – “Romës e Botës”. Lozha është ndërtuar në
shekullin XV. Përpara fasadës së Bazilikës lartohen dy shtatore, që për nga madhësia
ua kalojnë të gjitha statujave të kolonates; janë shtatoret e Shën Pjetrit – simbol
i misionit të Kishës – dhe Shën Palit – simbol i fuqisë së Ungjillit. I afrohemi
Bazilikës. Duke ngjitur shkallët që ngrihen në të dy anët e ndërtesës, sodisim shtyllat
vigane të hyrjes me kapitelet e skalitura mjeshtërisht. Shkelim sakaq në tremen e
gjerë të Bazilikës. Me miliona njerëz nga të gjitha viset, nga të gjitha kohët, kanë
shkelur në këtë treme. Këtu kanë shkelur Gjergj Kastrioti e Gjergj Fishta, Fan Noli
e Lasgush Poradeci, qindra meshtarë, rregulltarë e rregulltare si dhe besimtarë të
thjeshtë shqiptarë. E të gjithë e kanë ndjerë veten të mahnitur përpara madhështisë
së artit të krishterë dhe kanë thelluar atë vetëdije që Fishta e ka kënduar kështu,
pasi pati vizituar Shën Pjetrin: “Nper ty, o fe, ne zemra/ mbrendë na gufon prej gëzimit.
/ Nper ty prej qielleve të epra, / shpresa i vegon njerëzimit; / flakë ndezet Dashunija,
/ mkamen hartet e dija!”. Në kët vend shejt, shtegtari nuk e ndjen veten të huaj:
një ndjenjë e thellë vëllazërore i bashkon njerëzit që vijnë të gjunjëzohen e të luten
te varri i Shën Pjetrit Apostull, i cili i hapi njerëzimit Portat e Amshimit, që Krishti
ia besoi atij. Përpara nesh janë pesë Portat e stërmëdha të Bazilikës: Porta kryesore
- e Argjendit; Porta Romake; Raveniane, Porta e Shoqëruesve dhe Porta e Gjyqtarëve,
që përdorej për salikimet. Në krahun e majtë ndodhet edhe Porta Shenjte - ose Porta
e Jubileut, që është e mbyllur me mur dhe hapet vetëm për Vitin Shenjt – çdo 25 vjet. Portat
janë shumë të pasura me basorelieve - vepra të shquara të skulpturës, që i përkasin
kohëve dhe autorëve të ndryshëm. Ndërtimi i Bazilikës së lashtë filloi aty nga
viti 256, në kohën e sundimit të Perandorit Konstantin. Është vepër e disa breznive
artistësh, që lanë gjurmët e tyre nga shekulli në shekull, deri në periudhën e Rilindjes
( Shek XV – XVI) kur vendin e Bazilikës së Lashtë, të dëmtuar rëndë nga koha, e zuri
Bazilika madhështore që po sodisim sot, vepër e dy personaliteteve të pavdekshme:
Papës Juli II dhe Mikelanxhelo Buonarotit. Pas tyre do të vinte një plejadë papësh
e artistësh të tjerë si Papa Sisti V, Gregori XIV, Klementi X – e artistë si Rafaeli,
Bernini, Sangallo… Falë bashkëpunimit të këtyre gjenive, lindi edhe kupola e Shën
Pjetrit që zotëron gjithë pejsazhin e Romës. Poshtë kupolës shtrihet Bazilika në formën
e kryqit latin. Nuk ka monument të dytë në botë që të ketë pasuri kaq të mëdha
veprash feje e arti. Sapo të kemi hyrë në Bazilikë, në Kapelën e parë djathtas, do
të sodisim një nga kryeveprat më të mëdha të skulpturës: ‘La Pietŕ’ – ‘Zojën e Dhimbshme’,
që mban në prehër Krishtin e sapo zbritur nga Kryqi, kryevepër e Mikelanxhelos. Kapërcejmë
së bashku pragun e portës kryesore, që njihet me emrin “Porta e Argjendë” dhe hyjmë
në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan për të soditur mrekullitë e fesë e të artit
që e stolisin. Gjëja e parë, që na bie në sy e na tërheq, është “ La Pietŕ” – “Zoja
e Dhimbshme”, e Mikelanxhelos. Vepra u përfundua me 1500 dhe pas shumë lëvizjesh,
u vendos përfundimisht në kapelën e parë, më të djathtë të Bazilikës. Kurrë ndonjë
herë, si në këtë vepër, nuk është shprehur dhembja e një nëne, që mban në prehër trupin
e ngurosur nga vdekja të të birit, nga i cili buron drita e misterit hyjnor. Kryevepra
është skalitur në mermer të bardhë. Vepra të Mikelanxhelos janë edhe dy kapela
të tjera, që vijnë pas së parës, të stolisura me krijime të artistëve më të mëdhenj
të shekujve. Por ato, që i japin gjallërinë e vërtetë gjithë Tempullit, janë veprat
e gjenisë së Berninit. Ai mendoi t’i vishte përsëri muret me mermerë, projektoi dhe
realizoi “Varrin e Shën Pjetrit”, që njihet me emrin “La Confessione”, realizoi baldakinin
e ri mbi Varrin e Kryeapostullit, Katedrën si dhe vendet ku sot sodisim shtatoret
e reliket. Vepra e Berninit u frymëzua thellësisht nga arti i thjeshtë i të krishterëve
të parë. U përurua me 1633, në kohën e Papës Urbani VIII. Në qendër të Bazilikës
ndodhet “Varri i Shën Pjetrit”.Vepër e shkëlqyer, Varri është i zbukuruar me vepra
të tjera të rralla arti dhe i ndriçuar nga 95 llamba bronzi të praruar. Pas portës
së vogël që dallohet në fund të varrit, janë ruajtur mbetjet e bazilikës së lashtë
kostandiniane: nikia me një mozaik të shekullit IX, që paraqet Jezu Krishtin. Këtu
shtegtarët mbledhën, gjunjëzohen, luten e prekin me nderim të thellë varrin e Princit
të Apostujve, Shën Pjetrit. Pranë këtij varri janë kurorëzuar sa e sa papë e mbretër.
Seria e kurorëzimit të mbretërve nis me Karlin e Madh të Francës në vitin 800. Mbi
“ Varrin e Papës së parë” Shën Pjetrit, ngrihet elteri papnor. Baldakini i tij prej
bronzi, mbahet nga kolona vigane spirale, që kanë formën e Tabernakullit të thjeshtë,
i cili ndodhej dikur mbi varrin e shën Pjetrit. Pas elterit sodisim Katedrën, që
mbahet nga duart e shtatoreve prej bronzi të katër Etërve grekë e latinë të Kishës:
Atanazit, Gjon Krizostomit, Agostinit dhe Ambrozit. Mbi ta qëndron Pëllumbi i Shpirtit
Shenjt. Brenda Katedrës së veshur me fildish, ruhet relikja prej druri e një katedre
shumë më të lashtë. Është Katedra e Shën Pjetrit, simbol i dinjitetit papnor, Selia
e së vërtetës që frymëzohet dhe ruhet prej Shpirtit Shenjt. I gjithë kompleksi
skulpturor, i derdhur në bronz, që mishëron misterin e Kishës, njihet me emrin “Gloria
e Berninit” dh është kryevepër e artistit. Në bazën e shtyllës së fundit, në të
djathtë, ndodhet shtatorja e Shën Pjetrit mbi fron. Besohet se është krijuar në shekullin
XIII nga Arnolfo di Kambio. Është një nga gjërat më të bukura të Bazilikës. Për të
kremten e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, shtatorja e bronztë vishet me petkat mahnitëse
kishtare, stolisur me gurë të çmuar. Mbi këtë shtatore ndodhet medaglioni, i vendosur
nga Pio IX me 1871, i cili na kujton se Pjetri qe Papa i parë, papnia e të cilit zgjati
25 vjet. Shtegtarët, si kanë soditur mrekullitë e Bazilikës, i afrohen shtatores
dhe i puthin me devocion këmbët, mbi të cilat kanë lënë gjurmët e veta miliona buzë. Në
Bazilikë janë varrosur shumë papë, kardinaj e njerëz të tjerë të shquar. Mbi varret
e tyre ngrihen shtatore e sarkofagë mahnitëse. Ndërmjet tyre shquhen varret monumentale
të Papëve Pali II, Pali III, Urbani VIII; Leoni XII, Klementi XIII, Benedikti XV e
sidomos, varri i Gjon Palit II, që vizitohet ditë për ditë nga mijëra shtegtarë prej
të katër anëve të botës! Bazilika e Shën Pjetrit është shumë e pasur në relike,
ndërmjet të cilave, më e përmendur, është pëlhura e djersëve, me të cilën Shën Veronika
fshiu fytyrën e mbytur në djersë e gjak të Krishtit, që po ngjitej në Kalvar, ngarkuar
me peshën e paduruar të kryqit. Fytyra hyjnore la gjurmën e vet në pëlhurë. Një tjetër
relike është heshta e shenjtë, me të cilën ushtari romak i pati shporuar kraharorin
Krishtit, dhuruar Papës Inoçenci VIII ( Shek. XV) nga Sulltan Bajaziti; relikja e
kokës së Shën Andreut Apostull dhe pëlhurat me të cilat qenë mbështjellë trupat e
shenjtorëve martirë. Na duhet të lëmë pa parë me qindra gjëra në këtë shtegtim
imagjinar nëpër Bazilikën e Shën Pjetrit, sepse për t’i përshkruar të gjitha, duhet
një kohë shumë e gjatë. Këtu flet çdo gur e çdo copë mermeri tregon një histori. Këtu
shtatoret hapin gojën e flasin për bashkimin e popujve të shpërblyer në Krishtin e
për paqen, që mund ta japë vetëm ligji i tij, të cilin di ta shpallë plotësisht përpara
botës vetëm Pasardhësi i Pjetrit. Duke vizituar Bazilikën të lind mendimi: “Nuk mund
të mos adhurohet një fe që është e aftë të krijojë vepra të tilla bukurie e madhështie”.