2010-02-22 12:05:06

Përvjetori i parë i vdekjes së Imzot Zef Simonit, ipeshkëv


(22.2.2009 RV) Më 21 shkurt 2009 ipeshkvi imzot Zef Simoni, ndërroi jetë në qytetin e tij të dashur, Shkodër. I lindur në Shkodër më 1 dhjetor 1928, imzot Zef Simoni pati një jetë të ngarkuar me ngjarje sa të vështira, të trishtuara, aq edhe të gëzueshme. Kryedioqeza e Shkodrës, Kisha katolike e Shqipërisë dhe bota e kulturës shqiptare humbën një meshtar, ipeshkëv, dëshmitar të kalvarit që populli shqiptar pësoi gjatë periudhës së tmerrshme të regjimit komunist dhe shkrimtar të pasionuar.
Siç thamë jeta e Imzot Zef Simoni qe e ngarkuar me ngjarje të trishtuara, sepse ishte bir i një familjeje të varfër, sepse iu desh të bënte shumë flijime për të kryer studimet, e aq më tepër, për t’u shuguruar meshtar në kushtet e diktaturës, më 9 shkurt 1961. E menjëherë pasi u ngjit në elter, iu desh të ngjitej edhe në Kalvar i ngarkuar me Kryqin e Krishtit. Bëri shumë vjet burg e, pikërisht në qelitë e shtetit ateist, pa letër pa laps, nisi krijimet e tij të para, të regjistruara e të ruajtura në arkivin e trurit. Këto vepra i hodhi në letër e i botoi vetëm pasi doli nga burgu e, bashkë me lirinë, pati gëzimin e rrallë e të papërshkrueshëm të shugurohej ipeshkëv në Shkodër, nga vetë Papa Gjon Pali II, më 25 prill 1993. Filloi kështu misionin ipeshkvnor si ipeshkëv-ndihmës i kryedioqezës së Shkodrës.
Imzot Zef Simoni u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor të shtunën më 21 shkurt, pas një bilanci tepër të pasur ngjarjesh, veprimtarish, shtegtimesh, veprash, nga të cilat po kujtojmë botimin më të ri: “Letërsia e pame ndryshe”. Të pasura, edhe mesazhet që prelati shqiptar u përcolli besimtarëve nga Elteri i Zotit e po kështu edhe nga mikrofoni i Radio Vatikanit, që para se të shugurohej ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II më 23 prill 1993 në Kishën Katedrale të Shkodrës e deri në muaj e fundit të jetës së tij. Kujtojmë se Imzot Zef Simoni ishte edhe përfaqësuesi i parë i Kishës shqiptare në një ngjarje të madhe kishtare siç qe Sinodi i Ipeshkvijve për Evropën Lindore, që u mbajt në Vatikan më 28 nëntor 1991, e më pas në shumë ngjarje të tjera të rëndësishme kishtare.
Me pak fjalë imzot Zef Simoni na la trashëgim një thesar të paçmueshëm feje në Zotin, qëndrese në rrugën e Kalvarit, dëshmimi të Ungjillit të Krishtit, shërbimi ndaj Kishës e Atdheut, pasioni ndaj kulturës e së Vërtetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.