Pesë të krishterë vriten në Mosul vetëm gjatë javës së fundit. Dëshmia e kryeipeshkvit
irakian
(22.02.2010 RV)Gjithnjë e më problematike gjendja e të krishterëve në Irak.
Gjatë javës së fundit, në Mosul janë vrarë 5 vetë. Dje, në një takim në Bashkësinë
e Shën Egjidit në Romë, kryeipeshkvi kalde i Kirkukut, imzot Luis Sako tha qartë se
nëpër xhami flitet për të krishterët si për të pafe e politeistë. E opinioni publik
beson se Perëndimi është shkaku i fatkeqësive të botës myslimane. Në Mosul – vazhdoi
kryeipeshkvi – ekziston një plan për ta boshatisur qytetin nga të krishterët. E zgjidhja
nuk mund të jetë ardhja e një komisioni ndërkombëtar hetimi për dhunën kundër të krishterëve.
Jeta e përditshme është tjetër gjë, tha imzot Sako. Para dy ditësh, autoritetet e
Mosulit u takuan me ipeshkvijtë lokalë për të folur mbi këtë dhunë të vazhdueshme.
Pikërisht për këtë takim, pyetëm kryeipeshkvin siro-katolik të Mosulit, Bazile Xhorxh
Kazmusa: Ne ipeshkvijtë e Mosulit jemi takuar me guvernatorin lokal. Folëm
me të dhe me kreun e policisë mbi gjendjen e të krishterëve, sidomos në Mosul. Denoncuam
përgjegjësitë e autoriteteve lokale dhe qendrore për sigurinë e qytetarëve, në veçanti
për të krishterët. Na dëgjuan me vëmendje. Në mbrëmjen e ditës së takimit, televizioni
lokal transmetoi një program të zgjeruar mbi problemin. Guvernatori foli publikisht
për takimin tonë dhe bëri një deklaratë shembullore. Dimë edhe se në qeveri ka pasur
debate mbi gjendjen e të krishterëve. Duke lënë mënjanë mesazhin verbal, që
me siguri është i rëndësishëm, por vërtet domethënëse janë faktet: ç’mund të bëjë
qeveria në këtë drejtim? Na premtuan se do të forcojnë sigurinë, do të dislokojnë
ushtarë dhe policë në lagjet ku jetojnë të krishterët. Problemi është se në Mosul
nuk ka ndonjë zonë të veçantë ku jetojnë të krishterët. Ata janë të shpërndarë në
të gjithë qytetin! Ajo që nevojitet vërtet është që qeveria të dënojë ata që kryejnë
këto veprime, pasi forca e vetme që kemi është drejtësia. E në këtë moment, drejtësi
nuk ka! Të gjithë politikanët e partitë janë të impenjuar në fushatën zgjedhore… Si
është gjendja shpirtërore e bashkësive të krishtera? Shumë familje braktisin
Mosulin për t’u strehuar në qytetet e krishtera përreth Mosulit, ose në Kurdistan.
Pikërisht sot, u takova me disa familje që duan të largohen… Siç thashë, është e nevojshme
ndërhyrja e qeverisë. Është i nevojshëm edhe një takim me kryeministrin në Bagdad
për këtë problem. Po e presim. Gjithsesi, Kishat në Mosul mbeten të hapura. Duhet
të vazhdojmë jetën tonë normale, pavarësisht nga kjo situatë!