2010-02-22 12:13:02

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të dielën e parë të Krezhmëve: bota përmirësohet duke filluar nga vetvetja, me ndihmën e Zotit.


(22.02.2010 RV)Në të dielën e parë të Krezhmëve, Papa Benedikti XVI i përshëndeti shtegtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit për Lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar se për të gjithë Kishën, koha e Krezhmëve është kohë pendese, lutjeje, kohë veprash bamirësie dhe kthimi në rrugën e Zotit. Agjërimi do të thotë të heqësh dorë nga diçka e të bëhesh i lirë për të mirën. Krezhmët janë si një periudhë e gjatë ushtrimesh shpirtërore, ku njeriu mëson të dëgjojë brenda vetes zërin e Hyjit. Por si ta përjetojmë këtë kohë? Të dëgjojmë Atin e Shenjtë:
“Një kohë “agonizmi” shpirtëror për t’u jetuar sëbashku me Jezusin, jo me krenari e mendjemadhësi, por duke përdorur armët e fesë, pra lutjen, dëgjimin e Fjalës së Zotit dhe pendesën. Në këtë mënyrë mund të arrijmë t’i kremtojmë Pashkët me të vërtetë e të jemi gati për të përsëritur premtimet e bëra me Pagëzimin”.
Në Ungjillin e së dielës, Jezusi, pasi ka marrë pagëzimin nga Shën Gjoni, largohet nga Jordani dhe udhëhiqet nga Shpirti i Shenjtë në shkretëtirë, ku për dyzet ditë, tundohet nga djalli. Tundimet – nënvizoi Papa – nuk ishin të rastit, por pasojë e vendimit të Jezusit për të ndjekur misionin, që ia kishte besuar Ati i Gjithpushtetshëm:
“Krishti erdhi në botë për të na çliruar nga mëkati e nga joshja e dyshimtë, që na shtyn ta planifikojmë jetën pavarësisht nga Zoti. Ai e bëri këtë jo me shpallje plot bujë, por duke luftuar personalisht kundër Tunduesit, deri në kryq. Ky shembull vlen për të gjithë: bota përmirësohet duke filluar nga vetvetja e duke ndryshuar, me hirin e Zotit, atë që s’shkon në jetën personale”.
Tundimi i parë që djalli vë para Jezusin ka të bëjë me urinë. Tunduesit – kujtoi Papa – Jezusi i përgjigjet se “jo vetëm me bukë jeton njeriu”. Pastaj, djalli i tregon Jezusit të gjitha mbretëritë e tokës dhe i thotë se gjithçka do të jetë e tij, nëse do ta adhurojë. Është mashtrimi i pushtetit, të cilit Jezusi ia çjerr maskën dhe e refuzon. Së fundi, Tunduesi i propozon Jezusit të bëjë një mrekulli spektakolare, të hidhet nga muri i lartë i Tempullit e të thërrasë engjëjt e Hyjit për ta shpëtuar. Por Jezusi përgjigjet se “Zoti nuk duhet vënë kurrë në provë”:
“Jezusi i kundërvë kritereve njerëzore të vetmin kriter të vërtetë: bindjen para vullnetit të Zotit. Edhe ky është një mësim themelor për ne: nëse do të mbajmë në mendje e në zemër Fjalën e Hyjit, nëse ajo hyn në jetën tonë, mund të sprapsim çdo lloj mashtrimi të Tunduesit”.
Ati i Shenjtë kujtoi në përfundim se për të përgatitur sa më mirë shpirtin për Pashkët, fillojnë në Vatikan ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake, në praninë e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.