2010-02-22 14:48:30

Në Vatikan vijojnë ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake, në praninë e Papës.


(22.02.2010 RV)Me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament e me kremtimin e Lutjeve mbrëmësore, filluan dje, në orën 18.00, ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake, që nis kështu, përgatitjen për Pashkë. Ushtrimet po mbahen në praninë e Benediktit XVI, në Kapelën e ‘Nënës së Shëlbuesit’ të Pallatit Apostolik. Do të vijojnë deri të shtunën e ardhshme, më 27 shkurt. Gjatë kësaj jave do të ndërpriten të gjitha audiencat papnore, duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme të së mërkures së ardhshme. Meditimet, me temë “Mësimet e Zotit e të Kishës për thirrjet meshtarake”, po i kryeson Dom Enriko dal Kovolo, salezian.
Po pse u zgjodh pikërisht kjo temë? Përgjigjet vetë Dom Enriko dal Kovolo, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - “Mësimet e Zotit” flasin vetvetiu për metodën e këtyre ushtrimeve. Metoda është ajo e lashta, e Lectio Divina, por edhe ajo e “Mësimeve të Kishës”. Mendoj ta përfundoj çdo ditë të ushtrimeve shpirtërore, duke paraqitur si modele figura meshtarësh shembullorë: Shën Agostinin, Famullitarin Shenjt të Arsit, famullitarin e fshatit Bernanos, don Gjuzepe Quadrio-n e, më në fund, Shërbëtorin e nderuar të Hyjit, Gjon Palin II, nën papninë e të cilit u rindërtua kapela “Redemptoris Mater” (Nëna e Shëlbuesit), ku mbahen çdo vit ushtrimet shpirtërore. Që në titull kujtohet ‘thirrja meshtarake’. E natyrshme, sepse jemi në zemër të Vitit Meshtarak.

Pyetje: - Cila është vlera parësore e ushtrimeve shpirtërore?

Përgjigje: - Vlera parësore nuk është e sotme, por e përhershme: besimtari ka nevojë të domosdoshme ta largojë për pak kohë vëmendjen nga punët e përditshme shekullare e të përqendrohet në lidhjen e ngushtë me Zotin. Sot këto ushtrime shpirtërore mund të marrin një kuptim krejtësisht të veçantë, ndoshta sepse jemi tejet të përfshirë në rendjen e ethshme të historisë. E në këtë rendje, rrezikohemi ta humbasim hjerarkinë e vërtetë të vlerave. Ushtrimet shpirtërore kanë për qëllim të na ndihmojnë për të venë në rregull jetën tonë.
 Pyetje: - Kujtojmë se vetë Papa është i pranishëm në ushtrimet shpirtërore. Kështu mund të themi se edhe prania e tij i jep më shumë vlerë meditimit?

Përgjigje: - Prania e Atit të Shenjtë është shembullore, është modeli më i lartë për të gjithë besimtarët, gati-gati si të dëshironte të na kujtojë se askush nuk përjashtohet e se që të gjithë kemi nevojë për këto çaste vendimtare, që të rikthehemi me gjithë zemër në jetën tonë shpirtërore. Prania e Papës na kujton se duhet të meditojmë edhe për një gjë tjetër: “Në Kishë askush nuk është i shenjtë, të gjithë kanë nevojë për ndihmë e për hir, për ndihmën e Shpirtit Shenjt, për lutje. Jemi të gjithë mëkatarë e të gjithë kemi nevojë për mëshirën e Zotit, kemi nevojë ta takojmë Zotin.

Pyetje: - Shpesh Krezhmët shikohen si kohë liturgjike flijimesh, vuajtjesh, therorish, ndërsa në të vërtetë, kanë kuptim pozitiv…
 
Përgjigje: - E natyrshme! Pikërisht kjo është logjika ungjillore: sa më shumë të mësohemi ta dhurojmë plotësisht vetveten, aq më shumë i afrohemi lumturisë së vërtetë. Ky është edhe kuptimi i Pashkëve. Sivjet Papa na porosit, në mënyrë të posaçme, t’i jetojmë këto Pashkë nën shenjën e një drejtësie sa më të madhe. E drejtësia më e madhe, quhet dashuri. Dashuri, që na kërkon dhurimin e plotë të vetvetes. Kjo është rruga, në të cilën duhet ecur. Këtë na e kujtojnë Krezhmët, e kjo është edhe rruga e vetme e lumturisë sonë.

Pyetje: - Cili është, atëhere, urimi juaj, drejtuar mbarë besimtarëve për këtë Kohë Krezhmësh?

Përgjigje: - Që të gjithë ne të ecim me vendosmëri në këtë udhë, duke kuptuar se pendesa nuk është, sigurisht, ligj i vdekjes, por ligj i jetës. Është ligj i një lumturie më të përkryer.







All the contents on this site are copyrighted ©.