2010-02-22 16:52:08

Alston takon Berishën: Shqipëria duhet të zbardhë krimet e kryera nga komunizmi


(22.2.2010 RV)Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u takua sot ne Tirane me z. Philip Alston , Raporter i Posaçëm i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për ekzekutimet jashtëgjyqësore.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, gjatë këtij takimi Raporteri i Posaçëm vlerësoi iniciativën e Qeverisë shqiptare në krijimin e Institutit për Krimet e Komunizmit dhe ngritjen e Task Forcës për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit, si dhe i shprehu kryeministrit shqiptar mbështetjen e plotë në iniciativën e qeverisë për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera nga regjimi diktatorial.
"Shqipëria duhet të zbardhë të gjithë krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjet dhe aktorët", u shpreh z. Alston.
Më tej, Raporteri i Posaçëm i OKB-së e vlerësoi shumë pozitivisht Shqipërinë, si një ndër vendet me më pak probleme për sa i përket numrit të ekzekutimeve jashtëgjyqësore, duke theksuar se Shqipëria lë pas edhe shumë vende të zhvilluara në këtë drejtim.
Në këtë kuadër z. Alston vlerësoi faktin që në Shqipëri ekziston kuadri i plotë ligjor për krimet ndaj jetës së njeriut, si dhe rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimeve ndaj jetëve njerëzore, përfshi edhe rastet e krimeve për arsye hakmarrje, por dhe ndaj krimeve të tjera siç janë dhuna në familje, etj.
Kryeministri Berisha siguroi se lufta me zero tolerancë kundër krimit është dhe mbetet përparësi themelore e punës së ekzekutivit shqiptar dhe si e tillë ajo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si ndaj krimit të organizuar, ashtu edhe ndaj atij ordiner.
Në këtë kontekst, kreu i Qeverisë i bëri të ditur Raporterit të Posaçëm të OKB-së se si pasojë e kësaj lufte të vendosur, treguesit e indeksit të krimit në Shqipëri janë më të ultat se mesatarja e vendeve të BE-së.
Gjithashtu, z. Berisha e njohu z. Alston me masat e rëndësishme te marra nga qeveria shqiptare, si ato financiare ashtu edhe të tjera kundër dhunës në familje si dhe për mbrojtjen e integrimin e viktimave të dhunës në jetën e përditshme.
Philip Alston, i cili është emëruar Raporter i Posaçëm në vitin 2004 nga Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, është i pavarur nga qeveritë dhe vepron në zotësinë e tij individuale.
(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.