2010-02-22 12:10:20

Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi në përvjetorin e vdekjes.


(22. 2. 2010 RV) Abati i Mirditës, imzot PRENG DOÇI - 1846-1917 me rastin e përvjetorit të vdekjes së bariut të vyer, letrarit të shquar e atdhetarit te flakët.
Jeta dhe vepra e Abat Doçit, ndahet në disa periudha. Periudha e parë i përket kohës kur Preng Doçi ishte meshtar i ri dhe plot vrull. I frymëzuar nga meshtarët e zellshëm dhe atdhetarë, që në rini vihet në ballë të punës meshtarake dhe atdhetare; periudha e dytë kur ai, si i pjekur kalon nëpër burgje dhe në mërgim; periudha e tretë kur ai mori detyrën e Abatit, dhe si prelat i lartë dhe diplomat i pjekur udhëhoqi Abacinë, e cila ishte në rangun e një dioqeze dhe këshillonte mendjen shqiptare të rilindasëve; periudha e katërt, kur abati me mençurinë e vet i bëhej krah Qeverisë Shqiptare, e cila gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore gjendej në sprova të rënda qeverisje.
 
Kush ishte Abati i nderuar
Preng Doçi lindi më 7 shkurt vitit 1846, nga baba Për (Pren apo Pjetër) dhe nëna Mria (Maria) në lagjen e Parasporit, në luginën më të bukur në botë, atë të Bulgrit, siç e quante këtë luginë, romancieri i njohur Fabian Barkata, në romanin e vet Lule. Lugina e Bulgrit, gjendet në rrjedhën e poshtme të lumit të njohur të Fanit. Kurdo, në çdo stinë të vitit, në këtë luginë syri sheh vetëm blerim, dhe përreth e qark syri vëren një rreth të bukur pyjor. Në këtë luginë duke u shoqëruar më gurgullimën e lumit Fan të Mirditës, i cili krijonte tinguj të bukur kumbues, nisi Prendi i vogël, të dashurohej me vendlindjen.
Hapat e parë të njohurisë më Kishën dhe më germat e abetares, Prendi i bëri së bashku më të ëmën duke shkuar në Kallmet, ku ishte rezidenca ipeshkvnore e Lezhes. Aty vazhdoi të qëndronte për disa vite deri sa përfundoi shkollën fillore. Në moshën 14 vjeçare, pikërisht në vitin 1856 hyri në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku qëndroi deri më 1861. Në Seminar u dallua për zell dhe mësime të mira, kështu në vitin 1861 u dërgua në Kolegjin Urban të Romës për studime të larta teologjike. Gjatë studimeve në Romë, pati rastin të njihej më letërsinë Arbëreshe, historinë e Shqipërisë dhe poetin e madh Jeronim De Rada.
 
Veprimtaria meshtarake
Pas përfundimit të studimeve në vitin 1871, Dom Preni i pajisur më njohuri u kthye në Shqipëri, dhe pa u çmallur me të afërmit dhe vendlindjen u caktua famullitar në Korthpulë.
Krahas kujdesit për gjendjen shpirtërore të popullit, ai shqetësohej shumë për gjendjen e vështirë të mirditasve nën zgjedhën Osmane. I frymëzuar qysh në fillim të rinisë së vet me idenë e thjeshtë atdhetare, sapo shkeli në tokën e të parëve, në Mirditë, për shkak të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve, krahas përkujdesit shpirtëror të besimtarëve u dha pas çështjes kombëtare. Ai, çështjen kombëtare e përforcoi edhe kur ishte si kapelan dhe sekretar tek Abati i Oroshit, dom Gasper Krasniqit gjatë viteve 1872-1875.
Kryengritja e viteve 1876-1977, të mirditasve kundra osmallinjve, ishte rezultat i organizimit të dom Prekë Doçit dhe bajraktarit të Mirditës Preng Bibë Dodës. Puna rreth këtij organizimi bëri që ipeshkvi i dioqezës së Lezhës, Françesko Malçinski, shtetas austriak me kombësi nga Ukraina, ta suspendonte (shkishëzontë) dom Prengun nga shërbimet meshtarake. Dom Prengu, duke qenë tashmë i vetëdijshëm së çfarë mendimi ka ipeshkvi për të, duke mos kërkuar mëshirë nga ai, mori arratisjen në mal së bashku me shumë bashkëfshatarë. Kështu në muajin maj të vitit 1877 dom Prengu së bashku me disa shokë u nisën nëpër shtigje malore për të shkuar në Cetinë dhe më larg. Por udha e tij ishte shumë e shkurtër sepse në Vuthaj të Guicë u zu nga ushtarët turq dhe prej andej e dërguan në Pejë dhe më në fund në Stamboll të Turqisë. Nga kjo ditë për dom Prenkë Doçin, 31 vjeçar rifilloi një jetë me plot sprova, e cila do të zgjaste plot njëmbëdhjetë vjet, duke kaluar nëpër tre kontitente të botës.

Prend Doçi 11 vjet në mërgim
Pasi u dërgua në burgun e Stambollit, falë një bashkëvendasi, Nikollë Përlaskajt, i cili kishte qëlluar roje në burgun e Konstadinopolit të atëhershëm, Doçi arriti të kontaktojë me patriarkun katolik të këtij kryeqyteti, armenin Stefan Azarjan, i cili sapo u njoftua për këtë çështje ndërmori aksionin për ta liruar dom Prendin. Në fund ia doli kësaj pune në krye dhe Doçi u lirua nga burgu me kusht që të largohej jashtë perandorisë osmane. Dhe i gëzuar pa masë, dom Prendi me ëndje u nis për në Romën e ëndërruar. Ai më 7.VII. 1877, nga Roma i dërgoi letër arqipeshkvit të Shkodrës duke i lajmëruar se mrekullisht doli nga kthetrat e ushtarëve turq dhe se tashmë gjendej në Romë, në Kolegjin Urbano ku i kishte përfunduar studimet e veta.
Meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri, Doçi duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë u nis për mision në Tokën e Re (Amerikë) në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë që shkeli kontinentin e ri. Dom Prendi duke qëndruar në anën tjetër të rruzullit tokësor, nga malli për vendin e vet shpesh në mëngjes i drejtohej diellit: “Ç'prune prej dheut të Evropës? A mi ke pa ata të mijët?” Ndërsa në mbrëmje thoshte: “Mule e mu ço shnet atyne të mijve atje nalt ku vet e di?”
Për qëndrimin e Doçit në provincën kanadeze Brunswick, dëshmoi edhe gazeta e kohës “The morning Freeman”, të Brunswickut më 22 tetor të vitit 1881. Në kujtimet e disa priftërinjve kanadezë Doçi paraqitet si një shembull shumë interesant i atdhedashurisë.
Në vitin 1883, dom Prendin e kishin thirrur në Evropë me shpresa kthimi në Shqipëri. Kështu ai më 2 prill të viti 1883 u gjend në Romë. Për të qenë sa më afër Shqipërisë, Selia Shenjtë e dërgoi më 5 maj po të këtij viti misionar në Tivar, ku ndejti plot gjashtë muaj. Por, përkundra përpjekjeve që bëri Selia Shenjte dhe kryeipeshkvi i Shkodrës P. Guerrini, për t'ia mundësua kthimin në vendlindje, Doçi me plot hidhërim u detyra të marrë anijen e përgjatë brigjeve të Shqipërise të merrte rrugën për në Athinë. Për shkak të shpifjeve të cilat i bënte Ipeshkvi i Lezhës, Malçinski drejtuar për nga Stambolli dhe Roma, Dom Prendi në vitin 1884, u detyrua përsëri të largohej nga Evropa, për të marrë rrugë tashmë në kontinentin e Indisë, pikërisht në Bombei, i caktuar sekretar i kardinalit Antonio Agliardi. Atje, si njohës i mirë i italishtes, latinishtes dhe frëngjishtes, zuri një vend të merituar mes të intelektualëve të Bombeit.

Kthimi në vendlindje
Sado që ishte mirë nëpër vende të cilat ishin të lira, Doçi nuk gjente prehje e qetësi. Dëshira e tij e vetme ishte të kthehej në Shqipëri. Kështu pas kërkesave të pareshtura nga ana e tij, nga Bombei dhe Roma për tu kthye në vendlindje, më 6 nëntor 1888, i shoqëruar nga djem të Mirditës, i pritur katund më katund, tashmë si abat i Abacisë Nullius (Abaci e veçantë) të Mirditës, mbërriti në Orosh.
Papa Leoni i XII me dekretin “supra montem Miriditarum”, datë 25 tetor 1888, e kishte përtrirë Abacinë e Shën Lleshdrit, duke e shkëputur nga jurisdikcioni e ipeshkvisë të Lezhës, duke e lënë drejtpërdrejt të varur nga Selija e Shenjte. Sipas atij dekreti, Abacia që përbëhej prej famullive te Oroshit e të Spaçit, i shtoheshin edhe pesë famulli të tjera të shkëputura nga Diqeza e Lezhës: Ndërfanda, Kalivarja, Qafa e Malit, Blinishti e Fandi. Kongregacioni i Shenjt i Propogandës, me dekretin “Ssmus D: N: Leo “, datë 27 tetor 1888 , lajmëronte Dom Prengë Doçin së Papa Shejt e kishte zgjedhur Abat të Mirditës.
Duhet theksuar se kësaj Abacie iu shtuan edhe disa famulli të tjera, me dekret të 30 shtatorit 1890, të Selisë së Shenjte: Vigu, Mnela e Gomsiqa, duke i shkëputur nga dioçeza e Sapës. Me dekret të 31 marsit 1894 Selia e Shenjte i shtoi edhe pesë famulli të tjera, shkëputur nga dioçeza e Lezhës: Kashnjetin, Korthpulen, Shën Gjergjin, Ungrejt e Kaçinarin dhe me dekret 2 korrik 1906 Abacisë iu shtua edhe Gryka e Gjadrit që i përkiste Sapës. Abati qëndroi 28 vjet në detyrën e bariut të mirë.

Veprimtaria letrare
Abati Prend Doçi, përvese një diplomat i shquar, nderohej edhe si poet dhe letrar. Poezinë dhe prozën e shkroi me një gjuhë të rrjedhshme dhe të përdorur mirë, duke i botuar në Kalendarin Vepra Pijore, të vitit 1916 dhe Kalendar për të Gjithë, të vitit 1925. Ai edhe pse në të shumtën e rasteve shkroi pa emër, ka publikuar rreth 32 vepra. Ndër të tjera edhe fjalorin e dom Dodë Koletsit të botuar për nëntë vjet nga shoqëria “Bashkimi”. Doçi me themelimin e shoqërisë “Bashkimi” në vitin 1899 dhe të ortografisë shqipe me germa latine, zë vend të merituar në literaturën shqiptare. Përveç librave të botuar prej kësaj shoqërie, kemi edhe Alfabetin që Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor të 1908 ës, që u miratua më pak ndryshime. Abati cilësohet edhe si mbrojtës dhe nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Mirditë e rrethina.

Vdekja e Abatit

Me 17 shkurt 1917 duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murrlanit, në oborr të Abacisë, abati ndjeu një dobësi! Rrëzohet !E ndien veten keq! E vizitojnë dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me ushtri. Diagnoza: bronkopolmoni e dobësim zemre! “I ka ditët e numëruara!”, thanë mjekët! Lajmërohet kleri e të afërmit. Abat Doçi kujtohet e thotë: dies annorum nostrorum septuaginta anni, (që jeta e një njeriu është normalisht shtatëdhjetë vjet, (Ps. 89.10)”, të cilat i kishte mbushur e kaluar. Thërret Dom Zef Skanen; ai e rrëfen, ia ndan kungimin dhe Sakramentin e vajimit të shenjtë. Kështu i bërë gati shpirtërisht, vdekja i arriti me 22 shkurt 1917, në orën 14.30.
Vdiq bariu i mirë, letrari, atdhetari, duke ia ndërtuar vetes monumentin me vepra të pavdekshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.