2010-02-20 14:34:11

Papa takon në Vatikan kryeministrin e Libanit, Saad Haririn. Bashkëjetesa e feve dëshmi e rëndësishme për paqen


(20.2.2010)"Shembulli i bashkëjetesës ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare që ka Libani, është një ‘mesazh’ për Rajonin e lindjes së mesme dhe për mbarë botën”. Kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI në fjalimin drejtuar kryeministrit të Libanit, Saad Hariri, të cilin e priti në audiencë sot paradite në Vatikan, “ në një takim të përzemërt”.
Pas takimit me Atin e Shenjtë Jozef Racinger, kryeministri i Libanit u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Bertone dhe sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet kryeipeshkvin imzot Mamberti.
“Gjatë bisedimeve u fol mbi situatën në Liban”, duke nënvizuar “nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje të drejtë e globale për konfliktet që po e mundojnë Rajonin e përmendur, po kështu u theksua rëndësia e dialogut ndërkulturor e të atij ndërfetar për të promovuar paqen e drejtësinë”. “Në këtë perspektivë - pohon deklarata e Selisë së Shenjtë - nuk ka munguar edhe përmendja e Asamblesë e ardhshme e Veçantë e Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme”. Së fundit, “u përkujtua rëndësia e pranisë dhe e veprimtarisë së besimtarëve të krishterë në Liban, dhe u shpreh vlerësimi i sinqertë për kontributin që Kisha Katolike ofron për të mirën e mbarë shoqërisë, në mënyrë të posaçme, përmes institucioneve edukative, shëndetësore e humanitare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.