2010-02-20 12:59:39

Atë Federiko Lombardit: Krezhmët e Papës Benedikt


Javës që kaloi, me të Mërkurën e Përhime filloi periudha e Krezhmëve, kohë e rëndësishme e vitit për të krishterët, kohë pendese e agjërimi, kohë kthimi në rrugën e Zotit. Kjo është edhe thirrja që bëri Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme. Por vetë Ati i Shenjtë si i përjeton Krezhmët? Të dëgjojmë komentin e zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Në shoqërinë e shekullarizuar, shumë njerëz nuk e dinë mirë se ç’do të thotë Krezhmë e si duhet jetuar ajo. Nëse duam një përgjigje të qartë e konkrete, mjafton të shohim se ç’bën Papa Benedikti.
Të dielën e kaluar shkoi në Strehën Vorfnore të Karitasit në Stacionin hekurudhor të Romës. U takua me të varfërit e qytetit, ku është ipeshkëv: u qëndroi atyre pranë, u shtrëngoi duart, i pa në sy me mallëngjim, pati për ta fjalë ngushëllimi e shprese. Bamirësi e dashuri konkrete.
Të hënën e të martën ishte me ipeshkvijtë e Irlandës. U lut e bëri me ta reflektime mbi gjendjen e Kishës në vendin e tyre, ku janë kryer shumë mëkate e shumë gabime dhe ku shkandulli për abuzimet seksuale nga ana e meshtarëve ka plagosur shumë njerëz dhe e ka poshtëruar thellësisht Kishën. Papa i këshilloi të kërkojnë mëshirën e Zotit e dhuratën e Shpirtit Shenjt për përtëritjen e Kishës. Kthim e pendesë.
Të mërkurën e të enjten, Papa kremtoi liturgjinë pendestare, duke u përhitur ai vetë e duke përhitur të tjerët. Më pas, u takua me meshtarët e dioqezës për të medituar një faqe të Shkrimit Shenjt. E bëri këtë me inteligjencën dhe urtinë e tij të thellë e të zakonshme, duke na ndihmuar të rigjejmë shijen – ndoshta të humbur – të dëgjimit të Fjalës së Zotit.
Lutje e dëgjim i Fjalës së Zotit, kthim e pendesë, vepra bamirëse. Siç thoshte Jezusi kur e pyesnin: Shko e bëj edhe ti kështu!”







All the contents on this site are copyrighted ©.