(19.02.2010 RV)Dënim i njëzëshëm i bashkësisë ndërkombëtare kundër puçit ushtarak
në Niger: Që dje, presidenti Mamadu Tangjja është burgosur në një kazermë jashtë kryeqytetit
Niamei. Ushtarakët kontrollojnë tashmë krejt vendin dhe i ashtuquajturi “Këshill i
Lartë për rivendosjen e demokracisë” ka dhënë urdhër të rihapen kufijtë e të ndalet
shtetrrethimi. Duket se gjendja është e qetë. Të dëgjojmë konsullin italian të
nderit për vendin afrikan, Paolo Xhilio, që na flet me telefon nga Niamei: Dihej
prej kohësh se gjendja politike ishte e nderë, megjithëse nuk mendohej se mund të
arrihej deri këtu. Por, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave,
kur të gjithë ministrat ishin rreth presidentit, ushtarakët morën pushtetin. Pse
u bë ky puç? Sepse vendi po bëhej i paqëndrueshëm e pastaj, sepse ndoshta ka
mbrapa interesa të rëndësishme: nafta, uraniumi, mineralet. Nigeri është një vend
me 1 milion e 200 mijë km katror, është vendi i fundit i botës në listën e Kombeve
të Bashkuara dhe është më i varfëri në botë. Popullsia jeton me më pak se një dollar
në ditë. Mendoj se për njerëzit, pavarësisht nga puçi, nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe.
Që nga viti 1974, ky është puçi i katërt, të themi “soft”, në kuptimin që nuk kemi
pasur ndonjëherë qindra të vdekur. Gjithsesi, Bashkimi Afrikan e dënoi ashpër këtë
puç. Si mund të ndihmojë bashkësia ndërkombëtare? Do të duhej të mbështetej
më shumë vendi në nivelin rural, që të gjithë të mësojnë shkrim e këndim, të mësojnë
se mund të fitojnë më shumë e pastaj, mund të mendojmë se gjërat do të ndryshojnë
edhe në kryet e shtetit. Në fund të vitit të kaluar, presidenti Tangjja, në
fuqi që prej 10 vjetësh, pati shkrirë parlamentin dhe Gjykatën Kushtetuese, pasi fitoi
zgjatjen e mandatit të tij edhe për tri vjet të tjera, në sajë të një referendumi
që solli Kushtetutë të re. Opozita pati bojkotuar konsultimin popullor, duke denoncuar
grusht shteti nga ana e Tangjjas. Edhe bashkësia ndërkombëtare e pati dënuar vendimin
e presidentit. Për të mësuar diçka më shumë për Nigerin, intervistuam gazetarin
e revistës së kombonianëve për Afrikën “Nigrizia”, Rafaelo Xordan: Nigeri,
ish-koloni franceze, është një nga vendet e shumta që, megjithëse ka një Kushtetutë
të vetën dhe është i pavarur, ka qenë gjithnjë peng i shfrytëzimit ekonomik nga jashtë
dhe i nënshtrimit nga pikëpamja institucionale. Për sa i përket politikës së brendshme,
nuk ka qenë kurrë në gjendje të zgjedhë një grup drejtuesish të aftë për të qeverisur
vendin, që t’u siguronin të gjithëve një jetë dinjitoze. Nigeri, sot, ka shumë vështirësi
ekonomike: njerëzit jetojnë në varfëri të skajshme, megjithëse ka mundësi zhvillimi.
Përmes lëndëve të para – sidomos përmes uraniumit – Nigeri mund të stabilizohet ekonomikisht. Cili
është roli i bashkësisë ndërkombëtare? Bashkësia ndërkombëtare e ka vështirë
të hyjë në mesin e këtyre gjërave. Të kemi parasysh se në Republikën Demokratike të
Kongos është një kontingjent i madh i OKB-së, që po përpiqet të kontrollojë, edhe
aty, një gjendje mjaft të ndërlikuar, megjithëse procesi i demokratizimit ka filluar
që në vitin 2004 e zgjedhjet janë bërë në vitin 2006. Bashkësia ndërkombëtare po ndërhyn
në situata të tjera e Nigeri është lënë pak mënjanë. Por, një pjesë e lojës luhet
brenda, pra me grupin politik drejtues, e jo aq e jo vetëm me një ndërhyrje nga jashtë,
që mund ta zgjidhë aty për aty situatën, por pastaj duhet ecur përpara.