2010-02-19 17:38:03

Benedikti XVI kryesoi Koncistorin për shenjtërimin e gjashtë të Lumëve.


(19.02.2010 RV)Katër Shenjtorë e Shenjtore bashkëkohorë, nga tre kontinete, të gjithë të lindur në gjysmën e shekullit të 19-të; ndërsa dy të tjerë, ndërmjet viteve 1400 e 1500. I përkasin këtyre dy epokave gjashtë të Lumët, sot në qendër të vëmendjes në Koncistorin e zakonshëm publik, kryesuar në sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik në Vatikan, nga Papa Benedikti XVI, i cili vendosi që Kremtimi për shenjtërimin e tyre të mbahet të dielën, më 17 tetor 2010.

Të përshkosh etapat e jetës së një Shenjtoreje ose të një Shenjtori, është njëlloj si të përshkosh ngjarjet më pozitive të periudhës historike, kur këta njerëz i shërbyen Kishës, duke ndikuar fuqimisht edhe mbi zhvillimin e shoqërisë së kohës së tyre. Kjo ndodhi sot paradite, në Vatikan, kur Benedikti XVI hapi e kryesoi, përmes kremtimit solemn të Orës së Gjashtë, Koncistorin për miratimin e gjashtë Çështjeve, që kanë të bëjnë me shenjtërimin e gjashtë të Lumëve.

T’i njohim nga afër, duke nisur nga Maria e Kryqit Mëklop (1842-1909) e cila, më 17 tetorin e ardhshëm, do të bëhet e para Shenjtore australiane. U lind në gjysmën e shekullit të 19-të, në Melburn. Australia e asaj kohe ishte një grumbull kolonish, me jetë të varfër e primitive. E varfër ishte edhe familja e vajzës, së cilës, megjithëse tejet e tërhequr nga jeta rregulltare, iu desh të hiqte dorë prej kësaj dëshire, për të mbajtur familjen. 18 vjeçe e gjejmë duke dhënë mësim në një qytet të vogël të jugut. Me famullitarin, Atë Uds, themelon shkollat e para katolike, në të cilat jepej mësim falas, duke luftuar, kështu, konkretisht, kundër plagës së analfabetizmit. Shumë shpejt me të u bashkua një grup mësuesesh, të gatshme të jepnin mësim pa pagesë. Ato u bënë bërthama e Kongregatës së Motrave të Shën Jozefit të Zemrës së Krishtit, të cilat më pas u njohën me emrin Jozefinet. Nga Nëna Meri, siç nisi të thirrej Shenjtorja e ardhshme, të gjithë mësuan t’i shkollonin fëmijët, t’i ndihmonin familjet e tyre e të bëheshin familje për të burgosurit, me të cilët nuk merrej askush. E Nëna Meri nuk kishte frikë të hynte e vetme në qelitë e dënuarve me vdekje, për të fashitur në zemrën e tyre instinktet e frikës e të urrejtjes, në orën e fundme, duke i ngushëlluar me fjalë të qëlluara e duke i dëgjuar me dashuri motre, ashtu si nuk kishte bërë askush, para saj. Në vend të njohjes së meritave, u shpërblye me shpifje. U akuzua për veprimtari armiqësore, sepse nuk pranonte t’u jepte para autoriteteve. Për fat të keq, thashethemet peshuan shumë më rëndë se vepra e dashurisë së krishterë e, në vitin 1871, ipeshkvi i Adelaides e shkishëroi, atë e motrat e saj, duke i dëbuar Jozefinet nga qyteti, për t’i kërkuar, më pas, me shumë përvujtëri, ndjesë për këtë veprim, si dhe rikthimin në qytet. Në këtë kohë Nënë Meri inkurajohet drejtpërdrejt nga Papa Piu IX, gjë që e lehtëson njohjen kanonike të Institutit të saj, të cilin e drejton, si Eprorja e parë, deri në vdekje.

I Lumi Andre Beset (1845-1937), kanadez nga Monreali, është vetëm tri vjet më i ri se Motra Meri. Jetim që në moshën 12 vjeçe, më pas emigrant në SHBA, mësohet ta nderojë në mënyrë të posaçme Shën Jozefin. Pasi rikthehet në qytetin e lindjes, hyn si rregulltar në Kongregatën e Shenjtes Krygjë e i besohet detyra e portierit të Kolegjit të Zojës së Bekuar, detyrë që do të vijonte ta kryente për 40 vjet me radhë. Do të kryente dhe detyra të tjera, si ajo e infermierit, e berberit, e kopshtarit, por mbi të gjitha, detyrën e njeriut të Zotit. Devocioni për Shën Jozefin e ndihmoi të nxjerrë hirin e shërimeve të jashtëzakonshme e qelia e tij u bë cak i përhershëm shtegtimesh, ku kërkonin ndihmë njerëz nga më të ndryshmit. I konsideruar si i sëmurë, që kur ishte dëshirtar, vëllau Andre vdiq në moshën 91 vjeçe, në vitin 1937. Ishte bërë aq i njohur e i nderuar, sa dita e vdekjes së tij u shpall ditë zije në të gjithë Kanadanë.

 
Bashkëmoshtare e Andre Beset është spanjollja Gjovana Jozefa Cipitria i Barriola (1845-1912). Gjysëm analfabete, shumë shpejt do të bëhej e njohur për devocionin e saj të posaçëm ndaj Eukaristisë e Zojës së Bekuar. Fryt i kësaj bote të rrallë shpirtërore, do të ishte dashuria e jashtëzakonshme për të varfërit, me të cilët ndante bukën, veshjen, e edhe një pjesë të mirë të rrogës. Në këtë jetë plot gjallëri, nuk mund të mos i lindte ideja për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit e të varfërve: nisi, kështu, që në vitin 1869, punën për themelimin e Kongregatës së Bijave të Jezusit. Mori emrin Kandida Maria e u vu në krye të Institutit, që lindi në Salamankë, në vitin 1871. Simotrat e saj iu kushtuan, së bashku me të, edukimit e shkollimit të fëmijëve. E Kandida Maria, pavarësisht nga kufizimet e saj intelektuale, u bë shpirti i veprës e priu me besim të patundur në Provaninë Hyjnore, e cila ia dëgjoi gjithnjë lutjet.

Po në gjysmën e 1800-tës, në Kazoria, pranë Napolit, lindi Julia Salxano (1846-1929). E rritur në jetimore, u bë mësuese në një shkollë fillore, ku nuk u kujdes vetëm për mësimin e fëmijëve, por edhe për edukimin e tyre shpirtëror. Ndërsa jepte mësim, organizoi laboratore të qepjes, në të cilat përgatiteshin sendet e nevojshme për kishat e varfëra. E aq i madh ishte përkushtimi i saj, sa të meritonte lavdërime jo vetëm nga autoritetet kishtare, por edhe nga ato civile. Bëri kushtet e përjetshme në vitin 1905. Pak më përpara ishte themeluar Kongregata e Motrave Katekiste të Zemrës së Krishtit. Shenjtorja e ardhshme ishte katekiste e frymëzuar e plot dashuri për të gjithë njerëzit, dashuri që buronte nga adhurimi i Zemrës së Krishtit.

Kamila Batista Varano (1458-1524) qe bijë e princit Jul Qesari nga Varano, sundimtar i Kamerinos. U rrit në një pallat, ndërmjet dëfrimeve, që ia mundësonte rangu i lartë i familjes. E pra, në këtë atmosferë të zbrazët, plot me kotësira, u ndez shkëndija, që e shtyu të kërkojë një jetë të thellë shpirtërore. Kur ishte ende 8-9 vjeçe, siç tregon vetë në një autobiografi, bëri një kusht, pasi dëgjoi predikimet e françeskanit Domeniko nga Leonesa. Kushti ishte të derdhte një lot çdo të premte, në kujtim të Mundimeve të Krishtit. Nuk arriti ta mbajë gjithnjë këtë premtim, për shkak të atmosferës që e rrethonte, së cilës nuk i pëlqenin lotët. Atëherë ajo vendosi të zgjidhte kuvendin, pavarësisht nga kundërshtimet e të jatit. Dëshira e saj triumfoi e ajo veshi zhgunin françeskan në kuvendin e Shën Kjarës, në Urbino, duke marrë emrin motër Batista. Pasojnë vite të tëra misticizmi; Mundimet e Krishtit vijojnë të jenë në qendër të jetës së saj. Ngjarjet e hidhura, që ia trondisin familjen, e detyrojnë të ikë, por pastaj rikthehet në Kamerino, ku vijon të jetojë, si abateshë, deri në vdekje, duke u bërë pikëmbështetje për të gjithë, përfshirë edhe autoritetet civile e fetare.

 
Tetë vjet pas vdekjes së motër Batistës, lindi në Poloni Stanislao Kazhimirçik (1433-1489). Bir i një këshilltari bashkijak e i një nëne shtëpijake, Stanislao studioi në famullinë e ngritur nga Kanonikët rregulltarë Lateranensë. Ky takim qe vendimtar për jetën e tij. Në moshën 23 vjeçe hyri në këtë Urdhër, ku u thellua me kujdes e dashuri në studimin e Biblës. Ishte njeri praktik, me ndjenjë të lartë përgjegjësie, mësues i madh i shpirtit, tejet i nderuar nga bashkëvëllezërit. Me fjalën e tij e me jetën e tij shembullore rregulltare, iu kundërvu erërave të para të humanizmit, rrymë e re mendimi, që ia mbyllte portat lartimit të shpirtit njerëzor drejt Zotit. Vdiq në moshën 56 vjeçare. Në ditët e salikimeve të tij, siç dëshmojnë dokumentet, ndodhën shumë mrekulli.







All the contents on this site are copyrighted ©.