2010-02-19 18:53:12

Ashtu si Krishti, meshtari duhet ta ketë zemrën të rrënjosur në Zotin: takimi i Papës me priftat famullitarë të dioqezës së Romës.


Të jetosh në bashkim me Krishtin, duke iu përgjigjur plotësisht vullnetit të Zotit për të dashur të afërmin pa asnjë kusht: është ky një nga meditimet e shumta, që burojnë prej Lectio divina, mbajtur të enjten e kaluar nga Papa, në takimin me priftat famullitarë të dioqezës së tij të Romës, mbledhur në Vatikan, për takimin e tyre tradicional të Kohës së Krezhmëve.
Në Lectio divina, Papa u përqëndrua kryesisht tek Letra drejtuar Hebrenjve e, duke u mbështeur tek ajo, theksoi pasojat praktike të meshtarisë mbretërore të Krishtit mbi jetën e çdo meshtari. Ishte një ngjarje vërtetë e ngarkuar me pika reflektimi, tek të cilat po rikthehemi përsëri sot.
Për të qenë vërtetë njeri i Zotit, meshtari duhet ta njohë Hyjin nga afër, duhet të jetojë në bashkim me Krishtin. Prandaj Benedikti XVI i ftoi të gjithë meshtarët të jenë ndërmjetës, ta çojnë njeriun tek Zoti, t’i prijnë drejt shëlbimit. Por – kujtoi Ati i Shenjtë – për ta bërë këtë, duhet ta lëmë Zotin të na marrë për dore. E kështu, dorë për dorë, të hyjmë në misterin e tij të dashurisë:
“Qenia jonë, jeta jonë, zemra jonë, duhet të ngulen në Zotin deri në atë pikë, sa të mos mund të shkulen më; realizohet, kështu, e forcohet ditë për ditë, edhe me lutje të shkurtëra, rilidhja me Zotin e ne bëhemi njerëz të Zotit, që jetojnë me Hyjin, që mund t’i flasin Hyjit, që udhëhiqen nga Hyji”.
Meshtari, ashtu si Krishti – tha Papa - është i thirrur të hyjë në thelb të mjerimit njerëzor, të marrë mbi vete vuajtjet e njerëzve, që i janë besuar. E më pas vuri theksin tek humanizmi i vërtetë i Krishtit:
“Sigurisht zemra e Tij është gjithnjë e ngulur në Zotin, shikon vetëm Zotin, është përherë në bisedë intime me Zotin, por njëkohësisht mbart mbi vete gjithë qenien njerëzore; gjithë vuajtja njerëzore hyn në mundimet e Tij, në sa u flet njerëzve e shikon se janë tejet të vegjël e të mjerë, si grìgjë pa bari”.
Këtë vuajtje – shtoi Papa – e shikojmë në lotët e Krishtit, në ankthin e Gjetsemanit, në britmëm më rrëqethëse, që dëgjoi ndonjë herë bota, Atë të Zotit, që vdiste mbi Kryq. Gjithë kjo vuajtje – vijoi Ati i Shenjtë – nuk është thjeshtë pjesë e misionit të tij. Në të vërtetë pikërisht kështu Krishti flijon vetveten, bën punën e meshtarit:
Themi me të drejtë se Jezusi nuk i dhuroi Hyjit ndonjë send, por i dhuroi vetveten, e ky dhurim i vetvetes realizohet pikërisht përmes dhembshurisë, e cila shndërrohet në lutjen e në britmën e vuajtjes së mbarë botës, drejtuar Atit”.
Në këtë kuptim - vijoi Papa – gjithë dhimbja jonë e gjithë vuajtja e kësaj bote, aq e largët nga Zoti, është gjest meshtarak, është dhurim. Më pas Ati i Shenjtë vuri theksin tek përkimi i plotë me vullnetin e Hyjit. Një bindje, që përfaqëson të vërtetën mbi qenien e meshtarit e që është liri e vërtetë:
“Jezusi, duke e mbartur njeriun, qenien njeri, në vetvete e me vetveten, në përkim me Hyjin, domethënë, në bindjen e përkryer e, prej këndej, në njëjtësimin e dy vullneteve, na shpërbleu e shpërblimi është gjithnjë proces, përmes të cilit vullneti njerëzor udhëhiqet drejt bashkimit me vullnetin hyjnor”.
Në Lectio-n e tij, Papa reflektoi edhe për figurën meshtarake të Melkisedekut. Me të - vërejti – pagani hyn në Besëlidhjen e Vjetër, pra, në rrugën drejt Krishtit:
“Kjo do të thotë se Krishti është risi absolute e Hyjit, e në të njëjtën kohë, i pranishëm në gjithë historinë dhe, përmes historisë, me Jezusin takohet jo vetëm historia e popullit të zgjedhur, në të cilën zbulohet misteri i Krishtit, por ky mister përgatitet edhe nga paganizmi, nëpër të cilin përshkohen rrugët drejt Krishtit, që mbart mbi vetvete gjithçka”.







All the contents on this site are copyrighted ©.