2010-02-18 18:22:25

Çelësi i fjalëve të Kishës: të zgjedhësh ndërmjet ditës e natës


(18.02.2010 RV)Jo më larg se dje, filloi periudha më e rëndësishme e vitit për të krishterët, ajo e Krezhmëve. Papa Benedikti XVI, në audiencën e përgjithshme, foli për kthimin e vërtetë në rrugën e Zotit. Gjatë gjithë vitit, por kurrë më shumë se gjatë Krezhmëve, del në pah qartë mundësia e të krishterëve për të zgjedhur ndërmjet ditës e natës së shpirtit. Në vend të një fjale, sot, në meditimin tonë, ju propozojmë një tekst, marrë nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, një kryevepër teologjike. Ja ç’thotë Apostulli i Popujve:
“Tashmë është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tash shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në flligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë. Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot e kujdes për trupin, mos i kënaqni prirjet e ulta” (13,11-14).
Në këtë pjesë, dominon një simbol, që është themelor në përvojën e jetës së përditshme: ky simbol është koha, në rrjedhën e saj nga nata në ditë. Fillimisht, errësira e natës, që bëhet shenjë e mëkatit dhe e së keqes. Apostulli e paraqet përmes një liste me gjashtë vese: orgji, zdërhallje, flligështi, shfreni, grindje e smirë. Ky është momenti i gjumit të shpirtit të mpirë, plot hije. Njeriu gati verbohet nga magjia e perversionit, e cila e tërheq në fundërrinat e së keqes ku mbretërojnë prirjet e ulta, që për Shën Palin janë fillesa e së keqes që vepron në ne e na çon drejt humnerës së mëkatit.
Por e dimë se nata zëvendësohet me ditën, gjumi i le vendin zgjimit, errësira pasohet nga drita. Ja atëherë, thirrja e Apostullit, që i fton besimtarët të presin dhe të zbulojnë në horizont tehun e ndritshëm të agimit, që shqyen errësirën.
Për të përshkruar “zgjimin” e krishterë (që në greqisht është “egheirein”, fjalë e përdorur në Besëlidhjen e Re për ringjalljen), Shën Pali krijon një simbol tjetër, atë të veshjes. Duhet pra, të zhvishemi nga veprat e errësirës e të vishemi me “armët e dritës”, të cilat – siç do të shpjegojë vetë Apostulli në Letrën drejtuar Efesianëve 6,14-17 – janë rrypi i së vërtetës, mburoja e drejtësisë, zelli i kumtimit të Ungjillit, shqyti i fesë, përkrenarja e shëlbimit, shpata e Fjalës së Zotit. Madje, shën Pali shkon edhe më tej me një imazh të guximshëm. Veshja e re, thotë ai, është vetë Krishti, në mënyrë që ne të modelohemi krejtësisht sipas Tij.
Prandaj, “dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta – vendosuni të bëni çka i pëlqen Hyjit! Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës…Prandaj thotë: “Zgjohu ti që fle, ngrihu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!””(Ef 5,8-11,14). Me këtë këshillë të Shën Palit, të marrim rrugën e përpjetë të Krezhmëve, duke mbajtur lart flamurin e dritës së brendshme e duke lënë pas natën e errët.
Në këtë rrugë, të kujtojmë atë që thoshte Shën Gjon Gojarti:
“Mban krezhmë? – tregoje me vepra:
Nëse sheh të varfër, ta ndihmosh, nëse sheh armik të pajtohesh me të, nëse sheh mik të përparojë, të mos kesh smirë, nëse sheh grua të bukur në rrugë ta parakalosh.
Domethënë, të mos mbajë krezhmë vetëm goja, por edhe sytë, duart, këmbët dhe të gjitha pjesët e trupit tonë. Të mbajnë krezhmë duart, duke mbetur të pastra nga vjedhja dhe përvetësimi. Të mbajnë krezhmë këmbët, duke e shmangur rrugën që çon në pamje mëkatare. Të mbajnë krezhmë sytë, duke mos u ngjitur në fytyra të bukura dhe të mos lakmojnë fytyra të bukura e të huaja.
Nuk ha mish? Nuk duhet të hanë as sytë, as dëgjimi yt. Të mbajë krezhmë dëgjimi do të thotë të mos pranojmë fjalë të këqija dhe djallëzi. Të mbajë krezhmë edhe goja nga fjalët e trupshme dhe sharjet, sepse cili është përfitimi kur nga njëra anë shmangemi të hamë pula dhe peshk dhe nga ana tjetër, hamë dhe kafshojmë vëllezërit tanë. Ai që akuzon dhe shan është sikur kafshon mishin e të afërmit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.