UNESCO-ja paraqet Vitin Ndërkombëtar për afrimin e kulturave.
(18.02.2010 RV)U paraqit sot zyrtarisht pranë UNESCO-s në Paris Viti Ndërkombëtar
për afrimin e kulturave, caktuar nga Kombet e Bashkuara si ngjarje kulmore e Dhjetëvjeçarit
për kulturën e paqës (2001-2010) me synim nxjerrjen në pah të rolit parësor të njohjes
dhe mirëkuptimit të ndërsjellë për harmoninë ndërmjet kombeve. Synimi kryesor i
këtij Viti Ndërkombëtar do të jetë vënia në dukje e efekteve pozitive të kulturave
të ndryshme duke e njohur dhe pranuar nevojën e shkëmbimeve të vazhdueshme ndërmjet
kulturave dhe fijet e endura që në agimin e njerëzimit. Ndër tjera, UNESCO-ja nënvizon
sesi kulturat nuk përfshijnë vetëm artin dhe letërsinë, por edhe stilet e jetës, mënyrat
e bashkëjetesës, sistemet e vlerave, traditave dhe besimeve. Pikërisht promovimi i
shumëllojshmërisë së këtyre do të thotë të pranosh sfida të reja në nivel vendor,
kombëtar dhe ndërkombëtar. Bëhet fjalë veçanërisht për integrimin e parimeve të dialogut
dhe të njohjes së ndërsjellë në politikat e arsimimit, të shkencës, të kulturës dhe
të komunikimit, me shpresën se kështu do të ndreqen gabimet në paraqitje, në vlera
dhe në stereotipet e gabuara. Po sot nisi nga puna edhe grupi i i nivelit të lartë
për paqën dhe dialogun ndërmjet kulturave, themeluar nga drejtoresha e përgjithshme
e UNESCO-së Irina Bokova. Ky organizëm ka si detyrë të nisë një reflektim mbi përmasat
e reja të fjalës “paqe”, në dritën e sfidave të reja që paraqesin globalizimi, krizat
e shumta dhe dyndjet e emigrantëve duke u ndalur veçanërisht tek roli i arsimimit
dhe i parandalimit të konflikteve.