Nis sot Koha e Krezhmëve: periudhë lutjeje, agjërimi, pendese
(17.2.2010 RV)Koha e Krezhmëve është peridha më në shenjë e më e shgurueshme
e viti kishtar. Përfshin 40 ditët, që u paraprijnë Pashkëve. Zë fill me të Mërkurën
e Përhime e mbyllet me Meshën e mesnatës të së Shtunës së Madhe. Ndahet në dy periudha:
katër të dielat, që në liturgji njihen me emrin ‘të Dielat e Krezhmëve’ dhe dy javët
e fundit, “Koha e Mundimeve”, në të cilën vendin kryesor e zë Java e Madhe. Krezhmët
janë Kohë përgatitjeje: na përcjellin shpirtërisht drejt mistereve të mëdha të Pashkëve,
na përgatisin të marrim pjesë e të gëzojmë frytet e Mundimeve, të Vdekjes e posaçe,
të Ngjalljes së Krishtit. Me Krishtin e ngjallur, ngadhënjyes mbi mëkatin e mbi mbretërinë
e errësirës, edhe ne duhet të ngjallemi për një jetë të re, plot hir e dashuri, plot
virtyte e vepra të mira. Ky është edhe qëllimi kryesor i këtyre ditëve të shenjta. Tri
janë veçoritë, që e dallojnë këtë kohë: pendesa, pastërtia e lutja. Pendesa është
tema kryesore e Liturgjisë së Krezhmëve. Pendesë bëri Krishti, i cili agjëroi 40 ditë
në shkretëtirë, para se të fillonte jetën e vet publike; pendesë bënë Apostujt, pendesë
bënë Shenjtorët. Natyrisht, ky shpirt pendese, shprehje e arsyeshme pendimi për fyerjet,
që i kemi bërë Zotit, shenjë përvujtërie e nënshtrimi, dëshmi qortimi e siguri mëshire,
ka vijuar, përherë i pazbehur, deri në ditët tona. Fryma e pendesës ka lënë gjurmë
të pashlyeshme në Liturgjinë e Krezhmëve, gjë që gjen shprehjen e vet në kremtimet,
në agjërimin, intonimin e lutjeve, ngjyrat e veshjeve liturgjike, sjelljet fetare
me karakter pendese. Është e vërtetë se sot, duke parë nevojat e krishtërimit e sidomos
rrethanat e kohëve moderne, Kisha, në përgjithësi, i çliroi besimtarët e vet nga pendesat
trupore; por kjo nuk do të thotë se i krishteri duhet të heqë dorë nga pendesa e Krezhmëve.
Pendesa duhet shndërruar, por nuk duhet harruar, sepse pendesa, pas mëkatit, është
e vetmja rrugë e shëlbimit. E kush prej nesh mund të pohojë para Zotit se është i
pafaj? “Ai që thotë se nuk është mëkatar – pohon Apostulli i Popujve – gënjen vetveten!”. Pastërtia
e jetës Në këtë kohë, më shumë se kurrë, Kisha kërkon prej nesh t’u largohemi
mëkateve, të jetojmë krishtërisht e të ushtrohemi në virtyte. Krezhmët janë kohë shenjte.
Kërkojnë nga ne t’i ngjajmë katekumenëve të shekujve të parë të krishterimit, të cilët
gjatë kësaj kohe, përgatiteshin me mësime të fesë, ushtroheshin në virtyte e vepra
të mira, rriteshin në dashuri. Vetëm kështu meritonin të quheshin të denjë për të
marrë Pagëzimin, të Shtunën e Madhe. Kujtimi i Pagëzimit na bën thirrje edhe ne
për një jetë të re. Besnikëria ndaj premtimeve, që kemi bërë një herë, në agim të
jetës sonë, por që mjerisht shpesh i kemi harruar, gjatë Krezhmëve na detyron t’ia
mohojmë vetvetes kënaqësitë e çrregullta, t’i frenojmë epshet, t’i drejtojmë prirjet
tona sipas Ligjit të Zotit e t’u largohemi të gjitha rasteve, që na shtyjnë drejt
mëkatit. Kështu e vetëm kështu, pas një rrëfimi të mirë Pashkësh, mund t’i përsërisim
seriozisht premtimet e Pagëzimit të Shtunën e Madhe dhe të rifillojmë një jetë të
përtërirë në Krishtin e ngjallur, duke brohoritur me gjithë shpirt: “Aleluja!”. Po
për t’u ngjallur me Krishtin, duhet të vdesësh për mëkatin. Lutja është
mjeti i domosdoshëm për shëlbim. Duhet lavdëruar e duhet ruajtur tradita e familjeve
shqiptare, që gjatë Krezhmëve e kanë doke të thonë çdo mbrëmje së bashku Rruzaren;
të luten, në vatrën familjare, për të gjallë e për të vdekur, për bamirës e për armiq. Kisha,
posaçërisht këto ditë, na grish të marrim pjesë sa më shpesh në Meshën Shenjte, t’i
kujtojmë mësimet e Krishtit, t’i mësojmë të vegjëlit në uratë e në doktrinë. Duke
bërë tonat fjalët e Enciklikës së Papës Piu XII “Mediator Dei”, mund të përfundojmë:
“Ndër ditë të Krezhmëve, Kisha, Nëna jonë, bën çmos që secili nga ne ta njohë
ligështinë e mjerimin e vet, të nxitet me kujdes t’i përmirësojë doket e të mohojë
mëkatet, duke i shlyer përmes lutjeve e pendesës, mbasi vetëm lutja e vazhdueshme
dhe pendesa për mëkatat e bëra, na nxjerrin ndihmën hyjnore, pa të cilën çdo vepër
e jona është e kotë dhe e pafryt”.