2010-02-17 16:03:28

Kosova feston sot dyvjetorin e Pavarësisë


(17.2.2010 RV)Sot në mbarë Kosovën, në Prishtinë e në qytete të tjera të Vendit, u kremtua dyvjetori i pavarësisë. Gjithkund ndjehet një atmosferë festive.
Në dyvjetorin e shpalljes se pavarësisë ne vend, krerët e institucioneve të Kosovës, që morën pjesë në një mbledhje solemne të mbajtur në Kuvendin e Prishtinës, thanë se gjatë dy vjetëve të funksionimit të shtetit është dëshmuar se Kosova e pavarur është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Sipas Presidentit Sejdiu në vitin e tretë të shtetësisë nevojitet angazhimi gjithëpërfshirës për integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në strukturat euroatlantike.
Në dyvjetorin e Pavarësisë së Vendit, President i Republikës Fatmir Sejdiu bëri homazhe te varri i arkitektit, ideologut të pavarësisë, Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Presidenti Sejdiu tha se Ibrahim Rugova udhëhoqi procese të mëdha dhe me këtë ai edhe u dëshmua si një ndër personalitet më të fuqishme të botës shqiptare. Ibrahim Rugova është nga personalitetet më të fuqishme që pati bota shqiptare në fundshekullin e kaluar, që udhëhoqi proceset e mëdha për lirinë dhe realizimin e pavarësisë.
Presidenti Sejdiu vlerësoi se dy vjet pas shpallje së pavarësisë, Republika e Kosovës është njohur nga 65 vende dhe është anëtarësuar në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, siç Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Gjithashtu, ai tha se janë hapur 21 ambasada dhe 10 misione konsullore në vendet që e kanë njohur Kosovën. Në këtë proces shumë të rëndësishëm, Kosova ka pasur përkrahjen e plotë të vendeve mike, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë pranë për forcimin e institucioneve demokratike në vend, si dhe për shpejtimin e integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike, tha Sejdiu
E në dyvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në mikrofonin e Radio Vatikani flet ambasadori i Kosovës pranë Shtetit të Italisë, zoti Albert Prenkaj, ta dëgjojmë…RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.