2010-02-17 18:11:30

Benedikti XVI në audiencën e së Mërkurës së Përhime: pendesë do të thotë të shkosh kundër rrymës e të shndërrohesh nga dashuria e Krishtit.


(17.02.2010 RV)Periudha krezhmore duhet të jetë rast i përshtatshëm për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për të shkuar kundër rrymës: kjo është porosia, që u dha Benedikti XVI besimtarëve, mbledhur në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithshme të së Mërkurës së Përhime. Papa nënvizoi se në këtë periudhë të fortë të vitit kishtar, i krishteri është i thirrur të lutet e të pendohet me gjithë zemër, duke u shndërruar, kështu, nga misteri i Pashkëve të Krishtit.

“Pendohuni e besojini Ungjillit! Në fillim të rrugës krezhmore, Benedikti XVI i ftoi besimtarët ta kuptojnë të renë e jashtëzakonshme, që buron nga thirrja për pendesë. Kjo thirrje – nënvizoi Papa – nxjerr në shesh dhe denoncon cektësinë, që karakterizon tepër shpesh mënyrën tonë të jetesës. Papa vërejti se të pendohesh do të thotë të ndërrosh rrugën e jetës. Jo duke bërë ndreqje të vogla, por kthesë të madhe, për të hyrë në një rrugë të re:
“Të bësh kthesë, do të thotë të shkosh kundër rrymës, atje ku rryma dhe stili i jetës sipërfaqësore, jokoherente, të gënjshtërt, na heq zvarrë, na sundon e na bën skllevër të së keqes ose të burgosur të mediokritetit moral. Ndërsa, kur bëjmë kthesë, kur pendohemi, synojmë majat e jetës së krishterë, ia besojmë veten Ungjillit të gjallë e personal, që është Krishti Jezus”.
Pra mund të themi se Krishti është caku i fundit e kuptimi më i thellë i kthesës shpirtërore. Është Ai rruga, në të cilën të gjithë janë të thirrur të ecin në jetë, të ndriçuar nga drita e tij. Në këtë mënyrë – vërejti Papa – kthimi në rrugën e Zotit tregon fytyrën më të shkëlqyer e më mahnitëse:
“Nuk është vendim i thjeshtë moral, që korrigjon sjelljen tonë në jetë, por zgjedhje e rrugës së fesë, që na tërheq plotësisht në bashkimin e thellë me njeriun e gjallë e konkret, Jezusin. Të bësh kthesë e t’i besosh Ungjillit, nuk janë dy gjëra të ndryshme, që i ngjajnë në një farë mënyre njëra-tjetrës, por e njëjta gjë, shprehin të njëjtin realitet”.
Pendesa, kthimi në rrugën e Zotit, është pohimi i plotë i atij, që e lëshon plotësisht jetën e vet në dorë të HYjit, duke iu përgjigjur lirisht thirrjes së Krishtit, që ia dhuron i pari njeriut veteveten si rrugë, e vërtetë, jetë, si i vetmi që mund ta çlirojë e ta shpëtojë. Veç të tjerash – kujtoi Papa – thirrja për të bërë kthesë, për t’i besuar Ungjillit, nuk ndjehet vetëm në fillim të jetës së krishterë, por na shoqëron hap pas hapi. Çdo ditë – pohoi Ati i Shenjtë – është çast i përshtatshëm, çast hiri, sepse çdo ditë na nxit t’ia dorëzojmë vetveten Jezusit e të kemi besim të plotë në Të, të mbetemi në Të, duke jetuar siç jetoi Ai e duke mësuar prej tij dashurinë e vërtetë:
“Çdo ditë, edhe kur nuk mungojnë vështirësitë e mundimet, kapitjet e rrëzimet, edhe kur tundohemi ta braktisim rrugën pas Krishtit e të mbyllemi në vetvete, në egoizimin tonë, pa menduar fare sa nevojë kemi për t’ia hapur zemrën dashurisë së Zotit në Krishtin, për të jetuar logjikën e tij të dretjësisë e të dashurisë”.
Falë dashurisë së Krishtit – reflektoi Papa – nuk mund të hyjmë në një drejtësi më të madhe, se ajo e dashurisë.
Më pas Benedikti XVI u ndal tek formula e cila, gjatë përhimjes, na kujton se jemi pluhur e në pluhur do të kthehemi. Këtu – ripohoi Ati i Shenjtë – Fjala e Zotit na kujton brishtësinë tonë njerëzore, madje vetë vdekjen tonë, që është forma e fundme e kësaj jete, tejet të shkurtë e të përkohshme:
Përballë frikës së vdekjes, lindur bashkë me ne, e aq më shumë në rrethanat e një kulture, e cila përdor të gjitha mjetet, që njeriu ta harrojë se do të vdesë një ditë, liturgjia krezhmore, nga njëra anë na e kujton vdekjen, duke na ftuar të jemi realistë e të urtë; por nga ana tjetër, na nxit sidomos ta kuptojmë e ta jetojmë të renë e papritur, që feja e krishterë e nxjerr nga realiteti i vetë vdekjes”.
Njeriu është pluhur – kujtoi Papa – e në pluhur do të kthehet, por nuk duhet harruar se nuk është pluhur dosido: është tejet i çmuar përpara syve të Zotit, sepse Zoti e krijoi njeriun, duke i dhuruar fatin e pavdekësisë, të amshimit. Edhe Jezusi – vërejti Ati i Shenjtë – e zgjodhi lirisht rrugën e mundimeve, sepse deshi ta provonte brishtësinë njerëzore, posaçërisht përmes vdekjes në Kryq:
Por pikërisht kjo vdekje, plot me dashurinë për Atin qiellor e për njerëzimin, ishte rruga e lavdishme, që të çonte në ringjallje, përmes së cilës Krishti u bë burim i hirit. E ky hir u dhurohet të gjithë atyre, që besojnë në Të e bëhen pjesëtar të vetë jetës së tij hyjnore”.
Kështu, pra, gjesti i vogël i përhimjes, na zbulon pasurinë e jashtëzakonshme të kuptimit të tij:
“Është ftesë për ta kaluar Kohën e Krezhmëve si kredhje më të vetëdijshme e më të thellë në misterin e Pashkëve të Krishtit, në vdekjen e në ngjalljen e tij, përmes pjesëmarrjes në Eukaristi e në jetën e dashurisë së krishterë, që lind nga Eukaristia e në të gjen realizimin e vet të plotë”.
Me përhimjen – theksoi Papa – ne përsërisim premtimin tonë për ta ndjekur hap pas hapi Jezusin, për t’u shndëruar nga misteri i Pashkëve të Tij, për të ngallënjyer mbi të keqen e për të bërë të mirën, për të ecur në një rrugë, në të cilën njeriu ynë i vjetër, i lidhur me mëkatin vdes e nis të jetojë njeriu i ri, i shndërruar nga hiri i Hyjit.
Në çastin e përshëndetjeve, Papa i ftoi të sëmurët t’i ofrojnë vuajtjet e tyre, së bashku me Krishtin, për pendimin e kthesën e madhe të të gjithë atyre, që janë ende larg nga Zoti. Më pas uroi që bashkëshortët e rinj ta ndërtojnë me guxim e bujari familjen e tyre mbi shkëmbin e fortë të dashurisë hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.