2010-02-16 17:32:21

Telegram i Benediktit XVI për Kishën maronite në fillim të vitit jubilar në Liban: përtërini besnikërinë ndaj Krishtit e ndaj Papës


(16.02.2010 RV)Kisha maronite hapi zyrtarisht të dielën e kaluar kremtimet jubilare për 1600 vjetorin e vdekjes së Shën Maronit, murgu sirian i shekullit të katërt, nga i cili merr emrin Kisha libaneze. Me këtë rast, Papa Benedikti XVI dërgoi një telegram, ku uron që viti jubilar, i cili filloi në mesin e Vitit Meshtarak, të jetë për klerin, rregulltarët e laikët, motiv për rinovimin e bashkimit me Krishtin, Bari i Mirë, në besnikërinë shumëshekullore ndaj Papës së Romës.
Telegrami u lexua nga prefekti i Kongregatës për Kishat e Lindjes, kardinal Leonardo Sandri, i cili kremtoi edhe Meshën e hapjes së jubileut. Kardinali e ftoi Kishën libaneze t’i japë më tepër rëndësi ekumenizmit dhe dialogut ndërfetar për të arritur paqen në Lindjen e Mesme. Të krishterët, vazhdoi prefekti i Kongregatës për Kishat e Lindjes, që janë quajtur me këtë emër pikërisht në Antioki, sëbashku me barinjtë e tyre, duhet ta ngulin vështrimin mbi Jezusin, thesari i tyre i vërtetë, për të rigjetur thelbin e fesë e për t’u bashkuar gjithnjë e më shumë. E kjo është – përfundoi kardinal Sandri – karizma e vërtetë e monakizmit: thjeshtësi e bashkim në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.