2010-02-16 17:32:10

Papa për Ditën Botërore të Thirrjeve: për të qenë dëshmitar i besueshëm, meshtari duhet të jetojë në miqësi me Krishtin


(16.02.2010 RV)Miqësia me Krishtin është elementi themelor në çdo thirrje për meshtari: kështu shkruan Papa në Mesazhin për Ditën e 47-të Botërore të lutjeve për thirrjet meshtarake, që kremtohet më 25 prill, e diela e “Bariut të Mirë”. Në dokumentin, që u bë i njohur sot, Benedikti XVI ndalet në temën e Ditës: “Dëshmia ngjall thirrjet” dhe thekson se meshtarët duhet të jenë “shenjë kundërshtie” në botën e sotme.
Numri i thirrjeve, sqaron Papa në Mesazh, varet së pari nga ndërhyrja e Zotit, por favorizohet edhe nga dëshmia personale e komunitare e atyre që i janë përgjigjur tashmë thirrjes së Hyjit. Kur ndjek Jezusin, duke i qëndruar besnik Ungjillit, çdo i shuguruar bëhet shenjë kundërshtie për botën, logjika e së cilës frymëzohet shpesh nga materializmi, egoizmi dhe individualizmi. Imitimi i Krishtit, identifikimi me Të, shkruan Ati i Shenjtë, është ideali i jetës së shuguruar e shembulli që japin meshtarët mund të zgjojë tek të tjerët dëshirën për t’iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së Zotit.
Lutja është dëshmia e parë që mund të japë meshtari. Së dyti, përkushtimi e dhurimi i vetvetes për Zotin, nga ku lind edhe përkushtimi për ata që ia beson Provania Hyjnore. Së treti, meshtari duhet të jetë njeri i bashkimit, t’i dëgjojë të gjithë e të jetë në gjendje ta mbajë të bashkuar grigjën që udhëheq, duke e ndihmuar të kapërcejë ndarjet, kontrastet e keqkuptimet, të falë fyerjet.
Edhe një herë, në Vitin Meshtarak, Papa vë në dukje se nëse të rinjtë shohin meshtarë të izoluar e të trishtuar, natyrisht që nuk e ndjekin shembullin e tyre. Është e rëndësishme, përfundon Benedikti XVI, që të shuguruarit ta tregojnë me jetë sa bukur e mirë është të jesh meshtar. Kjo ndodh kur ata i qëndrojnë besnikë thirrjes së tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.