2010-02-16 16:34:01

Papa ipeshkvijve irlandezë: abuzimi me të vegjlit është krim i urryer dhe mëkat kundër Zotit. Të rifitohet besueshmëria morale e Kishës


(16.2.2010 RV)Të përballohet me guxim e ndershmëri gjendja e dhimbshme e krijuar nga abuzimet me të vegjlit, nga ana e disa rregulltarëve dhe meshtarëve: kjo është këshilla që u dha Benedikti XVI ipeshkvijve irlandezë, të mbledhur dje e sot në Vatikan. Në përfundim të mbledhjes, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të njohur një komunikatë, në të cilën përsëritet gatishmëria e prelatëve për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse. Gjithashtu, paralajmërohet se gjatë Krezhmëve do të publikohet një Letër baritore e Papës për katolikët irlandezë.
Benedikti XVI u nënvizoi ipeshkvijve se abuzimet seksuale me të vegjlit nuk janë vetëm “krim i tmerrshëm”, por edhe “mëkat i rëndë, që fyen Zotin dhe plagos dinjitetin e njeriut, të krijuar sipas shembëlltyrës së Tij”. Duke pranuar se gjendja e dhimbshme aktuale nuk do të zgjidhet në kohë të shkurtra, Papa i këshilloi ipeshkvijtë t’i shohin problemet e së kaluarës me vendosmëri, të flasin me një zë të vetëm për të përcaktuar hapat konkrete, që mund t’u sjellin ngushëllim personave të abuzuar, të inkurajojnë përtëritjen e fesë në Krishtin e të punojnë për rifitimin e besueshmërisë morale e shpirtërore të Kishës.
Ati i Shenjtë, thuhet në komunikatën për shtyp, përmendi në përgjithësi krizën e fesë që ka përfshirë Kishën në Irlandë dhe e lidhi me mungesën e respektit për njeriun. Nga ana tjetër, ky fenomen është një nga faktorët që kontribuan në abuzimin seksual me të vegjlit. Prandaj, nënvizoi nevojën e reflektimit të thellë teologjik mbi krejt ngjarjen dhe uroi që t’i kushtohet shumë më tepër vëmendje përgatitjes baritore, shpirtërore dhe njerëzore të kandidatëve për meshtari e për jetën rregulltare.
Nga ana e tyre, ipeshkvijtë irlandezë pranuan se kjo situatë e dhimbshme ka sjellë një krizë besimi në krerët e Kishës së vendit dhe ka dëmtuar dëshminë ungjillore e mësimin e saj moral. Ata folën qartë për dhimbjen, urrejtjen, turpin e shkandullin e provuar nga viktimat e abuzimeve. Ipeshkvijtë përmendën masat e marra për sigurimin e fëmijëve dhe të rinjve dhe përsëritën se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet civile irlandeze për dënimin e fajtorëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.