Organizatat joqeveritare me fymëzim katolik diskutojnë në Romë mbi rolin e tyre.
(16.02.2010 RV)Ditët e fundit në Romë u mblodh Forumi i organizatave joqeveritare
me frymëzim katolik. Me qindra pjesëmarrësit nga e gjithë bota të cilët shtruan pyetjen
mbi domethënien e impenjimit shoqëror në nivel ndërkombëtar. Po, si ka ndryshuar roli
i organizatave joqeveritare me frymëzim katolik gjatë këtyre viteve të fundit? Në
mikrofonin e Radio Vatikanit flet koordinatori i Forumit, Johan Ketelers:
Përgjigje:
Mendoj se të gjitha organizatat joqeveritare me frymëzim katolik e kanë kuptuar
mirë, se sot problematikat janë shumë më të ndërlikuara nga sa kanë kujtuar fillimisht.
Tani kemi kuptuar se ka edhe më shumë, se ka një lidhje ndërmjet temave të ndryshme,
ndërmjet veprimtarive të ndryshme dhe se kemi nevojë të jemi të bashkuar. Pikërisht
vullneti për bashkëpunim është rezultati i këtij mendimi.
Pyetje: Në
këtë kuvend të organizavate joqeveritare me frymëzim katolik u tha se këto organizata
duhet të mësojnë të dalin me propozime dhe të jenë më të afta për të zhvilluar veprimtari
pozitive.
Përgjigje: Po, historikisht, organizatat joqeveritare me frymëzim
katolik e kanë filluar aktivitetin e tyre me qëllime bamirësie. Vetëm më vonë e kanë
kuptuar se ka shumë çështje të cilat duhet të zgjidhen në nivel politike, gjë që do
të thotë se duhet të bëjmë propozime të reja e konkrete dhe t’i bashkëndajmë përgjegjësitë
edhe me qeveritë e madje edhe me opinionin publik.
Pyetje: Kjo është
e rëndësishme edhe për të mposhtur atë lloj paragjykimi që nganjëherë është i pranishëm
në botën laike kundrejt organizatave joqeveritare që shpallin haptas se janë të frymëzuara
nga vlerat e krishtera, katolike...
Përgjigje: Veçoria jonë si organizatë
me frymëzim katolik është një avantazh i madh. Për ne është shumë i qartë shpirti
i përbashkët në gjithçka që bëjmë, sepse mesazhi ynë i krishterë i doktrinës shoqërore
të Kishës është një ndihmesë e madhe. Nuk është përparësi në nivelin teknik, por një
frymëzim i vazhdueshëm, dhe mendoj se në këtë pikë jemi një hap përpara të tjerëve.