2010-02-16 17:35:44

Mesazhi i Papës Benediktit XVI për Kreshmët 2010


Drejtësia e Hyjit u shfaq nëpërmjet besimit në Krishtin (shih Rm 3,21-22)


Të dashur vëllezër e motra,

Çdo vit, me rastin e Krezhmeve, Kisha na fton në një rishikim të sinqertë të jetës sonë nën dritën e mësimeve ungjillore. Këtë vit do të doja t’ju propozoja disa reflektime mbi temën e gjerë të drejtësisë, duke u nisur nga pohimi i shën Palit: Drejtësia e Hyjit u shfaq nëpërmjet besimit në Krishtin (shih Rm 3,21-22).


Drejtësia: “dare cuique suum”

Po ndalem në radhë të parë mbi domethënien e termit “drejtësi”, që në gjuhën e përbashkët nënkupton “t’i japësh secilit të tijnë - dare cuique suum”, sipas shprehje së njohur të Ulpianos, juristit romak të shekullit III. Por në realitet, një përkufizim i tillë klasik nuk përcakton me saktësi në çfarë qëndron ajo “i tiji” për t’ia siguruar secilit. Ajo për çfarë njeriu ka nevojë nuk mund t’i garantohet me ligj.
Për tu gëzuar për një egzistencë në plotësi, i duhet diçka shumë më e thellë që mund t’i jepet vetëm falas: do të mund të thonim se njeriu jeton me atë dashuri që vetëm Hyji mund t’ia komunikojë, përderisa e krijoi nën shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e vet. Janë sigurisht të dobishme dhe të nevojshme të mirat materiale – edhe vetë Jezusi është kujdesur për të shëruar të sëmurët, për të ngopur turmat që e ndiqnin e sigurisht dënon indiferencën që edhe sot detyron qindra e mijëra qënie njerëzore të vdesin për shkak të mungesës së ushqimit, të ujit dhe të ilaçeve, por drejtësia “shpërndarëse” nuk i jep qënies njerëzore gjithçka “të tijën” që i takon.
Më shumë se sa për bukë, ai në fakt ka nevojë për Hyjin. Shën Agustini nënvizon: nëse “drejtësia është virtyti që i shpërndan secilit “të tijnë”... nuk është drejtësi e njeriut ajo që e largon njeriun nga Hyji i vërtetë” (De civitate Dei, XIX, 21).

Nga vjen padrejtësia?

Ungjilltari Marku na sjell fjalët e mëposhtme të Jezusit, të cilat përfshihen në debatin e atëhershëm rreth asaj se çfarë është e pastër e çfarë nuk është e pastër: “Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta bëjë të papastër. Por janë gjërat që dalin prej njeriut ato që e bëjnë atë të papastër... Pra, ajo që del prej njeriut është ajo që e bën të papastër njeriun. Nga brenda në fakt, domethënë nga zemra e njerëzve, dalin mendimet e së keqes” (Mk 7,14-15.20-21).
Përtej çështjes së menjëhershme që i përket ushqimit, mund të dallojmë në reagimin e farisenjve një tundim të vazhdueshëm të njeriut: atë për të zbuluar origjinën e së keqes në një shkak të jashtëm. Shumë nga ideologjitë moderne, nëse e vërejmë me kujdes, kanë këtë parim: meqë padrejtësia vjen “nga jashtë”, për të bërë të mbretërojë drejtësia, është e mjaftueshme të zhduken shkaqet e jashtme që ndalojnë zbatimin e saj . Kjo mënyrë të menduari - paralajmëron Jezusi – është naive e miope. Padrejtësia, fryt i së keqes, nuk ka rrënjë vetëm të jashtme; ka origjinën në zemrën njerëzore, aty ku gjenden embrionet e një bashkëjetese misterioze me të keqen. E pranon në mënyrë të hidhur psalmisti: “Ja, në faj unë linda, në mëkat më ngjizi nëna ime” (Ps 51,7).
Po, njeriu është bërë i brishtë nga një forcë e thellë, që e bllokon në aftësinë për të hyrë në bashkim me tjetrin. I hapur si natyrë ndaj rrymës së lirë të bashkëndarjes, ndjen brenda vetes një force të çuditshme graviteti që e çon të përulet mbi vetveten, të vetëdeklarohet mbi dhe kundër të tjerëve: është egoizmi, pasojë e fajit të rrjedhshëm.
Adami dhe Eva, të mashtruar nga gënjeshtra e Djallit, duke kapur frutin misterioz në kundërshtim me urdhrin hyjnor, kanë zëvendësuar logjikën e të besuarit në Dashuri me logjikën e dyshimit dhe të garës; logjikën e të marrurit, e pritjes plot besim nga Tjetri, me logjikën plot ankth të të rrëmbyerit e të bërit të gjërave vetë (shih Zan 3,1-6), duke arritur si rezultat një lloj shqetësimi dhe paqartësie. Si mundet njeriu të çlirohet nga kjo force egoiste dhe të hapet drejt dashurisë?


Drejtësi dhe Sedaqah

Në zemër të urtisë së Izraelit gjejmë një lidhje të thellë mes besimit në Hyjin që “çon nga pluhuri të dobëtin” (Ps 113,7) e drejtësi ndaj të afërmit. Vetë fjala me të cilën në hebraisht tregohet virtyti i drejtësisë, sedaqah, e shpreh shumë mirë. Sedaqah në fakt domethënë, nga njëra anë, pranim i plotë i vullnetit të Hyjit të Izraelit; nga ana tjetër, drejtësi ndaj të afërmit (shih Dal 20,12-17), në mënyrë të veçantë ndaj të varfërit, të ardhurit, të jetimit e të vejushës (shih Lp 10,18-19).
Por dy domethëniet janë të lidhura, sepse t’i japësh të varfërit, për izrealitët, nuk është asgjë tjetër përveç se shkëmbim që duhet t’ia japim Hyji, që ka patur mëshirë për mjerimin e popullit të tij. Jo rastësisht dhurata e gurëve të Ligjit dhënë Moisiut, mbi malin Sinaj, vjen pas kalimit të Detit të Kuq. Dëgjimi i Ligjit, presupozon besimin në Hyjin që i pari ‘ka dëgjuar ankimin e popullit të tij dhe ka “zbritur për ta çliruar nga pushteti i Egjiptit” (shih Dal 3,8). Hyji është i vëmendshëm ndaj britmës së të mjerit e si përgjigjje kërkon që të dëgjohet: kërkon drejtësi ndaj të varfërit (shih Sir 4,4-5.8-9), të ardhurit (shih Dal 22,20), skllavit (shih Lp 15,12-18). Për të hyrë në botën e drejtësisë është sidoqoftë e nevojshme të dalim nga ai iluzion i vetëmjaftueshmërisë, nga ajo gjendje e thellë mbylljeje, që është vetë origjina e padrejtësisë. Duhet, me fjalë të tjera, një “dalje” më e thellë se ajo që Hyji ka kryer me Moisiun, një çlirim i zemrës, që vetëm fjala e ligjit është është e pafuqishme për ta realizuar. A ka pra për njeriun shpresë për drejtësi?


Krishti, drejtësia e Hyjit

Lajmi i krishterë i përgjigjet pozitivisht etjes së drejtësisë së njeriut, ashtu siç pohon apostulli Pal në Letrën drejtuar Romakëve: “por tashmë, e pavarur nga Ligji, është shfaqur drejtësia e Hyjit... nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin, për të gjithë ata që besojnë. Në fakt nuk ka dallim, sepse të gjithë kanë mëkatuar e janë të përjashtuar nga lavdia e Hyjit, por janë të shpëtuar falas nëpërmjet hirit të tij, nëpërmjet shpëtimit që është në Jezu Krishtin. Është Ai që Hyji e ka caktuar hapur si instrument të shlyerjes së fajit, nëpërmjet besimit, në gjakun e tij” (3,21-25).
Cila është pra drejtësia e Krishtit? Është para së gjithash drejtësia që vjen nga hiri, ku nuk është njeriu që riparon, shëron vetveten dhe të tjerët. Fakti që “shlyerja” ndodh në “gjakun” e Jezusit domethënë që nuk janë sakrificat e njeriut që e çlirojnë nga pesha e fajit, por gjesti i dashurisë së Hyjit që hapet deri në ekstrem, derisa të bëjë të kalojë në veten e tij “mallkimi” që i takon njeriut, për t’i transmetuar në këmbim “bekimin” që i takon Hyjit (shih Gal 3,13-14). Por ky fakt bën të lindë menjëherë një kundërshtim: çfarë drejtësie ka atje ku i drejti vdes për fajtorin e fajtori merr në këmbim bekimin që i takon të drejtit? A nuk merr secili prej nesh të kundërtën e “të tijnë”? Në të vërtetë, këtu zbulohet drejtësia hyjnore, thellësisht e ndryshme nga ajo njerëzore.
Hyji ka paguar për ne në Birin e vet çmimin e shpërblimit, një çmim me të vërtetë tepër i lartë. Përballë drejtësisë së kryqit njeriu mund të rebelohet, sepse kryqi vë në dukje që njeriu nuk është një qënie autarkik, por ka nevojë për një Tjetër për të qenë plotësisht vetvetja. Të kthehesh në Krishtin, t’i besosh Ungjillit, domethënë në fund të fundit pikërisht këtë: të dalësh nga iluzioni i vetëmjaftueshmërisë për të zbuluar e për të pranuar varfërinë tënde – nevojën për të tjerët e për Hyjin, kërkesën për faljen e tij dhe miqësinë e tij.
Kuptohet atëherë se si besimi është më shumë më tepër se një fakt natyral, i rehatshëm, i qartë: duhet përvujtëri për të pranuar se kemi nevojë që një Tjetër të më çlirojë nga “e imja”, për të më dhënë falas “të tijnë”. Kjo ndodh në mënyrë të veçantë në sakramentet e Rrëfimit e të Eukaristisë. Falë veprës së Krishtit, ne mund të hymë në drejtësinë “më të madhe”, që është ajo e dashurisë (shih Rm 13,8-10), drejtësia e atij që ndjehet në çdo rast gjithnjë e më shumë borxhli se sa kreditor, sepse ka marrë më shumë se sa mund të pritej.
Pikërisht, i fortë nga kjo përvojë, i krishteri është i nxitur të kontribuojë për të formuar shoqëri të drejta, ku të gjithë marrin aq sa është e nevojshme për të jetuar sipas vetë dinjitetit të njerëzve dhe aty ku drejtësia është gjallëruar nga dashuria.
Të dashur vëllezër e motra, Krezhma arrin kulmin në Treditëshin e Pashkëve, në të cilin edhe këtë vit do të kremtojmë drejtësinë hyjnore, që është plotësi bamirësie, dhurate, shpëtimi. Që kjo kohë pendese të jetë për çdo të krishterë kohë kthimi të vërtetë dhe njohje e thellë e misterit të Krishtit, që ka ardhur për të kryer çdo drejtësi. Me ndjenja të tilla, ju dërgoj nga zemra të gjithëve Bekimin Apostolik.


Nga Vatikani, 30. tetor 2009
BENEDICTUS PP. XVI







All the contents on this site are copyrighted ©.