2010-02-16 17:33:48

Karnevalet: kujtime, simbole e kritika


A duhet t’i kremtojmë Karnevalet?
Në jetëshkrimin e Bodlerit lexojmë se, një ditë Karnevalesh, ia kishte ngulur sytë një Sheshi, ku po kalonin vargane njerëzish, të fshehur pas maskash. “Ç’shikon me kaq vëmendje?” – e pyeti një mik aty pranë. E autori i “Luleve të së keqes”, u përgjigj: “Po mundohem të kuptoj pse këta skeletër hidhen e përdridhen kështu në vallen e vdekjes!?”.
Edhe ne mund të mbajmë të njëjtin qëndrim kritik, megjithëse nuk është aspak i arsyeshëm për ditët tona. Në se pendesa e Krezhmëve e përgatitja për Pashkë sot, për shumë njerëz, janë zhdukur fare, atëherë ç’kuptim ka të bësh potere e të vishesh Karneval, sikur një ditë më pas të merrte fund çdo kënaqësi tokësore e njeriu do të zhytej në pendesë të thellë, me dëshirën për t’u shkëputur nga zhurma e nga neveria, që shkaktojë ushqimet e tepruara. Me të drejtë Primo Levi thoshte se “Karnevalet janë iluzioni i një hijeje, të projektuar nga hiçi”.

Nuk dihet pse!
Shpjeguam të dielën e kaluar, disa etimologji të fjalës “Karnevale”, që mund të quhen edhe “Festë e pranverës”. Mendohet se Karnevalet, rreth vitit 1000, u kujtonin njerëzve të Mërkurën e Përhime, ditën e ‘carnem laxare’, domethënë të zhdukjes së mishit nga tryezat, sepse ‘Festa kishte marrë fund’ e ‘duhej të niste pendesa’. “Uh! Karneval i dashur, pse vdiqe’ - këndojnë njerëzit në vise të ndryshme të botës të Martën e Majme. Djegia e Kryekarnevalit, si simbol që tregon se gjithçka në këtë botë është e përkohshme, vijon në mënyra të ndryshme në shumë vise të botës, edhe në Shqipëri, ku këtë natë digjen edhe kashtat e misrit e mbeturina të tjera, mbledhur nga arat e kopshtet, që përgatiten për mbjelljet e pranverës, shoqëruar me këngën: “Eh, na vdiq Karnevali”.
Ritin e gjejmë edhe tek arbëreshët. E kujton Gavril Dara i Riu, në fillim të poemës së njohur ‘Kënka e sprasme e Balës”:
“Prej zjarrit të pranverës
ndizen gjithë brigjet
edhe tymi hi-fytyrë
shkon e përzjehet me retë”.
Vështirë të zbresësh deri në zanafillën pagane të këtij zakoni. Madje nuk dihet me siguri as pse kremtohen Karnevalet, që me kalimin e kohës morën edhe ngjyrime të krishtera. Në fund të fundit, duke parë se kjo festë është sa pagane, aq edhe e krishterë, mund të krijojmë një vizion më pak pesimist të Karnevaleve, si ai i Shën Filip Nerit. Sipas tij, këtë festë mund ta shikojmë si e kremte e pastrimit, e djegies së mëkateve në zjarret e kashtës, që bëhen simbol i stinës së luleve, pranverës, kur gjithçka rinisë një jetë të re. E ne, të krishterët, edhe si ndryshim pranveror të jetës sonë të rilindur në Krishtin, sipas predikimit të Savonarolës. Kemi të bëjmë me ritin çlirues të një marrëzie të përkohshme, me parakalime karnevalesh e karrocash, prej nga njerëzit e zakonshëm, të fshehur pas maskave, nuk i kursejnë talljet, nganjëherë edhe të rrezikshme, kundër të pushtetshmëve. Në kuptimin e krishterë, në këtë festë mund të shikojmë thjeshtësinë foshnjore të besimtarit, i cili çlirohet nga çdo kushtëzim shekullar e nga çdo lidhje me djallin. Veshjet teatrale, maskat e gëzimi i pakontrolluar (gjatë Karnevaleve mund të vësh në lojë këdo, pa frikë se do të krijosh situata të pakëndshme), sipas Dom Boskos, mund të kuptohen edhe si shfrim lojcak, para nisjes së rrugës pendestare të Krezhmëve. Ka edhe nga ata, të cilët përligjin edhe përdorimin e copëzave të letrave me ngjyra, që zbresin nga qielli, pasi flaken përpjetë, sepse një mendjeje të thjeshtë mund t’i duken si flakëzat e Shpirtit Shenjt, në ditën e Rrëshajëve. Në se e shikojmë kështu, nga një këndvështrim i mbinatyrshëm, mund t’i themi Karnevaleve: “Mirëserdhët” e, në këtë ditë të fundme të festës, edhe “Mirupafshim vitin e ardhshëm”.







All the contents on this site are copyrighted ©.