204 vjet më parë lindi Dom Pjetër Zarishi, meshtar e poet
(16.2.2010 RV)Prifti dhe poeti atdhetar dom Pjetër Zarishi lindi në Blinisht,
fshat në veri të Shqipërisë, më 16 shkurt 1806. Mësimet e para i kreu në shkollat
vendase klerikale të kohës, studimet teologjike e filozofike i vijoi dhe i kreu në
Romë. Menjëherë pas shugurimit meshtarak, u kthye në Atdhe. Duke nisur nga viti
1831, shërbeu si prift në Orosh të Mirditës, ku kreu njëkohësisht edhe punë të ndryshme
kishtare administrative, si sekretar i Dioqezit të Sapës. Krijues i talentuar, ai
vijon traditën e filluar nga poeti i parë i letrave shqipe, Atë Pali prej Hasi, duke
shkruar një varg poezish me përmbajtje biblike, patriotike e shoqërore, që zënë vend
të merituar në Historinë e Letërsisë Shqipe. Një pjesë e vjershave të tij janë
botuar te "Hylli i Dritës" më 1914 dhe me 1936 nën kujdesin e fretërve françeskanë.
Të tjerat mbeten në dorëshkrim. Ndërmjet tyre kujtojmë "Kanga e Shqypnis", "Bylbylit";
"Kanga e Shebes" dhe një poezi kushtuar derës fisnike të Gjomarkajve të Mirditës.
Poezitë përshkohen nga ndjenja të fuqishme të një shpirti të shqetësuar, që e jeton
thellë tragjedinë e Atdheut të pushtuar, të cilin dëshiron ta shikojë sa më parë të
çliruar nga pushtuesi shumëshekullor. Vendin kryesor në krijimtarinë e meshtarit
e zënë poezitë me përmbajtje biblike: shkroi edhe lutje poetike, himne e tekste këngësh
fetare, për të cilat kishte aq shumë nevojë populli i krishterë i Mirditës së varfër
ku kryente misionin, sepse ato i shërbenin si një katekizëm tepër i kuptueshëm e i
lehtë për t'u mbajtur mend. Ndërmjet tyre kujtojmë poezinë "Dita e Gjyqit". Dom
Zarishi është një nga poetët e parë shqiptarë që provoi me sukses tingëllimën dhe
një sërë mjetesh të tjera të vargëtimit, që pasuruan metrikën shqiptare. Të dhënat
flasin edhe për hartimin nga ana e tij të një fjalori e të një gramatike të shqipes,
të cilat, si shumë e shumë vepra të klerikëve shqiptarë, kanë humbur gjatë persekutimeve
që nuk i kanë munguar kurrë Kishës katolike.