Sot Kisha katolike përkujtoi Shenjtorët Onezimi, dishepull i Shën Palit; Faustinin
e Gjovitën, martirë.
(15.02.2010 RV) Onezimi është një shenjt, që na shtyn të reflektojmë mbi disa
realitete themelore të kristianizmit. E njohim nga Letra e Shën Palit drejtuar Filemonit,
letër shumë shpirtërore, e ngrohtë e njerëzore, përmes së cilës del në pah shpirti
i ëmbël e i njerëzishëm i Shën Palit, i cili shprehet plot dashuri për njeriun e
vogël, që asokohe nuk vlerësohej as si njeri, por si send. Shën Pali e quan Filomenin
bashkëpunëtor dhe i kujton bamirësinë ndaj të tjerëve, besimin në Zotin tonë Jezu
Krishtin dhe në të gjithë Shenjtorët. Përmes kësaj letre, Shën Pali e fton Filemonin
të kryejë një gjest të padëgjuar bamirësie e feje: “Të lutem, pra - i shkruan - për
birin tim, që e kam lindur ndër pranga, Onezimon, atë që dikur qe i panevojshëm, por
që sot është i nevojshëm për ty e për mua. Do të kisha dashur ta mbaja pranë vetes
të më shërbente në vendin tënd ndër pranga që mbart për Ungjllin, por nuk desha të
bëj asgjë pa dijeninë tënde, në mënyrë që të mirën mos ta bësh pasi të jesh i shtrënguar,
por vetvetiu. Ndoshta prandaj u nda nga ti për një ças, në mënyrë që ti ta kishe
përgjithnjë. Jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, si vëlla të dashur në
Zotin!”. E ne kujtojmë se Onezimo nuk ishte vetëm një skllav i ikur nga i zoti
(njihet si pajtor i shërbëtorëve), por edhe hajdut. E pra Shën Pali e quan vëlla,
sepse kristianizmi nga hajdut e bëri njeri të vërtetë; nga njeri, besnik të Krishtit
e më pas, ipeshkëv të Efezit e martir. U martirizua duke u mbytur me gurë në Romë,
sepse nuk pranoi ta mohojë fenë e Krishtit.