2010-02-15 18:51:41

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Jezusi u jep të varfërve të shtypurve atë që u takon, por revolucioni i tij realizohet me dashuri, me Kryq e me Ringjallje.


(15.02.2010 RV)Pas vizitës në Strehën e Karitasit, Papa kryesoi, dje në mesditë, lutjen tradicionale të Engjëllit të Tënzot, nga dritarja e studios së tij private, në Vatikan. Mijëra, shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë të zymtë e të akullt dimërore, që megjithatë mund të quhej gazmore, për shkak të pranisë shumëngjyrshe të një morie fëmijësh, veshur karnevale, në të dielën e fundit të kësaj feste popullore.
Benedikti XVI komentoi Ungjillin e djeshëm të Lumnive, duke nënvizuar se Jezusi nuk u përgjigjet me revolucion politik shpresave për drejtësi të të varfërve e të të shtypurve. Përgjigja që jep, është dashuria, Kryqi e Ngjallja e tij. Më pas Papa uroi popullsitë e Kinës e të Vietnamit, të cilat dje kremtonin Vitin e Ri hënor. E, së fundi, duke kujtuar festën e djeshme të Shenjtorëve Qirili e Metodi, pajtorë të Evropës, pohoi se vlerat e krishtera, që u përhapën nga Shenjtorët vëllezër, mbeten baza kryesore e bashkimit të Evropës.RealAudioMP3
Papa komentoi Ungjillin e Lumnive, sipas rrëfimit të Shën Lukës, që na nxit të bëjmë pyetjen: “Pse Jezusi i shpall të lum të varfërit, të uriturit, të munduarit e të gjithë ata, që poshtërohen, për shkak të Tij?
Sepse drejtësia e Zotit do të bëjë që këta njerëz të ngihen, të gazmohen, të shpërblehen për çdo akuzë; me një fjalë, sepse i pranon që tani në Mbretërinë e tij. Lumnitë na kujtojnë se ka një drejtësi hyjnore, e cila e larton njeriun, që poshtërohet padrejtësisht e e ul atë, që lartëson vetven (cfr Lk 14,11). Luka, pasi përsërit katër herë ‘Lum ju!” shton edhe katër paralajmërime: “Mjerë ju, të pasur, mjerë ju, sepse, siç thotë Jezusi, punët do të ndryshojnë, të parët do të bëhen të fundmit e të fundmit, të parët (cfr LK 13,30)”.
Kjo drejtësi e kjo lumni – shpjegoi Ati i Shenjtë – realizohen në Mbretërinë e qiellit, që do të përmbushet në fund të kohëve, por që është e pranishme që tani në histori. Atje ku të varfërit ngushëllohen e pranohen në gostinë e jetës, pikërisht atje duket që tani drejtësia e Zotit. Papa, duke i inkurajuar të gjithë ata që, në të katër anët e botës impenjohen, pa asnjë interes, në vepra drejtësie e dashurie, kujtoi se pikërisht temës së drejtësisë ia kushtoi sivjet Mesazhin për Krezhmët, që do të fillojnë të mërkurën e ardhshme, dhe i ftoi të gjithë ta lexojnë e ta meditojnë:
“Ungjilli i Krishtit i përgjigjet pozitivisht etjes së njeriut për drejtësi, por në mënyrë krejt të papritur e mahnitëse. Jezusi nuk propozon ndonjë revolucion të tipit shoqëror a politik, por revolucionin e dashurisë, të cilin e realizoi me Kryqin e Ringjalljen e tij. Mbi të mbështeten lumnitë, që propozojnë një horizont të ri drejtësie, të përuruar nga Pashkët, falë të cilit mund të bëhemi të drejtë e të ndërtojmë një botë më të mirë”.
Më pas Papa i lartoi lutjen Virgjërës Mari, të cilën të gjitha breznitë e shpallin ‘të Lume’, sepse besoi në lajmin e mirë, që ia kumtoi vetë Hyji:
“Ta lemë të na prijë në rrugën e Krezhmëve, për t’u çliruar nga shpresa e kotë se na mjafton vetvetja; ta pranojmë se kemi nevojë për Zotin, për mëshirën e tij, e të hyjmë, kështu, në Mbretërinë e tij të drejtësisë, të dashurisë e të paqes”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa uroi popullsitë e Azisë, duke u drejtuar një përshëndetje të veçantë Kinës e Vietnamit, që po kremtojnë Vitin e Ri hënor:
“Janë ditë feste, që këta popuj i jetojnë si rast i përshtatshëm për të fuqizuar lidhjet ndërmjet pjesëtarëve të familjes e ndërmjet breznive. U uroj të gjithëve ta pasurojnë më tej trashëgiminë e vlerave shpirtërore e morale, me rrënjë të thella në kulturën e këtyre popujve”.
Së fundi, duke përshëndetur besimtarët polakë, Benedikti XVI kujtoi festën e djeshme të Qirilit e të Metodit, pajtorë të Evropës:
“Vlerat, që përhapën në Kontinetin tonë, Shenja e Kryqit, Ungjilli i Krishtit e jeta, sipas Ungjillit – tha Papa - mbeten themeli i forcës shpirtërore të popujve e të bashkimit të Evropës; e kanë shumë rëndësi edhe për ne. Të lutemi – përfundoi Papa - që Apostujt e Shenjtë të Sllavëve të na prijnë përsëri në rrugët e fesë".







All the contents on this site are copyrighted ©.