2010-02-15 18:53:50

Ofensivë në Afganistan: NATO kontrollon jugun


(15.02.2010 RV)Vazhdon operacioni ushtarak i përbashkët ndërmjet NATO-s dhe ushtrisë së Afganistanit, i quajtur “Mushtarak”. Pjesa më e madhe e zonës jugore të vendit është nën kontrollin e forcave të koalicionit.
Aksioni filloi javën e kaluar dhe është provë për strategjinë e presidentit amerikan, Barak Obama, i cili ka për qëllim shtypjen e kryengritjes së talebanëve dhe fundin e konfliktit, që ka filluar 8 vjet më parë. Ofensiva ka shkaktuar edhe 12 viktima civile, të vrara nga dy raketa që nuk qëlluan mbi objektiv. Mbi gjendjen aktuale në Afganistan, të dëgjojmë përgjegjësin e projekteve edukative në vend për Universitetin Katolik të Milanos, prof. Marko Lombardi:
Situata është me zona. Ofensiva e këtyre ditëve është në jug, drejt Lashkar Gah, në Marjah e në Nad Ali. Është një zonë prej kohësh nën kontrollin e talebanëve. Në këtë çast, për talebanët është e vështirë të sulmojnë, pasi bën ftohtë, ka rënë borë dhe rrugët janë mbyllur, ndërsa për trupat ndërkombëtare mund të jetë një çast interesant kundërsulmi. Jemi pikërisht në zonën jugore të Afganistanit, ku inflitrimet e talebanëve nga vendet fqinjë janë shumë të mëdha. Mendoj se gjithsesi, duhet folur me talebanët e moderuar. Afganistani është i ndarë në fise, për të cilat kufijtë shtetërorë nuk thonë asgjë. Por është e rëndësishme të flitet me ta, jo vetëm për të mos e lënë vendin në dorën e terrorizmit, por edhe në atë të drogës, të trafikut të paligjshëm, të korrupsionit. Problemi është se duhen caktuar akoma rregullat e dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.