2010-02-14 07:22:02

Të enjten e kaluar u kremtua Dita Botërore e të Sëmurit.


(14.02.2010 RV)“Dashuria për njeriun përcaktohet nga kujdesi që kemi për të sëmurët”. Këshu u shpreh Benedikti XVI të enjten e kaluar, më 11 shkurt, duke kremtuar festën e Zojës Lurdë, me të cilën përkoi edhe Dita e 18-të Botërore e të Sëmurit.
Në Kishë, të sëmurët dhe njerëzit e vuajtur janë dëshmitarë të mrekullive të dashurisë – nënvizoi Benedikti XVI gjatë Meshës Shenjte, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kremtimit i parapriu një veprimtari prekëse: në Bazilikën e Vatikanit arritën reliket e Shën Bernardetës Subiru, vegimtares, së cilës iu duk Zoja e Bekuar më 11 shkurt 1858, në Shpellën e Masabielës.
Pasdite reliket e Shën Bernardetës dhe Shtatorja e Zojës së Lurdës, u mbartën me procesion nga një grup i madh shtegtarësh e të sëmurësh të Unitalsit. Procesioni përfundoi në Sheshin e Shën Pjetrit, ku Benedikti XVI, duke dalë në dritaren e studios së tij private, u dha bekimin apostolik besimtarëve të shumtë, mbledhur në Shesh. “Ju falënderoj për lutjen e për dashurinë, që keni për të sëmurët, që vuajnë, e për Zotin” – tha në përfundim Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.