2010-02-14 07:19:10

Sot me 14 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Valentinin, martir


(14.02.2010 RV)Emri i Shën Valentinit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja.
Tekste të tjera e përmendin Shën Valentinin që në vitin 197, si qytetar e ipeshkëv i Ternit e, sidomos, si njeri i famshëm për shenjtërinë e jetës, për bamirësinë e përvuajtërinë, për apostullimin e zellshëm e për mrekullitë. U burgos nën Aurelianin Perandor dhe iu pre koka në Romë. Ishte data 14 shkurt 273. Trupi iu mbart në Terni, ku ndodhen edhe sot e kësaj dite reliket e tij.
Shenjti nderohet si pajtor i të dashuruarve. Pse?
Festa e ipeshkvit e martirit Valentin lidhet me festimet e lashta greke, italike e romake, që organizoheshin për nder të zotave paganë Panit, Faunit e Luperkut. Këto festime lidheshin me pastrimin e arave dhe ritet e pjellorisë. Me që nisen të bëheshin tepër të çthurura, qenë ndaluar nga Augusti dhe Gelasi.
Kisha i kristianizoi këto rite pagane dhe e njohu Shenjtin si mbrojtës i të fejuarve e të dashuruarve, në prag të bashkimit me kurorën e martesës e të lindjes së fëmijëve. Sipas legjendës, Shenjti martir, dashuronjës i trëndafilave, ua dhuronte këto lule erëmira çifteve të fejuara për t'u uruar bashkim të lumtur. Prej këndej festa e Shen Valentinit është përplot me aromën e trëndafilave, simbol i dashurisë ndërmjet burrit e gruas. Vetë Zoti është dashuri. Në dashuri gjinden paqja, bashkimi i familjes dhe i mbarë njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.