2010-02-14 07:18:36

Shenjtorët e Javës së ardhshme 14 - 21 shkurt


Sot e diel 14 shkurt, Kisha kremton të dielën e 6-të gjatë vitit e po sot më 14 shkurt, kalendari Kishtar përkujton edhe Shën Çirilin, murg e Shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës si dhe Shën Valentinin.
Shembulli i jetës së tyre na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës, që Kisha do t’i kremtojë më 14 shkurt, qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja të rrënjoset në çdo kulturë.
Nesër, e hënë 15 shkurt, do të kremtohet festa e Shën Onezimit, nxënës i Shën Palit, dhe Shën Faustinit e Shën Gjovitës, martirë. Këta na kujtojnë se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit. Na e vërteton Shën Pjetrit, i cili ishte tepër i kënaqur që mundi të shpallë se Jezusi ishte Krishti, në sa nuk donte ta pranonte se vullneti i Zotit ishte që Biri i njeriut të vuante e të vdiste në kryq.
Të martën e ardhshme më 16 shkurt do të kremtohet Shën Gjyliana, virgjër e martire. Liturgjia e festës së Shenjtores na kujton se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.
Më 17 shkurt vjen pastaj e Mërkura e Përhime. Me këtë ditë nis kohës së fortë kreshmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të kthehemi në rrugën e Zotin dhe të lutemi e agjërojmë. Posaçërisht duhet t’i lutemi me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë. Nënvizojmë se e Mërkura e Përhime është ditë agjërimit.
Po të mërkurën më 17 shkurt, kalendari Kishtar përkujton edhe Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri. Këta kujtojnë se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.
Të enjten më 18 shkurt do të përkujtohet i Lumi Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Festa e tij na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
 
Të premten më 19 shkurt, do të kremtojë Shën Konrrad Konfalonierin. Ky vetmitar françeskan na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.

Liturgjia e festës së Shën Eleuterit dhe Shën Leonit të Katanies, ipeshkëv, të shtunën e ardhshme me 20 shkurt, na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.

Të dielën e ardhshme më 21 shkurt, Kisha kremton të dielën e 7-të gjatë vitit e po këtë ditë kalendari liturgjik përkujton edhe shën Pier Damianin, ipeshkëv të Ostias, kardinal e doktor të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.