2010-02-14 07:20:40

Nis, në Padovë, nderimi i relikeve të Shëna Ndout, vendosur mbi elter.


(14.02.2010 RV)Nesër në Padovë, do të vendosen mbi elter, për nderim nga besimtarët, reliket e Shëna Ndout, që do të qëndrojnë aty deri të shtunën, më 20 shkurt, kur do të vendosen përfundimisht në Kapelën e saporindërtuar të Arkës. Vendosja në elter përkon me Festën e Mbartjes së relikeve të Shenjtit, që kremtohet çdo vit më 15 shkurt, për kujtim të mbartjes së trupit të tij më 18 prill 1263, me dëshirën e Shën Bonaventurës e më pas, më 1350, kur varri i Shën Andout u vendos përfundimisht në Kapelën e Arkës. Gjatë kësaj periudhe do të kremtohen dy Meshë, në të cilat besimtarët e mbarë botës, që kanë devocion të posaçëm në Shenjtin e Mrekullive, mund të jenë simbolikisht të pranishëm.
Vendosja e mëparshme e relikeve në elter është ajo e vitit 1981, që zgjati një muaj, për t’u krijuar 650 mijë vetëve mundësinë e nderimit të relikeve të Shenjtit.

Kujtojmë se të mërkurën e kaluar Papa ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Shën Andout të Padovës, bashkëkohas i Shën Françeskut, të cilin Ati i Shenjtë e quajti “Një nga shenjtorët më popullorë të Kishës së gjithëmbarshme”. Papa kujtoi kryesisht mësimet e këtij Shenjti, tejet të nderuar nga besimtarët katolikë, kushtuar lutjes, parë si lidhje dashurie e si bisedë e përzemërt me Zotin. Kujtoi edhe bamirësinë e tij të mirënjohur, që gjen shprehjen në përbujtjen e të varfërve e në bindjen se do të jenë pikërisht varfanjakët ata, që do të na mikpresin në qiell. Mësim me vlerë – theksoi Papa – sidomos për kohën tonë, të tronditur nga kriza ekonomike. Më pas, duke kujtuar aftësinë e Shenjtit si predikatar, i ftoi meshtarët t’i përgatisin me kujdes të madh homelitë, për ta paraqitur në mënyrë sa më të kuptueshme e prekëse, bukurinë e amshuar të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.