(14.2.2010 RV)Ndërsa afrohet e Mërkura e Përhime, kohë lutjeje, pendese e bamirësie,
arrin kulmin festa popullore e Karnevaleve, që i paraprin Krezhmëve. Karnevalet na
kujtojnë festa të lashta pagane, si luperkalet (rite pastrimi, që kremtoheshin nga
priftërinjë e idhujve, të quajtur ‘luperçi’, më 15 shkurt) dhe saturnalet, festë popullore
e Romës së lashtë, për nder të Saturnit. Gjatë kremtimit, më 17 e 23 dhjetor, të kësaj
feste shembej çdo mur, që ndante klasat e shtresat e ndryshme shoqërore, duke krijuar
mundësitë për të gëzuar disa liri, që në kohë të zakonshme nuk ishin të lejuara.
Që nga fillimi i 1400-shit, moralizuesit e epokës nisën një sulm të rrebtë kundër
karnevaleve, duke i gjykuar si tepër pagane ritet, festat e gostitë, që organizoheshin
me tepri në këtë periudhë, kur në të gjitha shtëpitë ndjehej aroma e ushqimeve të
bollshme e, sidomos, era e petullave, të gatuara me receta të shumëllojshme, sipas
traditës së viseve, ku kremtohet Karnevali. Pavarësisht nga këto sulme, Karnevali
vijoi të krijonte forma të reja kremtore, sipas zakoneve të vendeve të ndryshme.
Në Mesjetën e vonë nisi edhe veshja me rroba karnevalesh, që vijon edhe sot, kudo
kremtohet festa. Maskimi u krijonte njerëzve mundësinë të luanin një rol të ri, të
dënonin mbrapshtitë e figurave hjerarkike, të talleshin me veset, me njerëzit e zakonet
e këqija, të fshehur pas maskave, sot të njohura në mbarë botën si simbol i ligështive
e i dëshirave të tepruara njerëzore, që e meritojnë sulmin me armët e përqeshjes.
Në disa vende festa organizohet në mënyrë aq originale, sa të tërheqë turistë nga
mbarë bota. Të famshme, për shembull, Karnevalet e Venedikut e ato të Brazilit.
Në Shqipëri Karnevalet nisën të kremtohen së pari në Shkodër, në vitet ’30. E pikërisht
këtu, kjo festë vijon edhe sot, duke fituar një origjinalitet të veçantë, me maskat
e bejtat e pasura, që krijohen aty për aty, gjatë kalimit të Karnevaleve në rrugët
kryesore. Rrënja etimologjike e fjalës Karnevale është e paqartë: dikush
mendon se vjen nga fjala latine ‘carrus navalis’, karro në formë anije, që përdoreshin
gjatë procesioneve të pastrimit; të tjerë e shikojnë këtë fjalë si të prejardhur nga
‘carnem levare’, traditë mesjetare e organizimit të një gostie, për t’i thënë lamtumirë
mishit, një natë para së Mërkurës së Përhime, duke u ngopur deri në neveri, para se
të fillonte periudha e Krezhmëve. E Mërkura e Përhime, festë me origjinë
fshatare, kushtuar pjellorisë së tokës, përfundonte me djegien e një dordoleci të
madh, hiri i të cilit, pastaj, groposej pikërisht të Mërkurën e Përhime. E kjo
traditë vijon edhe sot. Në Shkodër Karnevalet përfundojnë gjithnjë me djegien e Kryekarnevalit,
që personifikon veset, shoqëruar me vargjet e mirënjohura të traditës, që përmbajnë
një porosi me vlerë për bijtë e baballarëve të parregullt:
“Mos i ngjaj,
biro, tyt et Se ai ka kenë i panafakë. A di çka i bane vjet,Shokët
e tij e ndezën flakë!”.