2010-02-14 07:26:08

Benedikti XVI vizitoi sot paradite, strukturat e Karitasit dioqezan romak të Stacionit Termini


(14.02.2010 RV)Sot, nga ora 10.00 deri në orën 11.30, Papa u takua përsëri me njerëz që strehohen në vendet e varfërisë e të vuajtjes. Gjithnjë më të shpeshta takimet e kësaj natyre për Atin e Shenjtë. Me gjestet e tij, Ipeshkvi i Romës prin në rrugën e bamirësisë e, sipas fjalëve të njohura të Shën Injacit të Antiokisë, dëshmon dashurinë e Zotit për njerëzit e përvujtë, të plagosur në korp e në shpirt. Njëkohësisht e njeh bashkësinë romake me situatën konkrete të vuajtjes, në të cilën jetojnë të rinj e pleq, të shëndoshë e të sëmurë, italianë e të ardhur nga të katër anët e botës.
Kjo vizitë bëhet në një vit, në të cilin Evropa është posaçërisht e vëmendshme ndaj të varfërve, gjë që e tregon fakti i shpalljes së 2010-tës, “Vit evropian i luftës kundër varfërisë dhe përjashtimit të njerëzve nga radhët e shoqërisë”.
Në prag të kësaj vizite të Papës, Komisioni i Episkopateve të Bashkësisë Evropiane dhe Karitasi Evropa, u drejtuan një letër baritore të gjithë anëtarëve të Konferencave ipeshkvnore të Kontinentit të vjetër, përmes së cilës i porositën të bëjnë gjeste konkrete simbolike, duke hartuar në dioqezat e tyre, një program kishtar, në ndihmë të të varfërve.
E kjo nuk është aspak veprimtari e veçantë, e përkohshme, por themelore për Kishën. Mjafton të kujtojmë impenjimin e dioqezës së Romës, që ka kryeipeshkëv vetë Papën, në shërbim të të varfërve. Në rrjedhë vitesh, dioqeza romake ka ngritur 37 struktura, të cilave u shtohen 220 nisma, drejtuar nga Karitaset famullitare: qendra dëgjimi, ambulanca, mensa e veprimtari të tjera bamirëse. Vetëm në Romë ka nëntë pika shërbimi për ushqimin e njerëzve, që kalojnë periudha të vështira, të gjitha të drejtuara nga Karitasi dioqezan.
Një nga këto struktura, është ajo që ka hapur një mensë të njohur pranë Stacionit hekurudhor Termini, në Romë. Përveç mensës, struktura ka edhe mjediset e strehimit dhe poliambulancën. E hapur në vitin 1993, ushqen çdo ditë 500 gra e burra të pastrehë, alkoolistë, pleq të braktisur, të sëmurë mendorë, të cilëve nuk mjaftohet t’u japë ndihmë ushqimore, por edhe e sidomos, mbështetje shpirtërore.
Mes këtyre njerëzve ishte për vizitë Papa, të cilin e priti Kardinali Mëkëmbës, Agostino Valini dhe autoritete të tjera të Kishës e të Karitasit Romak. I pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Romës, Xhani Alemano, shoqëruar nga autoritete të tjera civile. Ati i Shenjtë vizitoi strehën, poliambulancën, farmacinë dhe sallën e mensës, ku zbuloi e bekoi një pllakë përkujtimore.
Në të njëjtën sallë u mbajt edhe pjesa zyrtare e takimit, gjatë së cilës Papën e përshëndetën disa nga pjesëmarrësit. Mori fjalën, më pas, edhe Ati i Shenjtë. Vizita përfundoi rreth orëve të mesditës, me rikthimin e Papës në Vatikan, për kremtimin e lutjes së Engjëllit të Tënzot me besimtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.