2010-02-13 15:19:45

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të “C”


(13.2.2010 RV)Dëgjues të nderuar ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Të dashur dëgjues e vëllezër e motra në Krishtit, Hyji Atë ka dashur ta ndriçojë popullin e tij me Jezusin të Birin e vet, dritë e botës që shndritë udhën tonë. Këtë të diele në liturgjinë Hyjnore ne kremtojmë përdëllimin e Zotit që është bërë i varfër për të na liruar nga pasuritë tona të rreme, mashtruese e kalimtare. Vlerat e vërteta dhe vlerat e rreme: këto pra janë tema kryesore e leximeve biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele.
Me shpalljen e Lumturive Ungjillore (sikur do të dëgjojmë më vonë nga pjesa e Ungjillit Lk 6,17-20-26 të kësaj së diele) kumtohet realizimi i premtimeve mesianike: kush aderon në to e ka gëzimin e shpëtimit, kush nuk aderon, dot të thotë kush nuk i bënë të vetat, nuk hyjnë, nuk do të jetë e as nuk do të mund të marrë pjesë në historinë shëlbimpruese.
Përmes Lumturive Ungjillore, Jezusi orvatet ti ndihmojë njerëzit ti zbulojnë planet e Zotit që fshehën në thellësinë e zemrës së tyre apo që shfaqen gjatë rrjedhës së historisë. Fjalimi i Lumturive është ligji kushtetues i Mbretërisë Hyjnore që Ai (Jezusi) erdhi për të rivendosur,çka do të thotë mesazhi themelor i Shpëtimit dhe i çlirimit që solli në botë e të cilin Ai ia komunikojë njerëzve. Ky kumtim përbënë thelbin e mësimit të Tij Hyjnor. Ky predikim e çlirim kalon përmes Apostujve e prej tyre arrijnë deri tek të gjithë njerëzit. Jezu Krishti erdhri në botë për të ripërtëri të gjitha sendet në drejtësi e në dashuri. Kështu pra, shpresa e vetme e lumturisë sonë të plotë dhe e shpëtimit të përjetshëm është vetëm në Zotin. Fjala e Zotit në këtë të diele na thërret e nxit të jetojmë sikur ka jetuar Jezusi, pa idhuj të rremë e pa siguri të kota.
Lumturitë e Jezusit nuk janë thirrje për të ikur nga bota apo realiteti e për të mos u impenjuar, por janë thirrje për të jetuar risi ungjillore në kohë dhe në gjitha të mirat që Zoti na i ka dhuruar, përherë në bashkim e në përkim me Krishtin dhe të afërmin tonë, kurdoherë në kërkimin të vazhdueshëm të përmirësimit të kushteve të jetës sa më njerëzore, sa më dinjitoze për të gjithë njerëzit, e në mënyrë të posaçme për ata janë nevojtarë.
Lumturitë Ungjillore na tregojnë udhën e jetës së jetuar në liri, larg prej çdo egoizmi, që të mund të merremi vetëm ndërtimin e qytetërimit vëllazëror, me Mbretërinë e Zotit. Sepse aty ku pranohet Zoti, mësimet e Tij dhe Mbretëria e Tij Hyjnore, aty askush nuk ta shfrytëzon më të varfrin, askush nuk bie më në egoizëm; aty marrim fund shtypjet, përndjekjet e racizmi. Kështu nga kjo faqe e mrekullueshme e Ungjillit që na sjell Lumturitë e shpallura nga Krishti, është udhërrëfim për një jetë të vërtetë . Thënë shkurt, fjalimi (Lumturitë) i Jezu Krishtit shqiptuar mbi një mal para turmës së popullit që e dëgjonin, është risia, është revolucioni i Tij shpirtëror: është kënd vështrimi i Zotit, që Krishti na ka bërë ta njohim, e i cili edhe na mëso një mënyrë tjetër e të re të të qenurit njerëz. Një mënyrë tjetër e të re të qenurit vëllezër mes nesh.
“Vaj për ju, të pasur” – thotë Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele. Nuk është kërcënim, por ankim. Është ankimi e vajtimi i Jezusit: bota nuk do të avancojë, nuk do të përparojë përmes atyre personave që grumbullojnë dinarë (të mira materiale), toka e re nuk do të lulëzojë prej duarve të atyre që janë të ngirë. Kush është i ngirë nuk krijon, nuk dhuron, nuk ndanë por mbrohet, izolohet prej tjerëve. Prej duarve të njerëzve të tillë do të lulëzojë vetëm uri e re, vetëm dhunë e re.
Kështu, Lumturitë Ungjillore janë thirrje e fuqishme e na kujtojnë se: jeta jonë është pa fryte, se duhet të kuptojmë se të mirat nuk janë për posedim, por për dhurim: se ka uri që duhet ngi, e lot që duhet fshij: ky është projekti që e ndihmon përparimin e vërtetë të njerëzimit e ndryshimin e shoqërisë Krishterimi, siç dëshmojnë Lumturitë Ungjillore, është shpallje e këtij rendi të ri të mundshëm të marrëdhënieve ndër-njerëzore, sipas porosisë së Jezusit.
Ti dëgjojmë leximet biblike e pastaj komentin nga don Arian Shkurti...00:18:56:83

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 17, 5-8

Profeti Jeremia shpall se njeriu gjendet para dy rrugëve dhe duhet të zgjedhë njërën: e para është pikërisht ajo që të vendosë besimin e vet në njeriun, në të mirat tokësore dhe kështu është i dështuar, e dyta është ajo që të vendosë besimin e vet në Hyjin dhe të fitojë lumturinë e vërtetë.
Profeti na nxit të dalim nga shpresat e rreme që njeriu ndërton me duart e veta duke gënjyer veten se është i lumtur dhe i realizuar.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson, ai që mbështetjen e vet e ka në njeriun dhe që trupin e dobët e konsideron muskul të vet, e zemra e tij largohet prej Zotit. Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë: nuk sheh kur vjen e mira, i shkojnë ditët në thatësirën e shkretëtirës, në tokë të kriposur, të pabanueshme.
Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin, Zoti do të jetë shpresa e tij. Ai do të jetë porsi druri i mbëltuar në breg të ujit, që kah përroi i lëshon rrënjët e s’do të trembet kur të vijë zhegu: gjethi i tij do të jetë i blertë. Për vit thatësie s’është në kujdes, nuk pushon duke dhënë fruta.”
Fjala e Zotit.


Psalmi 1

Lum njeriu që shpreson në Zotin
--- --- ---
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e bakëqijve,
që nuk qëndron në udhën e mëkatareve,
e nuk rri së bashku me përqeshës;
por kënaqet në ligjin e Zotit,
dhe e kujton atë ditë e natë.
--- --- ---
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh,
e cila frytin e vet e jep në stinë,
dhe gjetet kurrë s’i vyshken:
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
--- --- ---
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve,
por ata janë porsi byku që e shpërndan era.
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve,
kurse udha e bakëqijve do të mbarojë.
--- --- ---

Leximi i dytë 1 Kor 15, 12.16-20

Pali, pasi ka provuar sigurinë e ringjalljes së Krishtit, që është themel i besimit tonë, pohon që në të gjendet garancia e ringjalljes së trupave tanë në fund të kohërave.
Të besosh në ringjalljen do të thotë të besosh që jeta është një realitet e jo një iluzion.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

Vëllezër, në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish, si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve”? Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur. Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën.
E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët. Por, verevërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!
Fjala e Zotit.

† Ungjilli Lk 6, 17.20-26

Jezusi shpall se ardhja e mbretërisë së tij do të përmbysë situatat njerëzore: Ungjilli do të jetë pasuri për të varfërit, liri për të shfrytëzuarit, gëzim për të trishtuarit.
Lumturitë e Ungjillit shpallin arritjen e Hyjit në historinë e njerëzve dhe ndërhyrjen e tij për të shndërruar ngjarjet tona.


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi zbriti bashkë me të dymbëdhjetit e zuri vend në rrafshinë. Ishte aty një shumicë e madhe nxënësish të tij dhe një turmë e madhe e popullit prej mbarë Judesë, prej Jerusalemit dhe prej bregut të detit të Tirit e të Sidonit.
Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënës, thoshte: “Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! Të lumët ju që tani keni uri, sepse do të ngiheni! Të lumët ju që tani qani, sepse do të qesheni! Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre, kur do t’ju poshtërojnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut! Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell. Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!
Por, vaj për ju, o pasanikë, sepse e keni ngushëllimin tuaj! Vaj për ju që tani jeni të ngopur, sepse do të pësoni uri! Vaj për ju që tani qesheni, sepse do të vajtoni e do të qani! Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.