2010-02-13 12:20:26

Italia e Shqipëria, bashkëpunim të frytshëm në fushën e rendit dhe sigurisë


(12.2.2010 RV)Kryeministri Sali Berisha theksoi sot në Romë , se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, të mbrojtjes, e rendit dhe në fushën e gjyqësorit, është në një nivel shumë të lartë dhe duhet të shërbejë si shembull për bashkëpunimin midis vendeve të tjera.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryeministri Berisha u prit në një takim në Pallatin Montecitorio, nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini.
Duke ndalur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë të ndjekë politikën e tolerancës zero në luftën kundër këtyre dy fenomeneve. Ai informoi mbi vendimin e qeverisë për rinovimin e moratoriumit për skafet dhe miratimin e ligjit antimafia.
Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen që Italia i ka dhënë vendit tonë në procesin e integrimit në NATO, por edhe ndihmën që po jep në procesin madhor të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe në zhvillimin dhe modernizimin e vendit.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se marrëveshja e firmosur gjatë kësaj vizite për Partneritet Strategjik midis dy vendeve do të konsolidojë bashkëpunimin me interes të përbashkët dhe do ta bëjë këtë bashkëpunim shumë të rëndësishëm akoma edhe më solid.
Dy personalitetet diskutuan për fusha me interes të përbashkët për të dy vendet, duke vlerësuar si kryesore bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e energjetikës. Kryeministri Berisha vuri në dukje objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj.
"Vitin e kaluar ne nënshkruam marrëveshje për rreth 4 milionë euro investime në fushën e energjisë, në prodhimin e çimentos, etj. Janë 440 hidrocentrale të madhësive të ndryshme për t'u ndërtuar në vend dhe bashkëpunimi me Italinë në këtë drejtim është me interes të madh reciprok.", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "është në interesin e përbashkët të dy vendeve shfrytëzimi i potencialeve të mëdha të Shqipërisë, veçanërisht në prodhimin e energjisë nga burimet të ndryshme".
Kreu i Qeverisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e suksesit të projekteve në fushën e energjisë së rinovueshme, duke përmendur këtu projektet ndërkombëtare të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energjetik.
Kryeministri kërkoi mbështetjen e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, si dhe theksoi domosdoshmërinë e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri - Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet vendit fiqnj.
Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Fini shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe siguroi se "Italia do të mbështesë me të gjithë forcën e saj liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE".
Ai konsideroi emigrantët shqiptarë si një urë shumë të rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve, dhe si ambasadorët më të mirë të vendit tonë në Itali.







All the contents on this site are copyrighted ©.