Sot me 12 shkurt kalendari Kishta përkujton Shën Benediktin e Anianit
(12. 2. 2010 RV)Vitizia, siç u quajt në pagëzim ati i parë i jetës murgare
gjermanike, lindi në vitin 750 në familjen fisnike vizigote Agjilulfo në jug të Francës.
U dërgua për të studiuar në oborrin mbretëror të Jozefit të shkurtër. Më pas hyri
në ushtrinë e Karlit të Madh dhe luftoi në Itali kundër Longobardëve. Këtu, duke rrezikuar
jetën e vet, shpëtoi jetën e të vëllaut që kishte rënë në ujë e po mbytej i përpirë
nga gjeratoret e lumit Tiçino. Kjo ngjarje pati ndikim të jashtzakonshëm në jetën
e tij. U kthye, së bashku me një murg të verbër me emrin Vidmar, në Francë. Hyri menjëherë
në kuvendin e Shën Sekuanos, pranë Dizhonit, ku mori emrin rregulltar Benedikt. Shumë
shpejt u zgjodh abat i këtij kuvendi, por sivëllezërit nuk munden ta durojnë sjelljen
e tij tepër asketike. Atëherë ai u largua e themeloi kuvendin e vet benediktin në
Anian, pranë Montpelié. Zgjodhi rregullën benediktine, sepse tek Shën Benedikti njohu
njeriun që jetonte ashtu si predikonte. Diktoi rregulla të rrepta në përkim me moton
benediktine: “Lutu e puno”, të cilat i respektoi vetë i pari. Bashkësia lulëzoi. Si
vdiq Karli i Madh, Benedikti shërbeu si këshilltar i Ludovikut të përshpirtshëm. Vitet
e fundit të jetës i kaloi në abacinë e Inden, sot e Kornelimyster, pranë selisë mbretërore
të Akuisganës.
Kujtojmë se Aquisgrana, në gjuhën gjermane Aachen, në frëngjisht
Aix-la-Chapelle, në holandisht Axhe, është një qytet i pavarur në shtetin federal
të Reno-Vestafalisë veriore në Gjermani. Ndodhet pranë kufirit ndërmjet Vendeve të
Ulta dhe qytetit më perëndimor të Gjermanisë.
I vendosur në zemër të Evropës,
qe selia e Karlit të madh, i cili ndërtoi këtu katedralen e famshme, shpallur që nga
viti 1978 nga UNESCO - pjesë e thesarit të kulturës botërore. Këtu vdiq Shën Benedikti
e po këtu edhe u varros në vitin 821 në një varr, që sot konsiderohet i humbur. Kisha
e kujton Shën Benediktin për veprimtarinë e tij liturgjike e teologjike në mbrojtje
të doktrinës së krishterë kundër teorive të ‘adocionistëve’, që ishin përhapur në
Spanjë. Për ta kryer me sukses këtë detyrë, Benedikti udhëtoi, shkroi, përgatiti ipeshkvijtë
e meshtarët, duke u bërë model shenjtërie e besnikërie ndaj Krishtit për të gjithë.