2010-02-12 17:01:14

Papa porosit ipeshkvijtë e Rumanisë: të fitojnë mbi kurthet e shekullarizimit, duke dëshmuar vlerat e krishtera në shoqëri.


(12.02.2010 RV)Duhen promovuar vlerat e krishtera në shoqërinë e shekullarizuar: kjo është porosia kryesore, që u dha Papa ipeshkvijve rumunë, të cilët i priti sot paradite në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre ‘ad Limina’. Ati i Shenjtë theksoi kryesisht nevojën e vlerësimit të rrënjëve të krishtera të Evropës dhe të dialogut ndërmjet katolikëve e ortodoksëve të Rumanisë. Duke u kthyer në të kaluarën, kujtoi me nderim të thellë qëndrimin heroik të bashkësisë së krishterë të Rumanisë e të Republikës së Moldovës, që në kohën e persekutimit mbetën të lidhura ngushtë me Krishtin e me Kishën dhe e ruajtën të paprekur fenë. Gjithsesi – vërejti Ati i Shenjtë - edhe në Rumani nuk mungojnë kurthet e pusitë e shoqërisë së shekullarizuar e të çorientuar, që rrezikojnë sidomos familjen:
Familjet katolike të vendeve tuaja, të cilat gjatë kohës së provës dëshmuan, shpesh me çmim të lartë, besnikërinë e tyre ndaj Ungjillit, nuk janë të paprekshme nga plagët e abortit, të korrupsionit, të alkoolizmit e të drogës, ashtu si edhe të kontrollit të lindjeve me metoda, që i kundërvihen dinjitetit të njeriut”.
Për t’i përballuar këto sfida, Papa theksoi se duhen promovuar këshillimoret famullitare, që sigurojnë përgatitjen e nevojshme për jetën bashkëshortore e familjare, duke organizuar më mirë punën baritore me të rinjtë. E kjo, sepse ndryshimet e thella në sistemin industrial e në atë bujqësor, kriza ekonomike e largimi nga vendi, nuk luajtën rol pozitiv në ruajtjen e vlerave tradicionale, sidomos atyre të krishtera të cilat, prandaj, duhen ripropozuar e duhen fuqizuar.
Papa kujtoi edhe marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, duke uruar që lidhjet vëllazërore të ngadhënjejnë mbi përçarjet e t’i hapin zemrat për pajtim:
“Jam i vetëdijshëm për vështirësitë, që duhet të përballojë, në këtë fushë, bashkësia katolike; uroj të gjinden rrugëzgjidhje të përshtatshme, me atë shpirt drejtësie e dashurie, që duhet të frymëzojë marrëdhëniet ndërmjet vëllezërve në Krishtin”.
Më pas Papa kujtoi vizitën historike të Gjon Palit II në Rumani. Dëshira për bashkim, që ngjalli kjo vizitë – uroi - ushqeftë lutjen e impenjimin për thellimin e dialogut e të nismave të përbashkëta, sidomos për mbrojtjen e rrënjëve të krishtera të Evropës e të vlerave të krishtera në fusha të rëndësishme të jetës, si familja, bioetika, të drejtat e njeriut, ndershmëria në jetën publike, ekologjia”.
Porosia e fundit, tejet e rëndësishme, e Papës: të ruhet trashëgimia e fesë, duke e parë si një nga detyrat më të rëndësishme të Kishës e, sidomos, të ipeshkvijve.







All the contents on this site are copyrighted ©.