2010-02-12 17:02:58

Në Tiranë përkujtohet, me një simpozium, 100-vjetori i lindjes së Injac Zamputtit


(12.02.2010 RV)Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë në Tiranë, organizuan sot, në sallën e Akademisë së Shkencave, një simpozium përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Injac Zamputtit 12 shkurt 1910- 12 shkurt 2010.
Për personalitetin e Injac Zamputtit dhe për fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe foli prof. dr. Seit Mancaku, duke theksuar kontributin e tij në fushën e etimologjisë, të literaturës kishtare dhe të dokumentacionit të autorëve të vjetër të shqipes, nga Buzuku tek Bardhi, Budi, Bogdani.
Tek kontributi në ndriçimin e historisë së Shqipërisë të shekujve XVI-XVII u ndalua historiani Pëllumb Xhufi, kurse Luan Malltezi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar referoi për punën e madhe në fushën e dokumentacionit të historisë mesjetare të shqiptarëve gjatë dyzet vjetëve të punës së tij në fushën e studimeve historike, pranë Institutit të Shkencave dhe të Historisë, ku mbahet mend si studiues, që sillte prej latinishtes apo italishtes mesjetare, "gjuhë që ishin armët e tij", në shqip, dokumentet historike mesjetare.
Në vitet '60 nisi përgatitjen e studiuesve të rinj për të bërë kërkime në arkivat e Venedikut, Vatikanit, Raguzës, sepse ai vetë (për shkak të origjinës italiane) nuk mund të shkonte. Më pas transkriptonte, përkthente dhe komentonte dokumentet në mikrofilma që sillnin nxënësit e tij. Mbi këtë lëndë Instituti i Historisë botoi një seri veprash: "Dokumente të shek. XV për Historinë e Shqipërisë (1479 -1499)" dhe serialin e librave "Dokumente për Historinë e Shqipërisë" deri në vitet 1675-1699. Janë rreth 4500 faqe dokumente. Për këtë arsye ky njeri nderohet sot nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë.
Në simpozium folën edhe prof. dr. Ferit Duka, i cili kumtoi për historinë osmane të shqiptarëve në optikën e Zamputtit; Behar Gjoka, për "Gjergj Fishtën sipas Injac Zamputtit" dhe Musa Vyshka, për veprën e tij letrare.
Punimet e simpoziumit i mbylli i biri i Injac Zamputtit, Jozefi, i cili u përqëndrua tek kujtimet e të jatit, sidomos për figurat më të ndritura të etërve jezuitë, me të cilët ishte i lidhur ngushtë si dhe tek kujtimet e personaliteteve të tjera për të.
Kujtoi, së pari, fjalët e Kristo Frashërit, shqiptuar më 5 mars 1998, në ceremoninë e lamutumirës së fundit, në Tiranë. Ndërmjtet tyre, nënvizoi:
“Ndershmëria, korrektësia, mirësjellja, bujaria ishin tiparet e përditshme të tij. Urtësia e fjalës e shoqëruar me buzëqeshjen e ngrohtë, do të na shfaqen sa herë do të përmendim emrin e tij. Mbi të gjitha, ne që e kemi njohur nga afër, do ta kujtojmë kurdoherë dashurinë e thellë që ai shfaqte ndaj familjes, të cilën e konsideronte si gjënë më të shtrenjtë. Vështirësitë jo të pakta që pati në jetë asnjëherë nuk ia cënuan virtytet e tij morale, asnjëherë nuk ia lëkundën përkushtimin e tij ndaj familjes. Të gjitha tallazet që i dolën përpara, Injaci i kapërceu jo duke trokitur poshtë e lart, por duke u kërrusur gjithë ditën, madje deri natën vonë, mbi tryezën e punës.
Injaci i la kombit një trashëgim të vyer, prodhimtarinë e tij shkencore. Pena e tij nuk rreshti asnjëherë së punuari. Madje, sa më tepër kërrusej nga dhjetëvjeçarët, aq më tepër gjallërohej pena e tij. Nga dora e Injacit ka dalë një bibliotekë e tërë punimesh të botuara dhe të pabotuara(…)Injaci ka meritën e madhe se ndriçoi një nga periudhat deri para tij më të errëta të historisë së Shqipërisë: tre shekujt e parë të sundimit osman. Ai ndriçoi, veç të tjerave, veprimtarinë e disa prej figurave më të spikatura të kulturës dhe letërsisë shqiptare, siç janë: Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë(…) (…)Injac Zamputi mbeti deri në fund një njeri modest. Ai i dha shoqërisë shqiptare shumë më tepër se ç’mori prej saj. U nda prej nesh në një kohë kur shoqëria shqiptare duhej t’i kishte shlyer atij një borxh: titullin e profesorit (…)”.Si sintetizoi historinë e familjes Zamputti, Jozefi solli kujtimet e të jatit për disa figura e ngjarje të shquara të kulturës katolike, duke nisur nga veprimtaria e Shoqërisë ‘Bogdani’ në të cilën kishte marrë pjesë, tek shfaqjet e melodramave të Dom Ndre Zadejës e sidomos, tek figura e mirënjohur e Dom Ndre Mjedjes, me të cilin bashkëpunoi. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Bari, nisi punën si mësues letërsie në Kolegjin Jezuit, duke u bërë kështu koleg i Dom Ndre Mjedës dhe bashkëpunëtor i Atë Zef Valentinit për revistën “Leka” dhe Albanologjinë Saveriane – sqaroi i biri – dhe vijoi me kujtimet e të jatit:
“Tjetri personalitet, që fati im i lumtur më caktoi ta kisha mësues, baba dhe koleg, po ashtu si Valentinin, në vitet e para të karrierës sime që nisa dhe zhvillova në Kolegjën Saveriane, ka qenë Dom Ndre Mjedja (mbiemrin kështu e shkruante dhe kështu e kërkonte prej të tjerëve).
I gjetur unë, njëzetvjeçar, ndërmjet këtyre dy personaliteteve, rrij tani e mendoj: a kam ditur të përfitoj sa duhet prej këtij fati, që më duket se mund të quhet unik, dhe a kam ditur t’ua shpërblej moralisht kujdesin me të cilin që të dy u vunë të më plazmonin si duhet mua, brumë të ri, dhe të më drejtonin mua, filiz të ri, të mbjellur në lulishten e tyre?
Veç emrit që ia kisha dëgjuar, veç poezisë që ia kisha ndier shijen dhe forcën, Dom Ndre Mjedën nuk e kisha parë as njohur para vitit 1931. Poeti kishte vendosur që, vitet e fundit të jetës së vet, t’i kalonte duke dhënë mësimin e letërsisë në Liceun Saverian e në Seminarin Papnuer. Unë njëzetvjeçar, ai tashmë në rrugën e pleqërisë. Marrëdhëniet e mia me Mjedën i kam konsideruar përherë si marrëdhëniet e një nxënësi me Mësuesin edhe pse këto marrëdhënie kanë qenë karakterizuar, krahas nderimit që ushqeva përherë për të, nga një përzemërsi që dilte nga ai shpirt i pastër dhe që për ditë e më shumë, gjatë gjashtë vjetëve, më lidhi me të. Këto marrëdhënie morën edhe karakterin e lidhjes së babait me të birin.
Siç e thashë për Valentinin, ashtu edhe për Mjedën do të them se nuk kam pasur fatin të isha nxënës në bankat e shkollës kur ai jepte mësim, sepse ardhja e tij në Kolegjë-Seminar ndodhi kur unë isha në Bari. Por kam qenë aq afër tij në gjashtë vjetët e para të mia si mësues, saqë kam të drejtën ta konsideroj veten nxënës të tij në të gjitha vështrimet. Ai dhe Valentini qenë ata dy burra që më dhanë dorën dhe më bënë të përballoja me guxim vështirësitë që më dilnin përpara në punën time. Mund t’i krahasoj këta dy Burra me mësuesët e notit që lëshojnë në ujë nxënësin për ta stërvitur më parë të qëndrojë pa u zhytur dhe pastaj të sfidojë valët e detit duke qenë i sigurt se pas vetes janë duart e gatshme për ta ndihmuar në rast rreziku.
Qenia e Valentinit në Kolegjë dhe pozita ku kishte arritur me aftësitë e tija, shpjegohet me faktin se ai ishte jezuit dhe punonte në planin e në gjirin e komunitetit të vet. Qenia e Mjedës aty në vitet tridhjetë ka një historik më vete (…)
Në një sofër festive, te prifti i Bushatit, në mes të një grupi priftërinjsh të ardhur për festën e vendit nga famullitë e ndryshme, në bisedë e sipër, Dom Ndreu, kur ra fjala te kryqëzimi i Krishtit, tha se, ndër ushtarët që e gozhduan paskan qenë edhe nga legjonet ilire dhe, me gjuhë gjysëm-gazmore, disa ia pritën: “Edhe shqiptarët e paskan gozhdue Krishtin!”. Pas këtij gjysëm-humori, Dom Ndreu nisi e zhvilloi një dizertacion të vërtetë të mbështetur në të dhëna historike, aq sa të pranishmit mbetën me gojë hapur. Në fund, një prej kolegëve të tij iu drejtua me këto fjalë: “Oh, të dija unë këto që di ti, nuk do të ma kishte ndalue askush rrugën që të bahesha kardinal!”. Është një shprehje që, në rrugë të tërthortë, përkufizon karakterin e mbyllur, të strukur në vetvete, të Poetit. Dhe Dom Ndreu mbeti gjithë jetën një prift i thjeshtë. (…)
Më Pas Jozef Zamputti solli edhe kujtimet për Revistën LEKA, Albanologjinë Saveriane e Atë Zef Valentinin:
“Rezultatet pesëdhjetëvjeçare të Kolegjës i sugjeruan Atë Valentinit themelimin e një shoqate të intelektualëve shkodranë dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë. Kjo shoqatë apo Lidhje që pati për program Edukatën, Kulturën dhe Argëtimin, qe quajtur prej tij me inicialet L.E.K.A. që tingëlloi aq bukur shqip. (Fac-simile 13 – 14)
Shoqatën me revistën homonime i gjeta në gjallëri të plotë sapo vura këmbën si mësues në atë Kolegjë, që më kishte rritur e formuar dhe që do të më formonte gjithnjë.
Në planin e Valentinit, Shoqata LEKA do të vlente për të lidhur më ngusht mjedisin katolik shkodran me Kolegjën Saveriane dhe me veprimtarinë pedagogjike, artistike e kulturore të saj. Motoja që ai zgjodhi qe: Concordia parve res crescunt që, megjithëse pati ndonjë vërejtje, e tha shqip: Sendet e vogla rriten prej bashkimit.(…)
Sipas parimit të urtësisë popullore “gur gur bëhet mur”, kishte nisur punën dhe po e vazhdonte Valentini. Me teprica letrash e kartonash te vegjel që shkonte e i nxirrte nga koshat e mbeturinave të shtypshkronjës, ai nisi skedimin e çdo materiali që interesonte Albanologjinë. Me teprica dërrasash që nuk vlenin më për zdrukthtarinë nisi të ndërtonte ato kuti skedarësh, ndonjera prej të cilave më shërbeu për dyzet vjet pune në Institutin e Historisë, pasi, duke i konfiskuar, i kishin boshatisur prej
skedave ku ishte derdhur djersa e këtij Albanologu. Unë kam fatin ta kem ndonjë prej këtyre kutijave, tashmë të mbushura me skedat e mia.
Valentini kishte shprehi dhe njohuri të gjithanshme të shkencave të ndryshme që do ta ndihmonin në veprimtarinë e nisur. Ai zotëronte vizatimin teknik që i hyri në punë për rikonstruksionet arkeologjike, ishte paleograf i përkryer, zotëronte njohuri arkeologjike, numizmatike, etnografike dhe çdo njohuri që kishte të bënte me historinë shqiptare, me etninë, me të drejtën zakonore etj. Të gjitha, të shoqëruara me gjuhësinë shqipe të cilën arriti ta zotëronte aq mirë saqë çuditi auditorin e Tiranës, gjatë okupacionit fashist, duke folur dy orë të tëra lirshëm për folklorin e larmishëm shqiptar brendinë dhe metrikën e të cilit i njihte si moskush. Kjo njohuri gjuhësore dhe letrare i hapi atij pastaj, kur u largua nga Shqipëria, dyert e Universitetit të Palermos për të marrë katedrën e shqipes që kishte pasur më parë arbëreshi Petrotta”.
Më pas kujtoi veprimtarinë e Valentinit në artin e fotografisë, tejet i rrallë asokohe, formimin e filmotekës, të koleksionit numizmatik, pasurimin e bibliotekës, të muzeumit e të Revistës LEKA”. (…)
Së fundi Jozef Zamputti kujtoi se përveç veprave të botuara, Injac Zamputti la edhe disa dorëshkrimet me vlerë: Vëllimin me dokumente të transkriptuara e të përkthyera me listën e emrave të vendeve e personave 1623-1653 (169 dokumente e pjesë relacionesh të transkriptuara e të përkthyera + 57 dokumente të transkriptuara pa përkthim). (430 faqe).







All the contents on this site are copyrighted ©.