2010-02-11 16:20:06

U mbyll në Romë simpoziumi mbi ekumenizmin. Intervistë me ipeshkvin anglikan Tom Rajt.


(11.02.2010 RV)U mbyll dje në Romë Simpoziumi mbi ekumenizmin promovuar nga Këshilli Papnor për Promovimin e Bashkimit të Krishterëve. Ishin të pranishëm përfaqësuesit katolikë, luteranë, anglikanë, të reformuar dhe metodistë. Gjatë simpoziumit që bëri bilancin e 40 vjetëve punë të dialogut ekumenik u pa nevoja e një dëshmie të përbashkët të të krishterëve në një botë përherë e më të shekullarizuar. Në mikrofonin e Radio Vatikanit flet ipeshkvi anglikan Tom Rajt:

Përgjigje: Mendoj se sot ka vështirësi në jetën e të gjitha Kishave, sepse, ka një lloj fragmentarizimi që disa persona e quajnë “postmodernizëm”. Prandaj secili thotë çfarë i do qejfi e kundër çdo gjëje. Pyetja është kjo: “Kush flet me autoritet dhe në emër të Kishës?” Dhe kjo ndodh jo vetëm brenda anglikanizmit. Ka zëra të ndryshme dhe ne duhet të përpiqemi të kuptojmë nëse këto zëra përputhen me njëri-tjetrin.
Në një farë mënyre Kisha sot është një lloj lëvizjeje ekumenike në miniaturë: ka krahun e djathtë të vet, ka krahun e majtë, ka tradicionalistët, radikalët apo quaji si të duash.
Sigurisht, Bashkimi Anglikan, vitet e fundit, fatkeqësisht, i ka nxjerrë hesapet e shtëpisë në pazar, për arsye të ndryshme. Kjo do të thotë se Kishat e tjera, kur bie fjala për ne thonë: “Kur flasim me anglikanët, nuk e dimë se me kë flasim!”
Gjithçka që mund të them si anglikan, hëpërhë, është se ne kemi “instrumentet” e bashkimit siç janë: Kryeipeshkvi i Kanterbërit, Konferenca e Lambethit, takimi i Primatëve, Anglikan Konsultativ Kaunsil, të cilët i janë përmbajtur një linje konstante përsa i përket çështjeve kryesore. Pra, po qe se flasim brenda këtij konsensusi të gjerë atëherë mund të thuash se flet në emër të Bashkimit Anglikan, ndonëse dikush edhe mund të ngrihet e të thotë: “Unë nuk mendoj kështu”.







All the contents on this site are copyrighted ©.