2010-02-11 14:58:56

Papa në festën e Zojës së Lurdë: masa e njerëzimit varet nga kujdesi e dashuria që kemi për të sëmurët.


(11.2.2010 RV)RealAudioMP3 Në Kishë, të sëmurët e ata që vuajnë janë dëshmitarë të mrekullive të dashurisë: këtë nënvizoi sot Benedikti XVI gjatë kremtimit të Meshës së Shenjtë në Shën Pjetër në Vatikan me rastin e festës liturgjike të së Lumes Mari Virgjër të Lurdit e në Ditën e 18-të Botërore kushtuar të Sëmurit.
Kremtimit solemn i parapriu ardhja në Bazilikën e Shën Pjetrit e Relikeve të Shën Bernardetës Subiru të bartura me procesion nga Kastel Sant’Anxhelo deri në Vatikan. Në homelinë e rastit, Papa Racinger ripohoi përkujdesjen e veçantë të Kishës ndaj atyre që vuajnë, në shenjë të dëshmimit të dashurisë përdëlluese të Zotit.
“Masa e njerëzimit përcaktohet thellësisht në raport me vuajtjen e të vuajturin”: Benedikti XVI citoi një fragment nga enciklika “Spe Salvi” për të nënvizuar faktin se sa i ka Kisha përzemër të sëmurët. E në fillim të homelisë, kujtoi se Kisha “nuk mund të mos përkujdeset për këto dy vepra thelbësore: ungjillëzimin dhe kujdesin për të sëmurët në trup e në shpirt”:
“Ne jetojmë një gëzim që nuk e harron vuajtjen, madje, e përfshin dhe kupton. Në këtë mënyrë të sëmurët e të gjithë ata që vuajnë në Kishë jo vetëm që janë marrësit dhe caku i vëmendjes e i përkujdesjes, por janë edhe protagonistë të shtegtimit të fesë e të shpresës, dëshmitarë të mrekullive të dashurisë, të gëzimit të Pashkëve që lulëzon e buron nga Kryqi e nga Ngjallja e Krishtit”.
Përmes shekujve, është reflektimi i Papës, Kisha “dëshmon shenjat e dashurisë së Zotit, që vazhdon të bëjë gjëra të mëdha në persona të përvujtë e të thjeshtë”. A mos ndoshta nuk është mrekulli e dashurisë, pyeti Papa, “vuajtja e pranuar dhe e ofruar, bashkëndarja e sinqertë dhe falas?”. Dhe e quajti mrekulli “guximin e përballimit të së keqes” vetëm me “forcën e fesë e të shpresës në Zotin”. Një mrekulli që “hiri i Zotit nxit vazhdimisht në shumë persona që shpenzojnë kohë dhe energji për të ndihmuar atë që vuan”. E kujton kështu tregimin ungjillor të festës së Lajmërimit të Zotit, që na tregon se si Virgjëra Mari, pas lajmërimit të Engjëllit të Zotit, “nuk e mbajti për vete dhuratën e marrë, por u nis menjëherë për të shkuar e ndihmuar kushërirën e moshuar Elizabetën”:
Në mbështetjen e Marisë ofruar kësaj gruaje të farefisit, e cila në moshë të shtyrë, kalon situatën delikate të shtatzënisë, ne e shohim veprimtarinë e Kishës në mbështetje të jetës që ka nevojë për kujdes e për ndihmë”.
“Si dishepulle e parë dhe e përsosur e Birit të saj”, konstaton Papa, Maria “Shëndeti i të sëmurëve”, “ka treguar gjithmonë, në shoqërimin e udhës së Kishës, një përkujdesje të veçantë për të vuajturit”, siç “dëshmojnë mijëra persona që shkojnë në shenjtëroret mariane për të kërkuar përmes lutjes ndërmjetësimin e Nënës së Krishtit e në të gjejnë forcë e lehtësim”. Këndej, Papa u ndal tek himni i “ Madhërimit ” apo himni i Marisë, kënga e Virgjërës që i lartëson veprat e mrekullueshme të Zotit në historinë e shpëtimit”:
Në himnin e Madhërimit të Marisë, pohon Ati i Shenjtë, “ne dëgjojmë zërin e sa e sa Shenjtorëve e të Shenjtoreve të dashurisë”. E shton: “Kush rri gjatë afër personave që vuajnë, njeh dëshpërimin e lotët, por edhe mrekullinë e gëzimit, që është fryt i dashurisë”. Më pas Papa kujton amësinë e Kishës, “rreze e dashurisë përdëllese e Hyjit”:
“Një amësi kjo që flet pa fjalë, që ngjall ngushëllim në zemra, gëzim të thellë, një gëzim që në mënyrë paradoksale bashkëjeton me dhembjen, me vuajtjen. Kisha, porsi Maria, ruan për vete dramat e njeriut e ngushëllimin e Zotit, i mban së bashku, gjatë shtegtimit të historisë”.
Më tej në homeli, Papa përmendi “rolin e të sëmurëve në Kishë”. Një rol ky, që Benedikti XVI e përcaktoi si “aktiv në provokim, madje për t’u shprehur kështu, lutje e bërë me fe”.
Në këtë Vit Meshtarak, më pëlqen të nënvizoj lidhjen ndërmjet të sëmurëve dhe meshtarëve, një lloj besëlidhjeje, një ‘bashkëpunim’ ungjillor. Që të dy kanë një detyrë: i sëmuri duhet t’i thërras priftërinjtë, e këta duhet të përgjigjen, për të sjellë në përvojën e sëmundjes praninë e veprën e Krishtit Gjallë e të Shpirtit të tij”.
Kështu, vijon Papa, “mund të shohim tërë rëndësinë e veprimtarisë baritore me të sëmurët, vlera e së cilës është e pallogaritshme, për të mirën e jashtëzakonshme që në rend të parë i bën të sëmurit e vetë meshtarit, por edhe familjarëve” e “përmes udhëve të pashqyrtueshme e të mistershme”, tërë Kishës e botës mbarë”.
Më pas, Benedikti XVI kujtoi sot, se para 25 vjetësh, lindi Këshilli Papnor për Baritorinë e Shëndetit, themeluar nga Gjon Pali II. Dhe përfundoi homelinë me një mendim të Karol Vojtilës, “që ai - nënvizoi - ka dëshmuar me jetën e tij personale”:
“Krishti i ka mësuar njeriut, në të njëjtën kohë, të bëjë mirë atëherë kur vuan por edhe t’i bëjë mirë atij që vuan. Në këtë aspekt të dyfishtë ai na zbulon deri në fund kuptimin e vuajtjes”.
Sot pasdite, Papa Benedikti XVI doli në dritaren e dhomës së tij private të studios për t’i përshëndetur e bekuar besimtarët që morën pjesë në procesionin marian në rrugën Konçiliacione, pranë Vatikanit, me shtatoren e Zojës së Lurdit.







All the contents on this site are copyrighted ©.